Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Turpi jeni ju, jo dora e nënës…

 

 

Më mbeti në mendje një skenë që pashë sot, tek ‘Rruga e Dibrës’. Një burrë rreth të 40-ve po ecte duke mbajtur për dore nënën e tij në moshë të thyer tashmë. Ishin dukshëm në një gjendje jo të mirë ekonomike, por në një gjendje aq të shëndoshë shpirtërore. Ndalova një moment të shijoja këtë skenë, që rrallë ndodh ditëve të sotme. Zotëria më hodhi një shikim dhe vazhdoi rrugën me nënën e tij, duke mos e vrarë mendjen për shikimet e asnjerit, ndonëse shumica e tyre dukej sikur donin të thonin “Po ty nuk të vjen turp që del akoma me nënën?!”, por që indiferentizmi i tij të thoshte qartë “Ajo është pasuria më e madhe që kam”.

Edhe unë vazhdova rrugën time. Kontrasti nuk vonoi shumë të më vriste sytë. Makina luksoze të cilat i ngisnin djem e vajza të reja. Të rinj, të cilët duket qartë që nuk kanë punuar asnjë ditë të jetës së tyre. Nuk e dinë se çfarë është puna, por e dinë më së miri si të shesin mend te të tjerët që nuk kanë. Dinë vetëm të dalin rrugëve duke ekspozuar pasurinë, që e kanë ngritur prindërit e tyre. Dalin vetëm, ose me shoqëri, por kurrë nuk i sheh me familjen. As një kafe në lagje nuk e pijnë me këta të fundit, se janë të pavarur sipas tyre, ju vjen turp dhe mendimi se “ca do mendojë shoqëria po të më shohë me prindërit?” është më i rëndësishëm.

Po kur ju merrni lekë, edhe pse jeni në moshë për pune, nuk ju vjen turp?! Kur ju merrni leje për të vajtur në Ksamil, Drimadhë, Greqi, jo se i keni frikë, por se ju duhen lekë, ju vjen turp?! Të shisni mend rrugëve të ‘Bllokut’ me makinat që jua blenë vetë ata, nuk keni turp?! Të çoni lekët duke qerasur çdo femër që rri me ju për lekë, nuk ju vjen turp?! Nuk ju vjen turp që ju marrin për budallenj?!

Ahhhh turp është të marrësh nënën tënde për dore e të dalësh një xhiro me të, sepse me një femër që nuk e njeh fare nuk është turp.

E di që shumë nga ju do mendojnë se jam ziliqare dhe i kam inat këta që kanë lekë, por realisht as nuk më bëjnë përshtypje fare, sepse aq sa kam ma di shpirti si i fitoj dhe i harxhoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndaj do ju lutesha bashkëmoshatarë turpërohuni nga vetja juaj dhe ktheni një herë sytë nga ata të shtëpisë që po lënë leshtë për të siguruar lumturinë tuaj!

Please follow and like us: