Albspirit

Media/News/Publishing

Arshi Pipa: Kujtime për Vinçenc Prenushin

 

Mbrapa burgut të Durrësit, brenda telave asht një ndërtesë përdhese. Shërben njikohësisht si mensë dhe si shkollë, aty policët marrin ushqimm e përditshëm, aty marrin edhe mësimet e partisë. Këtë herë shërben edhe si sallë gjyqi.

Nanduer 1947. Hove-hove të burgosunit janë nxjerrë përpara gjyqit ushtarak. Asht vala e terrorit ma të egër. Intelektualë, teknikë, klerikë, por edhe zejtarë, fshatarë, të gjithë ata qi mendohet se janë kundërshtarë, veprues ose jo, të partisë, janë fshi dhe rrasë nëpër burgje. Gjykimi asht sa për sy e faqe; proceset kurdisen ma parë nga Ministria e Mbrendshme, gjyqi vetëm i ven në skenë. I burgosuni merret një ditë nga Dega e Sigurimit dhe futet mbrenda në nji dhomë. Sheh para vetes, ulun në tryezë, tre oficera madhorë, nji tjetër pak mënjanë brylas, nji nënoficer me nji makinë shkrimi. Njeni prej tyne lexon nji fletë, zakonisht fillimin ose fundin e saj:
vazhdojnë pyetjet, shoqnue me kërcënime dhe shamje. Kjo vazhdon dhetë deri njizet minuta, simbas rasës. Mandej i burgosuni nxirret jashtë dhe nji tjetër futet në dhomë. Njeriu pandeh se gjindet në nji seancë hetuesie. Mbasi e sjellin në burg, merr vesht se ka qenë para gjyqit ushtarak.

Për disa ditë me radhë gjyqi ushtarak i Garnizonit të Tiranës, i kryesuem prej Major Gjin Banushit, ka gjykue ksisoj, me dyer të mbylluna. Tash asht vendimi.

Në sallën e vogël qëndrojnë mbi banka rreth gjashtëdhjetë të burgosun. E shumta nuk e njofin njëri-tjetrin. Fytyra të nxime, të hjekuna, qi kqyren ndërmjet tyne frikshëm, pabe-sueshëm.

Hyn trupi gjykues. Prokurori, Kap. I. Petrit Hakani, nis pretencën. Ban nji përmbledhje të shkurtën, të ngutshme, mandej nxjerr nga çanta një tufë letrash dhe ndanë andej listën e grupit të parë.

Përpara meje asht nji burrë me flokë të bardhë, i mbledhun kruspull, i veshun me nji mantel të zi të dalun boje. Nuk ka lëvizë gjithë kohën. Lëviz tash në thirrje të nji emni: Vinçens Prennushi!

Ngrihet ngadalë, mundshëm, dhe ulet mandej pa thanë nji Qalë. Prokurori lexon pretencën e të pandehunit. Akuzat janë krejt gjenerike, pa asnji fakt konkret, ato tashma të stereoty-puemet : “anmik i popullit”, “bashkëpunëtor i okupatorit”, “fashist”. Theksohet fakte se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rasë shtohen frazat: “klerit reaksionar”, “agjent i Vatikanit”. Në fund kërkimi i dënimit: njizet vjet.

Njizet vjet në ato rrethana, dhe për nji personalitet si Vinçenc Prennushi, nuk asht fort keq, kur të mendohet se fill mbrapa prokurori kërkon dënimin me vdekje për famullitarin e tij, Dom Anton Zogajn.

Në fjalën e fundit Imzot Prennushi thotë me za të ramë:
“Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë.
Vendimi i gjyqit asht: njizet vjet privim lirije me punë të detyrueshme!.

Me Imzot Prennushin u njofta fill mbas gjykimit. Na qëlloi me ndenjë së bashku, në nji dhomë të vogël të burgut, ku vunë edhe Myftiun e Durrësit, Mustafa Varoshin, Prof. Prenk Kaçinarin dhe nji profesor tjetër. Disa ditë mbrapa Myftiu, i cili nga torturat e tmerrshme gjatë hetuesisë ishte ba nji kufomë e gjallë, vdiq në spital të Durrësit. Prof. Prenk Kaçinari, qi vuante nga tuberkulozi, u lirue nga burgu më 1949.I merzitun nga persekutimi i vazhdueshëm ai vrau vedin më 1956.

Pak ditë ma vonë u shbartëm andej në nji dhomë tjetër. Më kujtohet mirë kjo dhomë, e veçueme prej të tjerave, me nji skaj të oborrit; kishte qenë motit xhebehane (depo armësh) dhe kishte mure të trasha, me tavanin në trajtë kubeje, me vetëm nji dritare të vogël. Te kjo dhomë, e njoftun me emnin “Dhoma nr. 8”, vendoseshin zakonisht “ma të rrezikshmit”. Ishim ngushtë, rreth tridhjetë vetë në nji hapsinë ma pak se tridhjetë metrakatrore. Megjithkëtë të burgosunit u ngushtuen edhe ma për me i ba Imzotit nji vend ma të gjanë, tue e vu në krye të dhomës. Mue më qëlloi me qenë pranë tij.
Nuk vonoi shumë dhe u miqësuem. Kuvendojshim mbi gjana politike, tue komentue gjendjen me za të ulët, qi fjalët mos të ndigjoheshin prej të tjerëve. Torturat komuniste na kishin ba me qenë të matun. Por politika Imzotit nuk i pëlqente dhe ma shpesh kuvendojshim mbi gjana të tjera, mbi letërsi, mbi gjana të së kaluemes, mbi përvoja vetiake të ndryshme. Me të tjerët Imzoti ishte shumë i ndalun dhe çelte gojën për me dhanë ndonji këshillë, edhe atëherë kur ishte i pyetun, ose për me ngushëllue me fjalë të buta zemrat e vuejtuna të njerëzve. Fort rrallë tregonte ndonji ndodhi të jetës së vet, ndonji anekdotë ose nji fakt historik, dhe gadi gjithmonë me qëllim edukativ. Atëherë gjithë dhoma e vështronte në nji heshtje njimend fetare. Flitte thjeshtë, në mënyrë qi me e kuptue edhe fshatarët. Ndante me ma të vorfënt atë pak gjellë qi nji plakë e përshpirtshme i binte kur kishte.

Rrinte, ndonjiherë me orë, në vendin e vet pa folë, me kqyrjen e tretun përtej dritares. Mbas gjasë atëherë lutej. Ishte i butë me shpirt të paqëm, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue, me nji urtësi te bindshme, dashunin e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë. Buzëqeshun në të folun, zemërgjanë ndër gjykime, i qetë e i sigurtë në besimin e vet të patrandshëm, por jo i mbyllun ndaj shekullit, madje fort i kuptueshëm për nevojat dhe të metat e njerëzve. Imzot Prennushi të bante shpejt për vete.

Mbasi qemë afrue mjaft, un i lypa leje ta thirrsha Pater Vinçenc: titulli i françeskanit të dikurshëm më tingëllonte ma për zemër në ato kushte të trishtueshme ku dallimet mes njerëzve nuk mund të ishin veçse të rendit moral.

Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prennushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e atdhetarizmit shqiptar, i jep fytyrës së t nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.

IMZOTI I SMUNDE

Me imzot Prennushin ndenjën deri nga vera e vjetit 1948, kur un u dërgova, bashkë me shokë ne kampin e punës së Vloçishtit. Kur u ktheva andej, nga fundi i nandorit, gjeta Imzotin të smundë. Vuente prej zemre dhe rrallë lente dhomën për me dalë në oborr. Gjendja e tij erdh tue u keqësue me të shpejtë. E dërguen në spital. Pak ma vonë shkova edhe unë në spital.
Spitali i burgut ndodhej në atë kohë në nji ndërtesë
përdhese, nji aneks i Spitalit të Durrësit, e cila binte mbi një rrugë të ngushtë, jo shumë larg bulevardit “Dalip Tabaku”, të ndërtuem prej të burgosurve. Dhoma ishte e vogël, e ulët, e vjetër, me dy dritare, të cilat kqyrshin kah deti. Kishte qenë ma parë dhomë zjarrmi, mbasi kishte votër.
Mjekët i kishin gjetë Imzotit nji “asmë zemrës” sëmundje e randë, sidomos për moshën e tij. Astma e ngushtonte ma fort natën. I vinte me hove qi shkojshin tue u përshpejtue deri në gulshim të randë, sa me e lanë pa frymë.Kur i kalonte, mbas disa orësh, binte si i vdekun e për nji kohë të gjatë nuk mundte me folë. Mjeku i pavionit, Dr. Propopulli, nji njeri me zemër ari, të cilit, i dhimbseshin të burgosunit dhe të cilëve u shërbente me shpirt, bani gjithçka për Imzotin. E vizitonte disa herë ditën, jashtë zakonit dhe shpesh i binte barna nga të vetat, mbasi spitali nuk kishte.
Kjo ka qenë në fruer 1948. Flitej atëherë me ngulm se, mbas prishjes me Jugosllavinë, qeveria po përgatite nji amnisti të madhe, nga e cila do të përfitojshin të gjithë të burgosunit e pafajshëm. Në gjendje në të cilën ndodhej Imzoti, shpresa për me dalë nga burgu, me i kalue ditët e mbrame të jetës në shtëpi, nën kujdesin e ndonji njeriu të dashun, ishte një mënyrë me e mbajtë gjallë, dhe un përpiqesha sa ma shumë me ia këndellë atë shpresë. Nuk mendojsha aspak se komunistat do ta lirojshin për hir të së drejtës, por më rrente uzdaja se ndofta logjika e vijës së re politike mund të përparonte sa me shtrëngue qeveritarët qi bajshin çka nuk dëshirojshtn. Ndër ato ditë kemi ba me Imzotin shumë kuvendime mbi gjendjen politike, nëpër të cilat un shkojshe tue ia ushqye shpresën e lirimit.

NJI SKENE E MALLENGJYESHME

Më kujtohet një skenë e mallëngjyeshme. Nji ditë prunë ndër ne për pak kohë Dom Jul Bonatin, famullitarin e Vlonës. E bijshin nga burgu i Vlonës për ta strehue në azilin e të çmendunve të Durrësit.

Dom Jul Bonatin e kisha njoftë qysh kur isha qenë student në Firence, ai përpiqej aso kohe me shtypë përkthimin e vet italisht të “Lahutës së Malcis”. Nisem kuvend. I kallzova se njeriu që po gulshonte në shtrat ishte Imzot Prennushi. Atëherë Dom Bonati, i cili memzi mbahej në kambë nga sëmundja dhe pleqnia e shtyme, u ngrejt dhe gati tue u zvarritë iu qas Imzotit:
bani me i puthë dorën, por Imzoti, sadoqi në ankthin e gulshimit, nuk e la dhe tërhoqi dorën. Atëherë Dom Bonati i kërkoi bekimin dhe Imzoti, me nji përpjekje të fundme i vuni dorën mbi krye. Mandej u plandos mbi shtrojë.
Nuk vdiq atëherë, por disa ditë ma vonë. Ndër ato ditë hoqi ma shumë se kurrë.Tmerri ishte nata. Der në mesnatë kishte dritë elektrike, deri atëherë vuajtja ishte ma e durueshme. Por, t’u fikmën drita, në errsinën qi mbytte dhomën, vuejtja e tij rritej acarohej. Ishte a- thuese mungesa e dritës, i mungonte frymën. Gulshimi bahej atëherë i mënershëm, si rënkim i një të plagosuni, i cili, në vend qi të shkonte teu ra, vinte tue ushtue, der në ulurimë. I bahej, siç më rrëfente, a- thue- se çapoj të hekurt ja mbërthejshin krahnorin tue ja shtrydhë zemrën gjithnji ma keq, tue ia shkye. Në atë kohë njeriu nuk mund të flente ma në dhomë. Ngriheshim me radhë dhe i fërkojshim kambët-kështu i dukej se diçka lehtësohej. Mbajshim të pafikun zjarmin në votër: kandil nuk kishim dhe drita e flakës ndihmonte shumë me ia fashitë vuejtjen. Prandej qysh në mbramje kujdeseshim me grumbullue në votër mjaft dru. Ishte dimën, dhoma ngrohej me anë të votrës, prandaj ishte parashikue nji sasi druni për zjarm. Por kjo sasi nuk mjaftonte për me mbajtë zjarmin gjithë natën dhe na duhej, me mënyra të ndryshme, me bindë rojet qi të urdhënojshin shërbyesit e spitalit për me na pru sa ma shumë dru.

KERKOI DRITE

Po ndodhte shpesh qi nuk mund të kishim dru sa duhej. Dhe kur fikeshm xhixhat e fundme dhe errësina peshonte në dhomë, ngriheshim prej shtratit, herë njeni herë tjetri, dhe i rrijshim të smundit të kryet, tue i folë (të folunit ja davarite
disi travajin), tue i dhanë zemër, tue e gënjye se do të bijshin dru të tjera ose se nata ishte në të sosun …

Nji natë të këtillë me tha copa- copa:

“Tash po kujtoj fjalët e Goethes “Mehr Licht” (dua dritë).

Ajo dritë së cilës i kishte thirrë në pikë të mortjes Poeti nuk ishte, sigurisht, drita qi shohin sytë tanë shqisorë. Dhë këtë Imzoti e dinte mirë. Por cili njeri nuk pau në dritën e ambël të qiellit simbolin e jetës? “Me të ba syte dritë mbi dhe”, thotë populli ynë, me nji shprehje egërsisht poetike, për me cilësue jetën. Dhe kur mendja e njeriut u rrek me gjetë nji urë kalimi mes landores dhe palandores u ndal, si nji herë përherë, por te drita. Prej neoplatomzmit, tërthuhet Augustinit, të shkolla françeskane e Oxfordit përfytyrimi i dritës ndriçoi konceptin e filosofisë tue ndërmjetsue mes poezisë dhe mystikës. Dhe Foscolo pat thanë afër ditëve tona:
“Perche gli occhi dell’uomo cercono morendo il Sole…” Imzot Prennushi u nda këso jete nji natë të frorit 1948. Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhun, e të shterrun, qi aq shumë kishin rektue për dritë, m’u duk se pashë në fytyrën e tij të hajthët, të shkrime, të paqueme mbas aq mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mue më bajshin sytë e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti qi në grahmat e dhimbës fizike topitet, tkurret, terrtiset, si kullohet prej saj, kur dhimba të prajë, si ujt prej lymit që e pat trazue. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit.
Por asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale.

Please follow and like us: