Albspirit

Media/News/Publishing

“Peshkaqenët” e Ilir Metës ende në pushtet/Sa do zgjasë komedia PS-LSI?!

Lëvizja Socialiste për Integrim u konfirmua në opozitë menjëherë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Akuza dhe sulme të ashpra vijnë çdo ditë nga drejtuesit e lartë të kësaj force politike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Por, si Petrit Vasili, si ish-kryetar i LSI, Monika Kryemadhi, kryetarja aktuale e kësaj partie, apo themeluesi dhe ish-kreu i saj, Ilir Meta, harrojnë një detaj të rëndësishëm.

Së pari, ata e dinë mjaft mirë se disa nga ministritë më të rëndësishme në vend drejtohen pikërisht nga ministrat e LSI. Por përtej kësaj, ku po zhvillohet prej ditësh një debat i ashpër politikë për largimin e këtyre ministrave nga qeveria, së bashku me teknikët e Lulzim Bashës, Ilir Meta dhe LSI kanë pjesë të qeverisë për katër vite me radhë, 2013-2017, duke drejtuar jo vetëm ministri, por edhe një pjesë jo të vogël të drejtorive në vend.

Pra, janë një sërë drejtorësh të emëruar në krye të institucioneve shqiptare në kuadër të marrëveshjes Rama-Meta.

Në vitin 2013, kur u firmos marrëveshja, LSI mori rreth 30% të pushtetit dhe ka shumë drejtori në shumë institucione kryesore, si ARRSH, ajo e Patentave, drejtori të ndryshme nëpër rrethe, institucione shëndetësore, etj.

Pra shumë drejtori dhe mjaft të rëndësishme në vend, që nga Tropoja e deri në Konispol, nga Korça e deri në Durrës, janë nën kontrollin e LSI.

Ndërkohë që Monika Kryemadhi e Petrit Vasili flasin për opozitë të fortë e reale, drejtorët e tyre vazhdojnë t’i mbajën në pushtet, ata vazhdojnë të vjedhin çdo ditë, si ditën e parë.

Nuk është se drejtorët e PS janë më të ndershëm dhe nuk vjedhin si ata të LSI, por në rast se LSI është në opozitë, ç’punë kanë drejtorët e Ilir Metës dhe Monikës të qëndrojnë ende në poste kyçe të administratës publike. Këtu nuk flasim edhe njëherë për specialistë dhe profesionistë, flasim për drejtorë, të cilët janë caktuar dhe emëruar në detyrat e tyre sipas një marrëveshejeje politike PS-LSI.
Çfarë bën në detyrë ende drejtori i përgjithshëm i Rrugëve? Asgjë tjetër, thjesht vazhdon e firmos tendera e dokumente me miliona euro.

Ky drejtor është më i dukshmi, se ka disa “peshkaqenë” tjerë më poshtë, që vazhdojnë e bëjnë kërdinë. Në rast se LSI është në opozitë duhet të tërheqë ministrrat dhe drejtorët e saj për të treguar se vërtet do të jetë kundërshtare e Edi Ramës.

Edhe qeveris me Edi Ramën me ministra e drejtorë, edhe sulmon Edi Ramën, duke e quajtur qeveri të paaftë. Nëse kjo është qeveri e paaftë, LSI minimalisht duhet të tërheqë ministrat e drejtorët e saj për të treguar se vërtet është në opozitë, por kuptohet ndoshta shumë drejtorë janë të pafajshëm, ata duhet të plotësojnë haraqin e tyre. Presim e shohim se sa do zgjasë komedia PS-LSI./CityNews

Please follow and like us: