Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Përmeti: Nesër çdo sportdashës shqiptar duhet të jetë në Korçë

 

 

Letër e hapur për sportdashësit e ndjeshjes Skënderbeu-Mllada

 

Në ditët e sotme në Shqipëri të rralla janë kënaqësitë që të jep jeta e përditshme, pasionet janë pakësuar, teatri dhe kinemaja pavarësisht përpjekjeve janë të pakrahasueshme me vitet e tyre të arta. Njerëzit dhe kryesisht të rinjtë shohin si të vetmen kënaqësi kafenetë, të cilat megjithëse se janë të pafundme dhe hapen pafundësisht përditë qëndrojnë plot e përplot nga mëngjesi në darkë.

Por zymtësinë e jetesës së përditshme shpeshherë e tejkalon pasioni i madh për futbollin. Një pasion i mbushur me emocione që t’i jep jo vetem të qenit tifoz, por në përgjithësi të qenit spordashës. Treguesi më i mirë i këtij pasioni të mbushur me emocion është ‘Europiani 2016’, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë dhe tifozeria jonë bëri krenar çdo shqiptar në botë.

Sot ndodhemi vetëm një ditë larg ndeshjesh Skënderbeu-Mllada, ndeshje e vlefshme për turin e tretë paraeliminator të ‘Europa League’. Unë personalisht kam qenë tifoz i Skënderbeut që në moshë të vogël, mbase duke ndjekur edhe traditën familjare, e kam ndjekur Skënderbeun gjithmonë kur kam jetuar në Korçë dhe sot e ndjek në të shumtën e ndeshjeve (pavarësisht se do preferoja ta ndiqja edhe më shumë), por nesër nuk bëhet fjalë vetëm për tifozllëk, nesër bëhet fjalë për një brand që ka bërë shqiptarët krenarë në Europë, bëhet fjalë për të vetmen valëvitje të flamurit kombëtar në arenën europiane të futbollit.

Para 20 vitesh kur fillova të ndjek futbollin, Skënderbeu nuk merrte pjesë në kompeticionet europiane të futbollit. Pavarësisht se isha shumë tifoz me Skënderbeun, bëja tifo për Vllazninë kundra Dinamo të Tbilisit dhe kështu me radhë për çdo ekip shqiptar që na përfaqësonte në Europë ndër vite.

Vjet u gëzova pa masë për kualifikim e Partizanit dhe këtë vit u trishtova për eliminimin e pafat të Kukësit. Nuk është çështje tifozllëku, është çështje krenaria kombëtare. Sot, Skënderbeu është një brand europian, është përfaqësimi më i mirë dhe reklama më e mirë që mund t’i bëhet Shqipërisë. Ky ekip u ngrit mbi katrahurën e futbollit shqiptar duke qenë ekipi i vetëm që ngriti një strukturë të mirëorganizuar duke thyer çorganizimin e futbollit shqiptar. Ishte i pari ekip që vendosi rregullat elementare të kontratave disa vjeçare të futbollistëve duke rregulluar tregun e lojtarëve, nga të cilët tashmë ka fituar miliona euro dhe njëkohësisht u bë pararendës i ekipeve të tjera, të cilat sot ndjekin standardin Skënderbe në organizimin e klubeve të tyre.

Organizimi perfekt në çdo detaj solli edhe arritjen më të madhe hitorike të futbollit shqiptar: Pjesëmarrja për herë të parë në histori të një ekipi shqiptar në grupet e një kompeticioni europian, një krenari e pamasë për çdo sportashësh shqiptar.

Nesër Skënderbeu ka ndeshjen e kthimit me Mlladën. Është i vetmi ekip shqiptar i mbetur në kompeticionet europiane, është i vetmi që siguron valëvitjen e flamurit shqiptar në futbollin europian. Është krenaria e Shqipërisë në futbollin europian. Ka ardhur momenti që spordashësit t’ia shpërblejnë.

Nesër në stadium duhet të jetë plot. Pak rëndësi ka nëse Skënderbeu kalon turin apo jo. Skëndebeu na bëri krenar dhe jo vetëm këtë vit.

Nesër nuk vlen nëse je korçar apo jo, nesër nuk vlen nëse jeton në Korçë apo jo, nesër nuk vlen nëse gjatë vitit bën tifo për Skëndebeun, Partizanin, Kukësin apo Tiranën, nesër vlen vetëm valëvitja e flamurit shqiptar në stadium, nesër vlen festa e futbollit shqiptar në Europë.

Nesër çdo sportdashës shqiptar duhet të jetë në stadium, për të mbështetur Skënderbeun dhe për të shkruar përsëri historinë. Ka të bëjë me futbollin, ka të bëjë me pasionin, ka të bëjë me kënaqësinë e të shijuarit një ditë të veçantë, ka të bëjë me të qenit krenar për futbollin shqiptar. Unë nesër do jem. Eja edhe ti!

Skënderbeu-Mllada, letër e hapur për sportdashësit

Please follow and like us: