Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata e Dubrovnikut: Ballisti të ekstradohet në Serbi

Gjykata e Dubrovnikut ka vendosur për herë të dytë ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi. Pas kthimit të dosjes nga Gjykata e Lartë për rigjykim në Shkallën e Parë, sërish Gjykata e Dubrovnikut ka vendosur që shqiptari të ekstradohet. Tashmë pritet hapi i radhës nga pala mbrojtëse, e cila me shumë mundësi do të vendosë që të apelojë sërish në Gjykatën e Lartë. Por edhe nëse Gjykata e Lartë do të vendosë që të ekstradohet, fjalën e fundit do të thotë ministri i Drejtësisë së Kroacisë për ekstradimin në Serbi. Ndërsa ende nuk ka marrë përgjigje kërkesa e “Ballistit” për azil politik në Kroaci. Serbia e akuzon për nxitje të urrejtjes mes dy vendeve pas ngritjes së dronit duke lëshuar fletë-arresti me qëllim ekstradimin e tij për ta gjykuar në Beograd. Qeveria shqiptare ka lobuar që Ismail Morina të mos ekstradohet në Serbi, pasi i rrezikohet jeta. Pak ditë më parë ministria shqiptare e Drejtësisë i dërgoi homologes së saj në Zagreb një raport me fakte dhe argumente se përse nuk duhet të ekstradohet Morina në Serbi. Në raport argumentohet se kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Morinës është një kërkesë politike, ndërsa Ballistit i rrezikohet jetë nëse ekstradohet. Ndërsa FSHF pak ditë më parë deklaroi se për çështjen që akuzohet Ballisti, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka marrë një vendim duke gjobitur Shqipërinë me 100 mijë Euro, duke e cilësuar të mbyllur. Ismail Morina u ndalua para rreth dy muajsh në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, teksa po tentonte që të kalonte për në Itali. Pas verifikimeve rezultoi se ishte në kërkim nga Serbia duke sjellë edhe arrestimin e tij dhe nisjen e proceseve gjyqësore.

Please follow and like us: