Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Për Gjokën, Nduen dhe Mirditën

 

gjika

 

1.

Shikojeni se si qesh një miku im nga Mirdita nën “antenën” e qylafit të labit, gjirokastrit. Vetëm ndrit e shëndrit. Buzëqesh me tërë vetvetishmërinë e buruar nga një gosti miqsh që ka zgjatur… pak a shumë. Dhe sa i shkoka ky qylaf! Thua ka lindur e është rritur nën bekimin e asaj “antenës” atje sipër, mbi qylafin e bardhë. Jo vetëm avullimin e kokës nga pushi i butë i qylafit, edhe ngrohja e gjakut me të ngrëna nga guzhina tradicionale e Jugut i ka pëlqyer mikut nga Mirdita. Mund ta ketë shijuar me tërë shqisat, madje, sipas dëshirës, edhe me duar mund ta ketë ndukur mishin aromatik prej mali, mish të pjekur në hell. Dhe e ka shijuar fort jo vetëm sa për një çast. Gjithë njësinë e asaj kohe të kaluar me ushqim, me biseda, me pije e ka marrë në brendësinë e tij si mirësi, si miqësi, si gëzim të merituar. Por vetëm kaq.  Asgjë më shumë. Mos pritni, dhe nuk ke ç’pret gjë më shumë nga ai mirditori, që për një çast u gjend nën qylaf. Ai do kthehet te miqtë e te tabijatet, te doket e te shtrojat e krahinës së vet.

Mbas këtij takimi nën qylaf e mjedis labi ai edhe më tepër do të kthehet te dentiteti i tij prej mirditori. E kaluara është një pus i thellë. Andej vijnë zëra që na thonë çfarë të bëjmë, çfarë të duam e çfarë të mos duam. Duke mos dashur të hyj në të thella, brenda shakasë me mikun tim Ndue, unë po konstatoj atë që po ndodh me secilin nga ne. Tani në demokarci ku nuk ka më mure e ledhe të jashtme, cilido po thellohet në hullinë e vetvetes, po ndodh një rikthim mbrapa te njësi të ngushta vendore, gjë që nganjëherë e përjetojmë si thërrmim. Po krijojmë “republika” të vogla identitare mu këtu në metropolin e madh të Tiranës. Lidhje, mikromiqësi, shoqata, klube, shoqëriza, tryeza, sofra, rrethe, tarafe, grupe… këto na mbledhin e na bëjnë bashkë. Janë strehëza të mira për t’u mbrojtur nga tëhuajëzimi. Dhe le t’ua hapim krahun e kanatin e derës: mirëse erdhët strehëza krahinore, nën këtë qiell të pluhurosur e me vrima si batanije e përdorur, qiell i metropolit tonë që nuk po bëhet aspak përbashkues. Kështu le t’u themi.

Kjo është një temë që do një trajtim të veçantë. Sa për ta cekur, po them se konservatorizmi tipik mesdhetar i shumë prej qyteteve tona me traditë qytetare të qëndrueshme ka qenë mospranues për të ardhurin me punë a banim në ato qytete. Në Korçë një kolonjar i tillë do të mbetet kolonjar, edhe po të ketë një jetë me punë e banim në atë qytet. Po kështu për tepelenasin në Gjirokastër a për skrapaliun në Berat. Ata nga vendasit do të etiketohen me nofka që i flakin edhe më thellë në vendlindje, nofka si gjysmopingë, skrapo etj. Shkodra i ndjell ata të rrethinave qark saj, aq sa një pukiani a një koplikasi i thonë edhe shkodran prej puke a prej kopliku. Kjo se pukiani e ka për krenari të thotë: “Jam prej Shkodre”. Me Gjirokastrën ndodh ndryshe. Ajo nuk i ka shumë për zemër krahinat qark saj, por edhe ato ia kthejnë kusurin po me të njëjtën monedhë. Një zagorit, libohovit, kardhiqot a lunxhot nuk thotë: jam nga Gjirokastra. Madje dhe banorët e një fshati fare ngjitur me qytetin e Gjirokastrës, lazaratasit, e kanë për krenari të mos e përfillin qytetin. Jemi nga Lazarati të thonë.

Unë e nisa këtë që po shkruaj, si një bisedë me atë burrin, Nduen, mikun tim në atë fotografinë nën qylaf labi. Ai ka ca kohë që po më largohet. Është i zënë, më thonë. Mirditorët duan të bëjnë enciklopedinë e Mirditës. Kjo puna e Enciklopedive është bërë si puna e epidemisë. Nuk di  kush bëri një enciklopedi të Rrëmbecit a të Bubullimës, pastaj një tjetër atë të Mamurrasit dhe eja t’i mbash njerëzit. Të drejtë kanë. Ata të Qafë Krrabës e të Qafë Shtamës të kenë enciklopedi dhe, për shembull, Tepelena ime të mos ketë? Po Mirdita ç’bën, kot e ha bukën që nuk nxjerr enciklopedi?

Fundja, Ndueja me shokët e krahinës së vet le ta bëjë atë enciklopedinë. Po dhe të tjerët mos t’i harrojë. Edhe pa qylaf labi me ta le të takohet. Nuk i kërkohet më tepër. Që ai këmbëngul t’i mbajë gjallë e t’i vaditë rrënjët e veta në Mirditë, kjo është punë për së mbari. Laryshitë tona kulturore sipas krahinave janë pasuria jonë. Në se rrethet si Shkodra a Berati me vështirësi e pranojnë të ardhurin, Tirana i pranon të gjithë. Këtu mund të jesh edhe nga një rreth a krahinë e caktuar, të bësh shoqata, të kridhesh në veçantitë e krahinës tënde, dhe njëherësh të jesh dhe kryeqytetas.

2.

Nuk mund t’i kërkosh një mirditori të bëhet gjirokastrit, as e kundërta një gjirokastriti të bëhet mirditor. Por sot, në vazhdim të shkrimit, dua të rrëfej diçka më tepër. Ka ndonjë lidhje ky miku Ndue, burri me qylaf, me Gjirokastrën? Po, ka edhe shumë. Dihet se ai ka qenë dhendërr i njërës nga degët e familjes Karagjozi, familje shumë e dëgjuar në atë qytet.

Dhe jo vetëm Ndueja, por edhe mirditori tjetër, ai më i njohuri ndër mirditorët si poet, si autor shumë i suksesshëm i teksteve poetike për këngë, pra, dhe Gjok Beci e ka pasur gruan e parë nga qyteti i Gjirokastrës. E ndjera Silva Gjika (Karagjozi), ish-gruaja e Ndues, ka ndërruar jetë vite më parë. Kulla, ish-gruaja e parë e Gjokë Becit, është ende gjallë. Gjoka bëri ushtrinë në Gjirokastër. Ishte çentralist telefonik i garnizonit ushtarak të Gjirokastrës. Kulla, vajzë e re, punonte në çentralin telefonik të postës së qytetit. Telefoni i lidhi. U martuan, bënë dy fëmijë, dy djem që sot janë burra. Gjoka punoi në Postën e qytetit të Gjirokastrës bashkë me Kullën. Po…, mirditori nuk bëhet gjirokastrit. Ai u nda nga Kulla. La dhe dy djemtë. Në Mirditën e tij Gjoka pati një tjetër emër e një tjetër pozitë shoqërore. Falë talentit poetik, ai u bë një nga përfaqësuesit më me emër të krijuesve të Mirëditës, një personalitet i njohur gjerësisht si poet i këngës. Ende na tingëllojnë në vesh shumë tekste poetike të tij. Jo vetëm ato që këndohen nga këngëtaret më të njohura shqiptare, por edhe një nga ato të grupit të Mirditës: “ Ti m’kërkon, unë t’kërkoj… Zanin tand kur dëgjoj/ bora shkrin nga malet…”

Këtu dua që t’i marr lejë gruas sime për të treguar diçka nga bisedat e saj me miken e vet, me Kullën. Ajo ishte (dhe është) nga ato gratë tradicionale, gra me ligjet e vjetra, që e lidhi jetën me dy djemtë që pati me Gjokën, nuk u martua prapë. Djemtë i rriti me dashuri për të atin, Gjokën, të cilin e donte dhe çmonte, edhe pse ishin ndarë. Letrat e bukura të shkruara nga Gjoka kjo grua i ruante dhe i lexonte dhe pas dyzet vjetësh. Ajo kishte bërë një pakt me Gjokën: do të jetonin bashkë, por nuk do të largoheshin nga Gjirokastra. Mirditori nuk e mbajti fjalën. Mirëdita e thërriste. E la Kullën që dhe kjo nga ana e saj këmbëngulte në të vetën: nuk ikte nga vendlindja. Në letrat e Gjokës ka shumë dashuri e shumë lirizëm të ngrohtë. Letra të bukura janë. Asgjë më shumë. Por pesha e jetës, e pengjeve, e pishmanllëqeve, pendimeve, dilemave, e mosplotësimit të dashurisë i bëri këto letra të pandara nga jeta e një gruaje deri në thellësinë e sotme të viteve.

Gjoka pati një fat tjetër me bashkëshortet e mëpasme. U martua edhe dy herë të tjera, por të dyja  gratë vdiqën para tij, e lanë të vetëm në vitet e fundit të jetës. Ajo që e deshi dhe vazhdoi ta dojë edhe më pas, jetoi në fatin e saj. Një jetë të gjatë e të vetmuar. E vetme, por me ca letra dashurie të zverdhura…

Mbase nuk doja ta mbyllja kaq lëndueshëm këtë shkrim. Fundja, është gjë e mirë që mirditorëve nuk ua vë dot qylafin. Ata ikin. Fluturojnë për në Mirditën e tyre. Po, ja që dhe miqësia e dashuria për ta mbeten.

Ndarja ashtu si vdekja jo gjithmonë, mbase kurrë, nuk dëshirohen nga njeriu. Ato vijnë vetë. Si ndërprerje. E copëzojnë jetën, por nuk e ndalin. Kështu edhe ndarja, edhe vdekja bëhen pjesë e jetës që vazhdon. Me këtë dua të them se si mirditori, si gjirokastritja janë pjesë e këtij qerthullimi të fatit.

 

7 mars 2014

 

Image may contain: 2 people, suit

 

Please follow and like us: