Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Gomerët e veshur me uniforma policie

 

 

Them gjithmonë që nuk do shkruaj më, se nuk do e rregulloj unë e disa të tjerë këtë vend dhe gjithmone e kap veten duke shkruar. Nuk e di sa nga ju e dinë, por po ua them unë që nga zona e Shkollës së Bashkuar po bëhen punime në rrugë. Me duket se po shtojnë trotuare dhe korsi biçikletash. Shumë mirë deri ketu. Bravo ju qoftë! Por këto punime ka kohë që kanë nisur dhe një zot e di se kur do mbarojnë. Kjo rrugë është kthyer një makth për banorët dhe shoferët e makinave që iu bie rruga të kalojnë këtej, sepse në atë segment aq të shkurtër mund të qëndrosh edhe 1 orë nga trafiku. Vec kësaj, pluhuri ‘hedh valle’ gjithë ditën. Një kaos i vërtetë.

Nejse… Dua të flas për dicka tjetër. Në këtë rrugë, si në shumë zona të tjera në cepat e saj gjen nevojtarë të ndryshëm, që shesin karikuesa telefonash, banane, corape, gjëra të ndryshme. Me këto të ardhura (nëse shesin ndonjë gjë) ata sigurojnë bukën e gojës edhe pse piqen aty 12 orë të ditës.

Por sot dy policë karagjoza bashkiakë, fiks sa kalon Spitalin Amerikan për të zbritur nga Medreseja, dukej sikur po luanin futboll me sendet që këta qytetarë po shisnin. Me një arrogancë kafshërore, pa pikë qytetarie, me cigare në dorë po i gjuanin me shkelma kutitë ku ata mbanin sendet për t’i shitur. Po ua flaknin, pa të keq fare dhe këta qytetarë aq të tmerruar, si t’iu kishte ardhur exheli, po vraponin duke u përplasur me njeri- tjetrin për të siguruar mallin që kishin. Njërit ia morën të gjithë kutinë bashkë me ca karikuesa dhe këllëfa celularësh dhe e futën në furgonin e tyre ku buçiste muzika, e shoferi kishte nxjerrë njërën dorë në dritare duke vëzhguar punimet që po bënin pluhur “vullkanik”. Zotëria iu lut që t’ia kthente sendet duke i thënë “po largohem”, por shteti është i egër dhe vetullat e tij ishin bashkuar me njera- tjetrën nga inati që këta shitës po i prishnin bukurinë kësaj rruge të shëmtuar. Një moment me erdhi t’i flisja e t’i thoja “Qetësohu, o kafshë e sapo zbritur nga pylli! Ata janë njerëz, mos luaj me bukën e tyre! Mos ju gjuaj me shkelma, o idiot”! Por pasi u mendova dhe një herë, gjë që rrallë më ndodh, vazhdova rrugën time, sepse kisha frikë se do më merrnin edhe mua në atë furgon të fëlliqur.

Kjo është policia që ne duam, se ajo që nuk duam nuk kalon kurrë në qendër të Tiranës, tek rruga e quajtur “Dollari”, që të gjuajë me shkelma edhe aty. Aty shitës të të njëjtave produkte shërbejnë për suvenire zbukurimi, ama këtej shërbejnë si shkatërues imazhi.

Joooo, kjo është policia që unë e urrej dhe e kam frikë, nuk e dua fare.

Please follow and like us: