Albspirit

Media/News/Publishing

Edison Ypi: Helena e Kujtimeve 

Image result for kohe e pamjaftueshme

“Kujtimet” e Helena Kadaresë nuk është libër. Është Bibël për besimtarë, strehë për vetmitarë, bunker për frikacakë, shërim për të sëmurë, shpëtim për të mjerë. Kujtimet e Helena Kadaresë janë një Tomorr me kamomil, një Adriatik me verë, një qiell me yj, një tekst magjepsës përmes të cilit e bukura dhe e ndjeshmja Helenë ka dëshmuar mjeshtërisht jetën dramatike. Kushdo që e lexon këtë heroizëm që Helena ka bërë, këtë peshë që Helena ka mbajtur, këtë Kryq që Helena ka zvarritur, bëhet më i mirë e më i bukur. Gjatë atij leximi nuk përjashtohet rrjedhja e lotëve. Por ka dhe gjëra për të qeshur. Për shembull ku Helena thotë se për të vajtur në Francë i ishte dashur të zbriste nga Skandinavia, sikur për të vajtur në Surrel i ishte dashur të zbriste nga Priska. Për të qeshur është gjithashtu se si Helena ja ka arritur të durojë gjithato vite një vjehërr aq epik sa edhe në banjo shkonte me pallto “Gub”. Por këto s’janë gjë para asaj që Helenës i ndodhi në fund të vizitës së parë dhe të vetme te diktatori. Kur po ndaheshin, Isa, nga hutimi, në vend që t’ja jepte dorën së pari kurvit, ja dha gabimisht kuçedrës. Kaloi pa ndonjë incident. Mendo çfarë mund të kishte ndodhur nëse Isa, nga hutimi, të mos ja kishte dhënë dorën së pari kuçedrës por Helenës, dhe nga dera të dilte jo me Helenën që dorën ja dha, por me kuçedrën së cilës dorën s’ja dha, dhe, rujna Zot, të vazhdonte muhabetin me kuçedrën njësoj si me Helenën, ndërkohë që për shkak të gafës së Isës, Helena të kishe mbetur në zyrën e Komitetit Qëndror vetëm për vetëm me kurvin. Gjatë atij leximi Helena të rrëmben në një udhëtim nëpër terr, nëpër tmerr, nëpër ferr, për të rrëfyer disa mistere, disa lebetira, që s’i ka parë Bota, që s’i njeh Historia, që s’i rrok mendja, që s’i thotë goja, që s’i shkruan pena. Që lexuesi të mos çmendet nga habia ose vdesi nga marazi, Helena është kujdesur të mos i thotë të gjitha. Flet Helena; Këtu jemi përtej, këtu jemi prapa, këtu jemi brenda. Këta rretherrotull janë ata që hanë e pinë e flenë e shumzohen, domethënë shumica që pjellin bastarda. Ata atje që rrinë si mënjanë, si të heshtur, si të pafajshëm, janë spiunat, denonciatorët që s’dihet cilët ishin as cilët janë. Ato ndërtesat janë Komitetet ku thureshin intrigat, jepeshin urdhërat, për internimet, rrahjet, burgosjet, vrasjet, pushkatimet, varjet, torturat. Këta që po parkalojnë janë Populli shqiptar, i rreckosur dhe i uritur, i frikësuar dhe i poshtëruar, e vetmja punë që bëri ishte farkëtimi i zellshëm i prangave të veta. Ajo që po nxiton duke u hedhur nga pak sikur brenda barkut ka një flluckë ajri jam unë kur Lasgushi më dedikoi vargjet e pavdekshme; “Moj leshverdha trëndelinë, ku më le mua të zinë”. Ai i ngrysuri që po ecën rrëzë trotuarit për të vajtur tek Lidhja e Shkrimtarëve ku e pret një autokritikë e thellë për librin e fundit, është Isa. Në këtë humbellë ku ndodh gjithçka dhe asgjë, afrimi është largim, largimi afrim, përpara është mbrapa, mbrapa është përpara. Në këtë katakombë, gjithçka është një totalitet mendjebjerrës dhe mishkalbës i mbyllur dhe i hapur, i qartë dhe konfuz, primitv dhe i përsosur. Në këtë gropë të lemeritëshme të një mpleksjeje halucinante të kohës me hapësirën, arsyeja dhe marrëzia, jeta dhe vdekja, janë e njëjta gjë. Falenderoj Isën që më mbarsi me dy goca dhe këto Kujtime.

Please follow and like us: