Albspirit

Media/News/Publishing

Prishja e shtëpive në Dhërmi, çështja drejt Gjykatës Europiane të të Drejtave

Katër shoqata të komunitetit himarjot kanë reaguar dje për prishjen e dy shtëpive në Dhërmi duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin. Përmes një deklarate të posaçme, shoqatat njoftojnë se do të përgatisin ankimim në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Me procedura të rrufeshme organet shtetërore sot shemben dy ndërtesa në fshatin Dhërmi të Himarës. Theksojmë se njoftimet u dërguan më 17 korrik dhe u jipnin pronarëve pesë ditë afat për t’i boshatisur. Me gjithë përpjekjet tona për të aktivizuar entet që do të mund të parandalonin shembjet e paligjshme, fatkeqësisht katastrofa nuk u shmang. Edhe dy familje të tjera Himarjote u bënë pre e arbitraritetit qeveritar me pasojë mundi dhe djersa e tyre shumëvjeçare të shkërmoqen.
Shembjet janë produkt i arrogancës së Kryeministrit Shqiptar, i cili duke demonstruar superioritet violence imponoi shembjet në fjalë duke shkelur dy ligje të shtetit shqiptar:
1.Në bazë të ligjshmërisë shqiptare ndalohet çdo veprimtari ndërtimore gjatë periudhës turistike (25 qershor – 15 shtator).

2.Për njërën prej ndërtesave qendron pezull vendimi gjyqësor për dëmshpërblimin e pronarëve për shpronësimin e saj.

Por tej aspektit juridik, lidhur me çështjen shtrohen edhe disa pyetje të tjera:

-Cila është arsyeja e një nxitimi të tillë për kryerjen e dy shembjeve në pikun e periudhës turistike dhe jo në shtator?
-Në çdo shtet tjetër një ndërtesë e vitit 1936 do të ishte përfshirë tek monumentet e mbrojtura. Mos mbrohet vallë trashëgimia vendore duke e zëvendësuar atë me beton arme?

Ndihemi plotësisht të zhgënjyer nga neutraliteti i medias shqiptare por edhe i Shoqërisë Civile ndaj praktikave të tilla totalitare.
Përpjekjes  së sheshimit të nocionit të shtetit të së drejtës do t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet e ligjshme që disponojmë. Nuk do të nënshtrohemi dhe nuk do të braktisim vendin pavarësisht presionit të ushtruar. Perspektiva evropiane e Shqipërisë kalon përmes shtetit të së drejtës dhe obligimeve ndaj Bashkimit Evropian. Përderisa shteti shqiptar nuk respekton detyrimet dhe obligimet e tij, tashmë po përgatitemi për tu drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Njëkohësisht do të intensifikojmë veprimtaritë tona duke organizuar më 14 gusht në Himarë protestë masive me qëllim garantimin e së drejtës sonë për t’u mbrojtur nga regjimi neototalitar i Tiranës

Please follow and like us: