Albspirit

Media/News/Publishing

Armand BORA: Shoqëria shqiptare midis lajmit të keq dhe lajmit të mirë, besimit dhe dyshimit

Nuk ka më dyshim, për askënd, se faqet kryesore të gazetave dhe edicioneve të lajmeve janë të mbushura me lajmin e keq dhe lajmin e gënjeshtërt. Lajmet për vrasje, dhunime, abuzime, zjarrje, përmbytje, tërmete e shumë e shumë të tjera që mund t’i kujtohen kujtdo, janë ato me të cilat nis ditën e tij çdo shqiptar.

Duhet thënë se nuk është vetëm media shqiptare ajo që dallon për një veçori të tillë. Kapja e titujve kryesorë prej lajmit të keq është një fenomen që e gjen në të gjitha mediat ndërkombëtare. Kaq i pranishëm është sot lajmi i keq në media sa me të drejtë shkrimtari i njohur çek, Milan Kundera shkruan se “të dëgjosh, sot, lajme është sikur të pish një cigare dhe ta shtypësh fort fundin e saj pas tavllës së duhanit”.

Por jo të gjithë marrin këtë shije të hidhur pas dëgjimit të lajmeve të tilla. Po të pyesësh drejtuesit e mediave, disa prej tyre, të thonë se është lexuesi ai që i kërkon dhe ka interes për lajme të tilla. Madje ka studiues dhe teoricienë të tjerë që mendojnë se një lajmi i mirë apo një histori pozitive nuk përbën lajm. Njëri nga këta që mendon kështu është edhe shkrimtari, prodhuesi i filmave dhe  personaliteti i fushës së mediave, Phil Donahue, i cili thotë se “për një gazetar, lajmi i mirë shpesh nuk përbën lajm.”

Studime të shumta të natyrës së eksperimenteve sociale janë bërë dhe përfundimet tregojnë vërtet për prirje dhe interes të lexuesit ndaj lajmit të keq dhe të gënjeshtërt.  Në këtë situatë interesi i atyre që merren me zhvillimet e medias është i përqëndruar te zbulimi i arsyes se pse publiku ndjek më shumë lajme dhe informacione mbi ngjarje dhe fenomene negative.

Në kohë të ndryshme apo edhe nga shoqëri me problematika të ndryshme, kanë ardhur edhe përgjigje krejtësisht ndryshe mbi këtë pyetje.

Jill McCluskey, një profesor i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit shkruan se “njerëzit gjithmonë do të duan lajme të këqija, sepse nuk duan që situata të tilla t’u ndodhin edhe atyre”. Aktori merikan Tracy Morgan thotë për lajmin e keq se ai lëviz me shpejtësinë e dritës. Shpjegimet për tërheqjen e publikut ndaj lajmit të keq i gjen të jenë të karakterit social, psikologjik, genetik deri edhe estetik.  Edhe pse pjesërisht këto argumenta mund të gjejnë vend edhe në realitetin shqiptar, kam mendimin se interesi që tregon shoqëria shqiptare ndaj lajmit sesancional negativ vjen prej një tjetër motivi. Në thelb të tij qëndron besimi; humbja e besimit ndaj një xhesti dhe veprimi pozitiv.

Shoqëria shqiptare beson më lehtësisht në mundësinë e rrezikut nga e keqja se sa mbi mundësinë e realizimit të një mirësie kolektive. Në çdo qelizë të veprimtarisë njerëzore do të gjesh dyshimin dhe mungesën e besimit. Dyshon për frutat dhe perimet që i ble nga dikush që nuk e njeh. Dyshon për bukën, për qumështin, për mishin. Dyshon te mekaniku për shërbimin që i bën makinës, lavatriçes, frigoriferit. Dyshon te eprori. Dyshon te vartësi. Dyshon te politika. Dyshon te historia. Dyshon te shoqëria.

Pjesë e përpjekjeve për ta shkatërruar familjen është futja e dyshimit në familje te fëmijët, te prindi, te bashkëshorti. Fatkeqësisht një lajm i tillë është i keq dhe si rrjedhojë i plotëson kushtet për të qenë  i besueshëm. Shoqëria shqiptare po bëhet nga dita në ditë një shoqëri që nuk beson më te mundësia për të ndyshuar përmes të mirës, por nga dita në ditë po ambientohet e nënshtruar ndaj së keqes. Një shoqëri e ngritur mbi mosbesimin është e destinuar të mos rritet dhe zhvillohet normalisht. Shëndetësia dështon sepse pacientët nuk kanë besim. Arsimi dështon sepse nuk të ngjall besim. Biznesi dështon sepse nuk ofron besim. Politika dështon sepse nuk ndez besim. Shoqëria civile dështon sepse asnjë kauzë nuk mbin dhe rritet në tokën e dyshimit. Koha e heronjve që fitojnë mbi të keqen ka shkuar moti dhe ata që veshin petkat e heronjve duken si sharlatanë.

Një shoqëri dinjitoze i kërkon apo edhe i prodhon vetë mekanizmat e shpëtimit. Njëri prej tyre është sjellja në media e lajmit të mirë dhe optimist si në rastin e gazetës “New York Times” me kolonën e saj javore “Fixes” e cila promovon zgjidhje për probleme sociale, apo seksioni i lajmeve të mira në gjigandin ABC, apo Washington Post me buletinin “Optimist”. Mekanizmat dhe rrugët janë të shumtë dhe të ndryshëm, por të gjithë fillojnë nga ndërtimi i besimit ndaj njëri-tjetrit. Është koha për të ndërtuar dhe jo sharrë e mallkuar. Është koha që midis lajmit të mirë dhe lajmit të keq të zgjedhim lajmin e mirë. Është koha që mes besimit dhe dyshimit të zgjedhim besimin.

Please follow and like us: