Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Hotel “Moderno” në Elbasan dhe burgosja e pronarit të tij

Pasi mbaroi plenumi i Beratit, mbëmjen e 27 nëntorit 1944, Enver Hoxha mbërriti në Elbasan. Të nesërmen do nisej në Tiranë si kryeministër i qeverisë “demokratike” të Shqipërisë. Ai qëndroi në Elbasani në hotel “Modernon”, pronë e Xhavit Biçakut.
Duhet t’i ketë bërë përshtypje Hoxhës cilësia e atij hoteli. Si ziliqar që ishte dhe po kaq edhe zemërzi, nuk mund të rrinte i qetë e ta linte të zotin ta gëzonte pronën e vet. Përveçse i mori kinemanë e qytetit (sot teatri “Skampa”), i mori edhe hotelin nga i cili shkoi në Tiranë si kryeministër, si dhe e burgosi. Hoteli u shtezëzua dhe u kthye në gjykatë. Me dekretligjin nr.548 datë 26.11.1947 hoteli u shtetëzua “për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare”. Në raportin justifikues thuhej se pronari “nuk dëmtohej, sepse kishte edhe pasuri të tjera të paluajtshme”, se ishte një person “që vinte nga klasat feudale të kohës” dhe se gjithë këtë pasuri e kishte vënë sipas tyre “në sajë të spekulimit mbi popullin si tregtar dhe mbi shfrytëzimin e bujqve si çifligar”.
Xhavit Biçaku vuajti persekutimin komunist. Me vendimin nr.531, datë 29.12.1947 të Gjykatës Ushtarake Elbasan, ai u dënua me 20 vjet heqje lirie. U dënua së bashku me 11 të tjerë, i akuzuar se kishte organizuar “grupe klandestine”, “organizata ilegale”, etj. Xhavit Biçaku vuajti 12 vjet e 3 muaj në burgjet e diktaturës.
Për ironi, për shumë vite në derën hyrëse të hotelit qëndroi edhe një pllakë përkujtimore që tregonte se E.Hoxha kishte fjetur një natë në atë godinë.
Bashkëlidhur fotografia e pronarit, ndërtesa në vitet ’40 si dhe dekreti i shtetëzimit.

Please follow and like us: