Albspirit

Media/News/Publishing

Aurel PLASARI: A janë atdheu gurët dhe drurët?

Ja se përse m’u kujtua Goethe-ja

Diskutohet në rrjete sociale – dhe mirë shumë – në janë a s’janë “atdhedashës” ata që largohen nga atdheu ose që “ndërrojnë pasaportë”. Varfëria, papunësia, pasiguria etj. llogariten si shkaqe në ngjarjet e ditës. Janë fakte reale. Por ikja nga “atdherat” përbën dukuri shumë më komplekse, pra jo të lehtë për t’u shpjeguar, dhe që fshik kufijtë e metafizikës.

Ja i madhi Goethe: aq ishte i lidhur organikisht me Gjermaninë, sa kur përmendet Goethe-ja nuk mund mos të të vijë ndër mend Gjermania. Mirëpo kishte qëlluar edhe gjeni universal. Te “Udhëtim n’Itali”, për shembull, mund të gjendet një nga shpjegimet më kërshërore të “ikjes” në fjalë. Atdheu, simbas Goethe-s, nuk janë gurët e drurët apo tymi i oxhakëve, atdheu është diç tjetër shumë më e qenësishme. Atdheu im, pohonte ai, është Roma, kurse vendlindja ime është mërgimi. Aty atij i dukej mirë, me kuptimin e plotë të termit “mirë”. I dukej vetja sikur aty kishte lindur dhe aty qe rritur. Madje ikjen nga Gjermania e dini si e përshkruan? Si kthimin nga ndonjë ekspeditë në Groenlandë a nga gjuetia e balenës.

Ia vlen të rilexohet – i rekomanduar – libri i tij “Wilhelm Meister”, pa u sugjestionuar nga “Fausti” emërmadh. “Wilhelm Meister-i” është një histori aventurash të një trupe teatrore. Libër jo fort i denjë për një gjeni si Goethe-ja, u quajt në kohën e tij. Një libër dashurish dhe ikjesh. Sot ndër veprat e Goethe-s është libri që lexohet e rilexohet më shumë nga rinia gjermane, ndërkohë që i stërpërmenduri “Faust” rezulton i lexuar pak. Nëse ju thotë dokushdo që e ka lexuar “Faustin”, vëreni në provë: vështirë ta ketë lexuar përnjëmend. Prej “Wilhelm Meister-it” kujtohet strofa e famshme e Minjonit, që këndohet me muzikën e Schubert-it, pikërisht në përfytyrim të Italisë:

“E njeh ti vendin ku lulëzojnë limonët, / ku mes gjethnajës s’errët vetëtijnë portokajtë?”.

“Kennst Du das Land wo die Zitronen blühn, / Im dunklen Laub die Goldorangen glühn?”.

Afërmendsh që Italia e Goethe-s si atdhe nuk kishte të bënte thjesht me limonët a portokajtë, as me ndonjë luks a ndonjë “comfort” të përkryer që ai gjente aty. Jo. Tregon diku se si, mbasi ka ngrënë mirë e mirë në një bujtinë, e pyet bujtinarin se ku mund t’i zbrazë nevojat. Bujtinari, gjithë dashamirësi, i tregon oborrin përreth. Ku? pyet Goethe-ja si gjermani që do saktësi. Ku të dëshirojë zotëria juaj, ia kthen bujtinari. Dhe Goethe-ja? Mahnitet.

Please follow and like us: