Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Ja si ishte i organizuar Sigurimi i Shtetit dhe çfarë ndodhte në kampet e përqendrimit, pushteti që kishin Enver Hoxha me Mehmet Shehun

Shërbimi Inteligjent Amerikan ka bërë një pasqyrë të asaj se çfarë ndodhte me Shqipërinë komuniste më 1951-1952. Përmes disa raporteve të deklasifikura së fundmi, tregohet se si ishte i organizuar Sigurimi i Shtetit dhe roli që kishte ai në ndalimin e personave që dilnin kundër regjimit. Po ashtu tregohet dhe për kampet e përqendrimit dhe shpërndarjen e tyre. Në dokument përmenden Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, ku tregohen lidhjet e forta të tyre me Moskën.

Situata e brendshme dhe strategjike e Shqipërisë

Shtator 1951

Informacionet në lidhje me situatën në Shqipëri pas shpërthimit në legatën sovjetike në shkurt 1951, janë të dobëta, por besohet se kontrolli politik i policisë dhe forcave të armatosura, i cili ishte i fortë edhe para incidentit, tashmë është bërë edhe më i sertë. Ky kontroll ushtrohet nga kryeministri dhe gjenerali i forcave të armatosura Enver Hoxha, nga ministri i Brendshëm, dhe ish-komandant i ushtrisë gjeneral Mehmet Shehu. Këta dy zyrtarë kontrollojnë policinë dhe ushtrinë e vendit, por dhe vetë janë objekt i urdhrave të Misionit Sovjetik në Shqipëri. Për të siguruar kontroll të plotë politik, një nga dy zëvendës/ministrat e mbrojtjes është sovjetik dhe mban gjithashtu titullin e drejtorit politik të forcave të armatosura. Ky oficer drejton aktivitetin e këshilltarëve politikë (agjentëve) të atashuar në çdo njësi ushtarake shqiptare dhe të forcave të policisë së Shqipërisë. Megjithë përfshirjen e tyre me njëra-tjetrën, Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik nuk kanë mes tyre traktate zyrtare mbrojtjeje reciproke, siç ekzistojnë mes BRSS dhe shumë vendeve satelite komuniste dhe nuk ka as pakte të nënshkruara mbrojtjeje mes Shqipërisë dhe ndonjë vendi tjetër satelit, përveç një akordi asistence reciproke me Bullgarinë të nënshkruar më 16 dhjetor 1947.

Kujdesi i rusëve

Raportime të fundit tregojnë se përfaqësuesit sovjetikë në Shqipëri bëjnë kujdes që të mos bëjnë deklarata zyrtare për mbrojtjen e Shqipërisë në rast nevoje. Ky kurs vazhdon të ruhet megjithë përpjekjet e dukshme të bëra nga zyrtarët shqiptarë për të nxitur zotime formale prej tyre. Gjithsesi, nuk kemi as sinjalizime se BRSS do të braktiste Shqipërinë në rast lufte. Shqipëria ka marrëveshje tregtare me shumicën e vendeve satelite dhe akorde kulturore me disa prej tyre. Regjimi stalinist i Enver Hoxhës gëzon mbështetjen e sinqertë të rreth 30 000 anëtarëve të Partisë së Punës, por shumica e popullsisë së vendit e kundërshton. Regjimi ruan kapjen e tij të fortë ndaj vendit me anë të kontrollit ndaj ushqimeve të pakta dhe me anë të terrorit të policisë. Megjithatë, ka grupe të vogla rezistence me organizim të dobët, kryesisht në veri. Grupet besohet se kanë natyrë të pavarur dhe janë relativisht inaktive. Në lokalitete e tyre ato përfshihen në akte të vogla sabotazhi, në formë proteste. Por kjo lloj rezistence ndaj qeverisë qendrore ka ekzistuar gjithmonë në Shqipëri dhe besojmë se do të vazhdonte edhe nëse sikur regjimi i Hoxhës do të përmbysej. Mes grupeve individuale të rezistencës nuk ka ndonjë bashkëpunim aq sa për t’u marrë në konsideratë. Shqiptarët janë një popull trial dhe primitiv, me një histori të vjetër gjakmarrjeje mes fiseve. Prandaj sado që të ketë detaje rezistence ndaj regjimit brenda një grupi fisnor, rivalitetet e vjetra e bëjnë të vështirë bashkëpunimin.

Grupet kundër regjimit

Shumica e tentativave të grupeve të emigracionit për krijimin e lidhjeve me grupet e brendshme të rezistencës kanë dështuar dhe aktualisht nuk është krijuar asnjë lidhje mes. Grupi më i njohur i shqiptarëve të emigracionit është Komiteti i Shqipërisë së Lirë me bazë në Romë, i cili merr të paktën një pjesë të fondeve për operacionet nga qeveria italiane. Ky është grupi disi më i organizuar dhe më intelektual, por efektiviteti i tij cungohet nga lidershipi i dobët, mungesa e politikave të sakta dhe mungesa e lidhjeve me elementët e rezistencës në Shqipëri. Jugosllavët kohët e fundit kanë sponsorizuar krijimin e një grupe të tyrin të refugjatëve shqiptarë por për momentin ai nuk po inkurajohet të ndërhyjë në mënyrë aktive kundër regjimit në Shqipëri. Greqia nga ana e saj nuk inkurajon krijimin e lëvizjeve të emigracionit për momentin. Italia, Jugosllavia dhe Greqia kanë minimizuar ndihmën e tyre për këto grupe të diasporës pas arsye të numrit të madh të këtyre grupeve dhe mosmarrëveshjeve midis tyre. Ata konsiderohet si investime të dobëta pasi nëse nuk bashkohen në front të vetëm nuk do të përbëjnë rrezik serioz për regjimin por vetëm do të shkaktojnë trazira të buta. Gjithashtu asnjë nga këto vende nuk provon të kërcënojë regjimin Hoxha prej frikës së krijimit të pretekstit të një agresioni nga BRSS, ose për të justifikuar shtimin e fortifikimeve ruse në Shqipëri. Për një mbrojtje efektive të Evropës dhe Mesdheut juglindor, gjatë kohës që regjimi i Hoxhës është në fuqi, për ne është i leverdisshëm bashkëpunimi i plotë mes Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë. Planet ushtarake duhet të integrohen për këtë front të përbashkët, bazuar në avantazhet reciproke. Për arritjen e këtyre objektivave duhet të arrihet fillimisht një riafrim ideologjik mes vendeve dhe më pas masat e përbashkëta të mbrojtjes. Aktualisht nuk po merren hapa për koordinimin e planeve mbrojtëse të Italisë, Jugosllavisë e Greqisë. Gjendja aktuale e lidhjeve mes Italisë e Jugosllavisë nuk është pozitive prej problemit territorial të Triestes, ndërsa sa i përket lidhjeve mes Jugosllavisë e Greqisë, ato kanë sinjalizuar se mund të jenë të gatshme të këmbejnë informacione të rëndësishme sigurie, nëse plotësohet disa kushte nga secila palë. Deri tani për këtë nuk është arritur gjë.

Greqia dhe Italia

Nëse Shqipëria është në duar armike kjo do të nevojite zhvendosje të materialeve dhe trupave kufitare jugosllave e greke në zonat pranë Shqipërisë, duke bërë që të neglizhoheshin zona të tjera. Ndërsa sa i përket Italisë, e cila nuk ka kufi tokësor me Shqipërinë, kemi ndryshime të planeve detare. Një riformulim i tillë planesh mbrojtjeje nga Greqia, Jugosllavia e Italia duhet të marrë në konsideratë faktin se BRSS ka në Shqipëri një bazë të rëndësishme detare nga e cila mund të nisen sulme agresive anijesh ose nëndetësesh kundër të treja vendeve dhe zonës së Mesdheut në përgjithësi. Shqipëria mund të shërbejë gjithashtu si një bazë ajrore për Bashkimin Sovjetik për operacione të kufizuara. Qëllimi kryesor i tre vendeve fqinje aktualisht është reduktimi i dominimit sovjetik në Shqipëri dhe rrjedhimisht reduktimi i rrezikut komunist për veten e tyre. Por që planet e tyre aktuale ushtarake në lidhje me Shqipërinë nuk kanë koordinim, kryesisht prej pretendimeve dhe interesave vetjake. Edhe vetë rrëzimi i regjimit të Hoxhës mund të komplikonte më shumë situatën rajonale, prandaj ato po mbajnë qëndrime të heshtura dhe çështja e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet në sfond për momentin. Me një rritje të mundshme të përfshirjes së Perëndimit dhe veçanërisht Italisë, çështja mund të zgjidhet brenda strukturës perëndimore. Nëse qeveria e Hoxhës do të zëvendësohej nga në regjim pro-perëndimor, Greqia e Jugosllavia do të reduktonin fokusin në mbrojtjen kufitare me të, ndërsa Italia do të rimendonte vendosjen e forcave detare. Problemet logjistike të të treja vendeve do të thjeshtëzoheshin me largimin e kërcënimit sovjetik. Një regjim i ri në Shqipëri do të kishte patjetër nevojë për ndihmë të jashtme, veçanërisht me armët dhe pajisjet që po vijnë nga Bashkimi Sovjetik. Sikur një nga fqinjët e saj të fitonte një pozitë superiore në Shqipëri, kjo me siguri që do të dëmtonte marrëdhënien dhe bashkëpunimin mes Greqisë, Italisë e Jugosllavisë. Ndryshimi i mundshëm i regjimit do të sillte ndryshime në strategjinë e përbashkët të mbrojtjes së Mesdheut dhe Evropës jugperëndimore, por gjithsesi do të lehtësonte punën strategjike në krahasim me gjendjen aktuale. Dhe në fakt e vetmja vlerë për Bashkimin Sovjetik është fakti se dominimi i tij në Shqipëri komplikon planet perëndimore të mbrojtjes së përbashkët. Edhe për Perëndimin, Shqipëria nuk do të kishte vlerë të madhe strategjike sa i përket porteve apo fushave ajrore.

Siguria dhe kontrollet në Shqipëri qershor 1952

Policia dhe agjentët e sigurmit

Në Lezhës ka rreth 30 policë dhe agjentë të Sigurimit, që drejtohen nga Qamil Daçi nga Shkodra. Roja civile e Lezhës ka rreth 14 burra. Në zonën e Lezhës ka stacione policie në zonat e Dajç, Kallmet, Shëngjin e Krioneri. Çdo organizatë bazë ka agjentë të sigurimit që formojnë policinë sekrete të partisë. Këta agjentë infiltrohen në organizata e ndryshme të punëtorëve, me detyra si ruajtja e mbikëqyrjes së anëtarëve të kolektivit apo anëtarëve të Partisë së Punës. Ata mbikëqyrin gjithashtu organizatat dhe vetë forcat e sigurisë së regjimit për elemente diversive. Gjatë takimeve të partisë, këta elementë janë iniciatorë të kritikave të ashpra ndaj elementëve që shkelin vijnë e partisë komuniste dhe çdo i dyshuar prej tyre raportohet te Sigurimi. Agjentët e Sigurimit mund të jenë drejtues të organizatës bazë ose dhe anëtarë të thjeshtë partie.

Zona e ndaluar kufitare

Ashti si në pjesën jugore të Shqipërisë, edhe në kufirin verior ka një zonë të ndaluar me thellësi rreth 1500 metra.

Kampet e përqendrimit

Në Shkodër u dërguan katër të burgosur, tre për krime politike dhe një për krime të tjera. Rreth 200 persona po mbahen aty për shkelje politike dhe rreth 400 për krime të zakonshme. Në Burrel gjendet kampi i atyre që vuajnë dënime politike të gjata. Gjatë qëndrimit të burgosurit janë të detyruar të punojnë në minierat e kromit pranë Burrelit. Në Lezhë ka burgje për të ndjekurit për krime politike dhe ato ordinere, por pas gjyqeve të dënuarit dërgohen në burgun e Shkodrës për të vuajtur dënimin. Në pjesën veriore të Fierit, kazermat e vjetra italiane janë futur familjet e të arratisurve. Një informator tha se e kishte parë kampin në gusht 1950 teksa kalonte aty pranë me një mjet ushtarak. Një tjetër kamp përqendrimi është vendosur në Lushnje, në kazermat e vjetra italiane në perëndim të qytetit. Informatori ynë ka parë atje rreth 250 të burgosur kur kaloi me mjetin ushtarak. Rreth 30 nga të burgosurit ishin burra të vjetër, ndërsa pjesa tjetër ishin gra. Të gjithë po ktheheshin nga puna e detyruar. Gjatë të njëjtit udhëtim në një rrugë në jug të Kavajës, informatori ynë pa të arratisur ose familjarë të tyre që po ktheheshin nga puna e detyruar. Rreth 200 burra të vjetër dhe gra të të gjitha moshave, po shoqëroheshin nga gjashtë policë. Informatori nuk e dinte se k ndodhej kampi i tyre. Nga veshjet e të burgosurve, informatori gjykoi se ata vinin nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, përfshi edhe jugun. Informatori dëgjoi nga një ushtar nga Kosova se kishte një kamp për të burgosurit politikë dhe në Kosovë. Informatori beson se në Fier ka një kamp për refugjatët jugosllavë simpatizantë të Kominform. Në lidhje me këtë informatori deklaroi se një nga të afërmi e tij, qytetar jugosllav, i larguar drejt Shqipërisë dhe tan ndodhet në Fier. Ky i afërm kishte kërkuar leje të jetonte me njerëzit e tij në fshatin e informatorit, por autoritetet nuk kishin pranuar.

Guerrilët grekë

Informatori nuk ka dalluar lëvizje të guerrilave grekë në Shqipëri. Ai e dinte se disa guerrilas kishin shprehur dëshirën të qëndronin në Shqipëri dhe të bëheshin qytetarë shqiptarë. Por gjithsesi numri i tyre ishte shumë i vogël. Qeveria i vendos ata në rajonet e Elbasanit dhe Fierit dhe u dha ngastra toke, kështu që ata shpërndahen dhe nuk janë të kufizuar vetëm në kamp.

Lejet dhe kartat e identitetit

Personat e autorizuar të mbajnë armë kanë një leje që duhet ta mbajnë me vete. Ajo lëshohet nga dega e tyre lokale e Sigurimit. Për të udhëtuar kërkohet vetëm pasaporta civile. Kur një person nuk është më anëtar i Partisë së Punës, tesera e partisë merret nga oficeri përgjegjës i organizatës bazë dhe i dorëzohet zyrës politike të punëtorëve të partisë, në zonën e tij. Çdo qytetar shqiptar duhet të ketë dokumentet e mëposhtme: Dokumentin e identifikimit, librezën e lirimit nga ushtria, pas kryerjes së shërbimit në forcat e armatosura. Dokumentin e partisë, nëse është anëtar partie, të lëshuar nga zyra politike e të rinjve.

Pozita e SHBA mbi pavarësinë e Shqipërisë

SHBA vazhdon të ketë si objektiv ruajtjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe miqësor ndaj Perëndimit. Çdo politikë që ka si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë apo ndarjen mes Jugosllavisë e Greqisë, nuk do të mbështetet. Arsyet kryesore për këtë janë si më poshtë: Populli shqiptar ka një karakter të tijin dhe ndjenja të forta për pavarësinë. Për më tepër, ai ka qenë një vend, të paktën nominalisht i pavarur që prej vitit 1912. E drejta e shqiptarëve për të qenë të pavarur është njohur dhe mbështetur në shumë deklarata publike të qeverisë së SHBA, dhe gjithashtu nga Britania. Nëse nuk do të kishte një Shqipëri të pavarur, nuk duket se ka tjetër mënyrë për zgjidhjen e konfliktit territorial mes Jugosllavisë, Greqisë e Italisë në këtë zonë strategjike, e cila prek sigurinë e të trejave. Asnjë prej këtyre shteteve nuk do të mbështesë vendosjen e influencës së rivalëve të tyre në këtë rajon, dhe asnjë marrëveshje për ndarjen nuk ka gjasa të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme. Dorëzimi i Shqipërisë te një apo më shumë vende fqinje do të mbjellë farën e problemeve minoritare që mund të minojnë sigurinë e rajonit

Veprimet diplomatike

Mbështetja që i kemi dhënë Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, është bërë me supozimin se Shqipëria e pavarur është e rëndësishme për interesat amerikane. Veprimet që neglizhojnë të drejtën e Shqipërisë për pavarësinë, përveç faktorëve moralë dhe vështirësisë së justifikimit para opinionit publik, do t’i jepnin një armë të fuqishme propagande qeverisë sovjetike dhe kukullave të saj në qeverinë shqiptare. Por gjithsesi mund të jetë e nevojshme pranimi i disa masave të kombeve fqinje për ndërhyrje të armatosur në rast të nisjes së luftimeve në Ballkan. Qeveria e SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera duhet të kenë si qëllim një Shqipëri të pavarur dhe miqësore me Perëndimin, por në të njëjtën kohë duhet të jemi vigjilentë për ruajtjen e politikave dhe interesave amerikane në rajon dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Italinë, Greqinë e Jugosllavinë. Besohet se qëllimi i dëshiruar është kalimi nga një Shqipëri e dominuar nga sovjetikët drejt një vendi të lirë e të padominuar nga vendet fqinje, që do të ketë mbështetjen e përgjithshme të Perëndimit. Masat që do të merren në këtë drejtim duhet të koordinohen mes qeverive amerikane e britanike, dhe sipas rastit edhe të qeverive të tjera perëndimore.

Nxitja e konflikteve të brendshme

Siç është konceptuar prej fillimit, projekti për Shqipërinë ka një objektiv minimal, nxitjen e konfliktit të brendshëm në Shqipëri, me qëllim reduktimin e aftësisë së saj për mbështetjen e grupeve guerile në Greqi, dhe objektiv maksimal përmbysjen e regjimit Hoxha. Aktualisht kemi një koordinim të ngushtë të politikave me britanikët, por jo angazhim operacional. Që prej aprovimit të projektit, kanë ndodhur dy ndryshime madhore të situatës ndërkombëtare: ndalimi i luftës guerile në Greqi dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Titos dhe vendeve sovjetike. Rritja e presionit të Kremlinit ndaj Titos ka sjellë ndryshime në politikat e SHBA, e cila dëshiron që të ruajë regjimin e Titos si një bllok pengues i influencës sovjetike në rajon. Ndryshimet e fundit kanë sjellë zhvendosje edhe në kushtet bazë të projektit dhe rishikim të objektivave të tij. Kështu, më 6 shtator 1949, Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Jashtme britanike vendosën se objektivi maksimal i përmbysjes së regjimit në Shqipëri, duhej braktisur për momentin.

Please follow and like us: