Albspirit

Media/News/Publishing

Filip Çakuli: Kryetarë pa parti dhe parti pa kryetar

Autovetësugjestionimi i ca politikanëve është shndërruar në modë në skenën politike shqiptare. Në përfundim të këtyre zgjedhjeve, sipas KQZ-s Partia Socialdemokrate fitoi ne Shkodër një mandat. Një eufemizëm politik, alashqiptar ky, për t’i hedhur një vello të vërtetës. Në të gjithë e dimë, se në Shkodër nuk fitoi PSD-ja, po Tom Doshi, si person. Pse duhet të gënjejmë veten, votuesit, Partinë, që merr përsipër autorësinë?

Edhe në Peqin, Elbasan na thuhet zyrtarisht se fitoi PDIU-ja. Domethenë, sipas kësaj logjike çështja çame qenka kaq e fortë në këtë qark, sa nuk është në Tiranë, Konispol, Mursi… T’i themi gjërat me emrin e tyre dhe jo me pseudonime: fitoi Aqif Rakipi dhe jo Partia në fjalë. Nuk ka nevojë per zbukurime e fjale te medha. E verteta duhet pranuar dhe nuk ka nevoje per veshje gabi politike.

Ne duhet të jemi vendi i parë në botë për numrin e partive politike. E përjashtojnë dikë nga një parti, ose ikën se zihet me kryetarin, të nesërmen e ke kryetar të një partie të re. A mund të më thotë dikush se ku ndryshon Partia socialdemokrate, me Partinë demokratikesociale, në program a në statut, me përjashtim të emrave të kryetarëvë?

Po Partia dëmokristianë, më Partinë kristiandemokrate ku dallojnë? Nga emrat e pandryshueshme të krytarëve të përjetshëm.

Ç’u bënë partickat që mbijetojnë prej dhjetevjecarësh në këtë vend të vogël?

Ekzistojnë vetëm ca persona, që, për t’u dukur më të rëndësishëm, i bashkangjisin vetes një parti me lloj-lloj emrash. Vangjel Dule është një personalitet aktiv ne politikë, me një elokuencë dhe veprimtari personale dhe mbetet i tillë edhe pa PBDNJ-, nga mbrapa. Ku është kjo Parti, që nuk e shohim gjekundi. Kur edhe vete kryetari e braktisi dhe u strehua ne listen-bunker të  një partie tjetër?

Po Agron Duka, nje biznesmen i suksesshëm dhe një personalitet, që nga socialist, kthehet në republikan, pastaj merr  një parti të gatshme, Agrare Ambjentaliste dhe në fund përfundon në listat e një partie tjetër, Partisë Demokratike? Si ka mundësi ta pranojnë partitë e tyre, që kryetari t’u bëhet anëtar i grupit kuvëndor i një partie të madhe, vetëm e vetëm të sigurojë për vete një karrige deputeti. A nuk quhet braktisje e partisë kjo, tradhti e programit dhe objektivave të saj? Ja, pra, nuk kemi parti fare në këtë rast, po vetëm kryetar…

Po Fatmir Mediu, kryetar jetëgjatë i një partie të hershme, Republikane, që prej kohësh është kthyer në shtojcë të PD-së, duke qenë pjestar i rregullt i grupit të saj kuvendor? Nëse këta e duan të jenë drejtues partie dhe ta përfaqësojnë atë në Kuvend, le të dalin në shesh të burrave dhe të provojnë forcat.

Ç’i duhej Tomes kopertina socialdemokrate? Ai e fiton vetem, krejtësisht vetëm, deputetllëkun, se është i zoti dhe ajo zonë e do, jo per syte e bukur dhe as se i ka marre malli per socialdemokracinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Aqifin, i cili nuk ka nevojë për fushatë elektorale, për të takuar zgjedhësit e për t’u premtuar gjë. Dhe as për t’u shpjeguar programin e Partise. Ai është atje, pranë tyre, në cdo kohë, natën ditën, duke u marrë edhe me spitalet për një të sëmurë,edhe duke ndihmuar për dasmën e një fukarai. Po të pyesësh votuesit e Tomës për programin socialdemokrat ata do nënqeshin dhe do ngrene supet. Me të drejtë. Njihnin vetëm Tomën dhe jo Partinë. Shko pyet ne Peqin, apo Gramsh, Cerrik, Elbasan e Librazhd nëse e njihnin cështjen came dhe rrugën e zgjidhjes së saj. Mos na ngatërroni me këto gjëra, do të të thonë, ne njohim vetëm Qifin. Ai zgjidh hallet tona, ai mund ta zgjidh dhe cështjen came. Natyrisht të njëjtën gjë duhet thënë dhe për Bujarin e DELTE-s, një biznesmen i suksesshëm, punëtor dhe i pafjalë, që nuk fitoi se u premtoi zgjidhjen e cështjes came, po zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetareve të zonës…

Nuk ia vlen te përmendim këtu Nard Nokën anekdotik dhe Partinë e tij, që la në hall të tyre katolikët e Veriut dhe zgjidhi hallin e tij duke gjetur një strehez në listën e demokratëve;  dhe as Kreshnik Spahiun, i cili, pasi iku i fundit nga çadra që do bënte namin, u tregua dinjitoz në një çast, që, i zhgënjyer nga politika, braktisi kuqezinjte e shkrete…

Të gjithë këta burra të vetësugjestionuar nga të qënit kryetarë partiçkash, dëshmojnë në çdo fushatë, se nuk kanë hallin e menderforcave që përfaqësojnë, po vetëm veten e tyre. Para partise së tyre, ata zgjedhin një parti tjetër më të fortë e me të sigurt. Vari hejbet partise sime, kjo tjetra është më e mirë.

Kjo më kujton historinë e atyre dy burrave që u kishin humbur gratë dhe u gjenden njëkohësisht te sporteli i policise.

– Urdhroni, – ju drejtua polici te parit.

– Më ka humbur gruaja, dua të ma gjeni.

– Edhe mua më është zhdukur gruaja, – ngriti zërin i dyti.

– Mirë atëhere, na thoni ca shenja karakteristike për secilën, që t’i kërkojmë…

– Imja është 1 80 e gjatë, – nisi i pari në radhë, – bjonde, me sy të kaltra, me gjoks të madh, me bel të hollë, këmbë të gjata…

– Qartë, – tha polici, – po ti tjetri?

– Vari hejbet asaj times, gjejmë të këtij njëherë, se ia vlen…

Please follow and like us: