Albspirit

Media/News/Publishing

INTERPOL: Rëndësia e anëtarësimit dhe angazhimi i diplomacisë kosovare

Interpol është organizata më e madhe e policisë ndërkombëtare, e  përfshirë në raste të ndryshme, nga krimet e pasaportave të vjedhura e të përdorura në fluturimin e zhdukur te Malaysia Airlians, hetimet për gjetjen e nxënësve të rrëmbyer nigerianë, e shumë hetime tjera të njohura në botë.

Një rast i veçantë në të cilin ka qenë i përfshirë Interpoli ishte ai i qytetarit kosovar, Haki Alimi, i cili është akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore. Alimi ishte kërkuar nëntë vjet me radhë nga UNMIK-u, pasi që për këtë vepër ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit. Ai ishte arrestuar në Shqipëri, në pikën kufitare Kapshticë gjatë kontrollit të pasaportës, ku punonjësit e Policisë Kufitare arritën ta identifikojnë, pasi që në sistemin e kërkimit të Interpolit rezultoi si i kërkuar në nivel ndërkombëtar.

Sot, Kosova ka mbetur i vetmi shtet nga Ballkani, i cili është lënë jashtë organizatës Interpol.

Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në Interpol

Interpoli u formua në vitin 1923, me qëllim që të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Misioni parësor i saj është ndalimi i një sërë aktivitetesh kriminale ndërkombëtare. Roli kryesor i Interpolit në shumicën e operacioneve është të funksionojë si një qendër informacioni, duke ruajtur bazën e të dhënave kriminale ndërkombëtare, duke lehtësuar kontaktet midis forcave të policisë të shteteve të ndryshme.

Aktualisht, ballafaqimi i Kosovës me krime të ndryshme, në shumicën e rasteve, përfshijnë çështje që shtrihen përtej juridiksionit të institucioneve gjegjëse. Sot, përderisa flitet dhe pritet që të merret një vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duhet cekur se çka do t’i sjellë Kosovës ky anëtarësim?

-Aftësia unike e kësaj organizate për të shkëmbyer informata si dhe përvoja të nevojshme për të ndjekur kriminelët që arratisen përtej kufijve. Ky anëtarësim për kosovarët do të thotë të mos presin nëntë vjet për zbardhjen e krimeve dhe kapjen e kriminelëve, siç është rasti i Alimit.

-Qasja në informacione ndërkombëtare të nevojshme për autoritetet policore, veçanërisht në pikat e kontrollit kufitar, ku do të identifikoheshin me sukses individët e dyshuar dhe ku do t’u mundësoheshin autoriteteve policore që të ndërmarrin veprimet e duhura në këtë drejtim.

-Anëtarësimi në Interpol nënkupton gjithashtu që UNMIK-u nuk do të përgjigjet më për Kosovën, por Kosova, do të përfaqësohet nga institucionet përkatëse, pra do të ishte një mundësi që Kosova ta dëshmojë edhe njëherë jo vetëm gatishmërinë, por edhe aftësinë e saj për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

-Për më tepër, anëtarësimi i shtetit të Kosovës në Interpol është me rëndësi të veçantë për popullin e Kosovës, sepse në momentin kur anëtarësohet, të gjitha të dhënat do të merren nga policia e Kosovës, nga shërbimet sekrete të saj.

-Shfuqizimi i të dhënave që vinë nga policia dhe shërbimeve sekrete të Serbisë. Rastet të shumta konkrete kemi me arrestimin nga Interpol-i i ushtarëve të UÇK-së, ku hyn dhe rasti i fundit, arrestimi i komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, që është bërë në Francë, i cili pastaj është liruar si i pafajshëm. Ky arrestim është bërë me urdhrin e Policisë së Serbisë, përkatësisht të autoriteteve shtetërore të Serbisë, edhe pse Kosova kishte kërkuar disa herë nga Interpol që mos t’i marrë parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Prandaj themi se anëtarësimi i Kosovës në Interpol do t’i jepte fund lojës së Serbisë përmes Interpolit për të dëmtuar Kosovën dhe qytetarët e saj.

Diplomacia e Kosovës për Interpol-in dhe mësimet nga e kaluara

Kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol do të shqyrtohet në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, më datën 26 deri më 29 shtator 2017. Duhet cekur që pranimi apo jo i Kosovës në Interpol kryesisht varet nga lobimi (ndikimi për t’u miratuar apo jo një kërkesë e tillë), që është bërë më herët me shtetet partnere si dhe imazhi që ka aktualisht policia e Kosovës. Për t’u pranuar apo anëtarësuar në Interpol, Kosovës i duhen votat e dy të tretat e shteteve të pranishme që votojnë për anëtarësimin e saj.

Kosova ballafaqohet me lobimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këto organizata, prandaj, për t’u bërë pjesë e Interpolit, kërkohen angazhime e përpjekje të mëdha, madje edhe kohë më e gjatë. Ditë më parë, sipas gazetës “Blic” dhe njoftimeve të të gjitha medieve kosovare, Serbia tashmë ka formuar grupin punues, i cili përbëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën, e cila ka qëllim të lobojë kundër Kosovës. Megjithatë, problemi i mos anëtarësimit të Kosovës nuk qëndron vetëm tek pengesat që vinë nga Serbia, por edhe nga shtetet aleate të shtetit Serbë që e përkrahin dhe mbështesin atë.

Sa i përket lobimit, ekipi diplomatik Kosovar (me shpresë që është një ekip punues edhe pse askund nuk figuron që egziston apo nëse egziston kush e përben atë ekip punues), që merret me këtë çështje, duhet të konsiderojë dhe te marrë mësim nga ajo çka ndodhi ne UNESCO. Për shembull, anëtarësimi i Kosovës është refuzuar nga 50 shtete, 29 abstenime dhe 92 në favor të saj.

Fillimisht, për një lobim të suksesshëm është me rëndësi që të analizohet votimi në organizatën e fundit dhe të analizohet çka shkoi huq. Është e ditur se 15 shtete që e kanë njohur Kosovën, nuk e përkrahën që të anëtarësohet në këtë organizatë. Kolumbia, Antigua dhe Barbuda, Burundi, Unioni i Komoreve, Egjipti, Japonia, Polonia, Guinea Bisau, Mauritania, Mikronezia, Peru, Koreja e Jugut, Sau Tome dhe Principe, Sualizandi dhe Uganda, të cilat kohë më parë i kanë dorëzuar kredencialet dhe e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, në UNESCO ose votuan kundër, ose abstenuan, ose zgjodhën të dalin jashtë sallës.

Një ndër abstenimet ka qenë edhe ai i shtetit të Japonisë, i cili për një kohë të gjatë është parë si mbështetëse e fuqishme e Kosovës në UN dhe paraqitej me një gotë vere të Rahovecit, përderisa e përshkruante gjendjen aktuale në Kosovë.

Çka e shtyri Japoninë që të abstenojë lidhur me çështjen e Kosovës të pranohet apo jo në UNESCO? A do të thotë kjo që shtetet që e kanë njohur Kosovën tashmë e kanë humbur kredibilitetin e njohësit të saj si shtet i pavarur, apo nuk kishte diplomaci të mjaftueshme?

Është gjithashtu e kuptueshme se mungesa e njohjes nga pesë shtetet brenda BE-së dhe mungesa e njohjeve të disa shteteve të OKB-së, të cilat mund ta pengojnë progresin e anëtarësimit të  Kosovës në Interpol, paraqet problem mjaft serioz për Kosovën, mirëpo për shtetet të cilat na kanë njohur, votimi i tyre është në duart e diplomacisë sonë.

Për këtë arsye, diplomatët e Kosovës duhet të gjejnë emërues të përbashkët me shtetet, të cilat përfitojnë nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe të përdorin si argument pse të votojnë pro Kosovës. Tashmë veç dihet që Kosova është një vend transit i vendosur në “Rrugën e Ballkanit” (Balkan Route) nëpër të cilën edhe bëhet trafikimi me i madh i heroinës që vjen nga Afganistani në Evropë. Andaj, siç theksuam më lart, anëtarësimi do të mundësonte luftimin me efikasitet të madh të trafikimit te drogës, pra do të mbyllte, të thuash, plotësisht “Rrugën e Ballkanit”, që është një ndër vrimat e zeza kryesore që i përçon krimet drejt tregut të synuar evropian.

Kosova, duke mos qenë pjesë e Interpol-it, është bërë shumë tërheqëse edhe për kriminelë, të cilët e dinë që një shtet pa bashkëpunim me organizatat rajonale dhe botërore, nuk ka kapacitet për ndjekjen dhe amortizimin e krimit. Kosova nuk është në gjendje të ofrojë informata, nuk komunikon/bashkëpunon me shtetet tjera, prandaj, si rezultat i kësaj, veqse është shënderruar në një strehë të sigurt për krimin e organizuar, që më pastaj kërcenon sigurinë edhe të vendeve evropiane.

______________
Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

Please follow and like us: