Albspirit

Media/News/Publishing

Ernest Koliqi: Përkufizimi i patriotizmit

 

Fjala “patriotizëm” asht mënyrë kumbore qi përdoret retorikisht në vend të fjalës, “atdhedashuni”. Nga ky zevendsim rrjedh nji ndërlikim ase nakatosje edhe në kuptim. Nji ndiesi e thjeshtë, e natyrshme si atdhedashunija shëndrrohet në nji virtyt të rrallë, të pikatshëm, frymzues veprash të veçanta. Ndoshta kjo ndiesi, d.m. th. atdhedashunija e naltueme në shkallë heroike dh’e quejtun patriotizem, para pamvarsis shqiptare, ishte vërtetë pajë e të pakvet dhe kërkonte vetëmohim e shpirt herorizimi sepse atëherë veprimtaria për liri t’atdheut shkaktonte salvime.

Shumica, asokohe e plandosun në terr të padijes e në verbim fanatizmash fetare e krahinore, ata qi flijoheshin për të përtrim të nji Shqipnije së pamvarun nuk i kuptonte, i përbuzte, nganjiherë edhe i mëniente, ma shpesh i njehte rrugacë mendjekrisun e djerraditë. Prandej patrotat ishin të përndjekun, të burgosun e të vram.

Por sot atdhedashunija asht detyrë e çdo Shqiptarit qi nuk i bjen mohit prejardhjes së vet. Mjerisht shofim se, ndër mërgimtarë, shumkush s’e kupton në thelb fjalën atdhedashuni. Disa mendojnë se atdhedashunija dishmohet me punë trimnije, me kapadaillek, shkurt tue qitë pushkë e tue përdorë thikën, tue vra e therë njerëz. Gabohen. Shqipnija dashunohet tue i a ruejtë nderin, sidomos në vend të huej. Heroizmi çmohet e përlavdohet kur lulzon me vend e me kohë. Guximi kriminal i gangsterave nuk hyn në radhën e veprave heroike. Sidoqoftë, rasat për të veprue si herë janë të rralla dhe më të shumtën e herës kanë të bajnë me energji morale dhe trimni civile më tepër se me përdorim t’armës. Atdhedashunija e vërtetë qindron ne në ushtrim të përditshëm të vetive me të zgjedhuna njerzore e kombtare, sidomos në mërgim. Je atdhetar? Mos i a nxij fytyrën Shqipnis.

Nderi i atdheut ruhet me sjellje t’urta, dhe të përditëshme. Çdo marrëdhënje me të huej sherben me i a forcue e shtue namin e mirë Shqipnis. Ase, anasjelltas, m’e koritë emnin shqiptar. I hueji mbi Shqipni din pak ase aspak. Po dijti pak, zakonisht i shikon Shqiptarët si njerëz primitive, d.m.th. barbarë. Kanë ba propagandë të madhe anmiqt e kombit mbi të pandehunat veti prapanike të kombit t’onë  Njani sijsh lajmoi botën se Shqiptarët kanë bisht në fund të shpinës. Lypet urti e madhe nga ana e jonë, përjashta, për të përgënjeshtrue pohimet antishqiptare t’atyne qi dojshin me shtri sundimin mbi tokë t’ona, tue na përshkrue si njerëz të paaftë me u vetqeverisë. Çdo vepër e pagjashme vërteton akuzat kundërshtare. Siellesh me urti e me nderë në vendin ku punon, paraqitesh njerzisht ndër të huej me të cilët ke marrëdhanje, me autoritete të shtetit qi të dha strehim? Ke krye nji vepër patriotike më të madhe se me qitë pushkë për çështje shpesh të keqkuptueme nderi a prestizhi. Të rregullohemi në mënyrë qi, kudo në botë na hodhi murrani i fatkeqsive kombtare ase vetiake, tue shqyrtue të prumit t’onë I hueji të mendojë e të thotë: ” Burra të mirë këta Shqiptarët. I a marrët të keqen kush flet keq për ta “.

 

Please follow and like us: