Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Gjashtëdhjetë e tetë vjet më parë. Mos harro!

Gjashtëdhjetë e tetë vjet më parë.

Mos harro!

O ti qytetar, që kalon nëpër këtë rrugë të përmasave ndërkombëtare, mos harro se gjashtëdhjetë e tetë vjet më parë në këtë krahinë kryhej një nga masakrat më të përgjakshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë pushtues i huaj. Ishin vetë shqiptarët që vrisnin shqiptarë, ishin vetë shqiptarët që burgosnin shqiptarë, ishin vetë shqiptarët që internonin burra, gra, pleq dhe fëmijë shqiptarë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe nga klika që ishte në pushtet.
Ju, që i keni përjetuar ato ditë, mos harroni! Shqipëria nuk ka qenë kjo që është sot. Atë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që jetonte me gjakun e popullit të vet. Por kishte edhe gra e burra dhe të rinj që kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krah qëndronin luftëtarët e lirisë, demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë. Në krahun e demokracisë ishin pikërisht këta burra që përkujtojmë sot.
Viti 1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin. Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit. Rezultati, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar. Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetra të burgosur dhe qindra të internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar.
Mos harro, o qytetar!

Liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë. Për atë u luftua që me marrjen e pushtetit nga barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi gjatë, për dyzet e gjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demostratën e studentëve shqiptarë në dhjetor 1990.
Por hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin ende nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë të helmojnë atmosferën e përgjithshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë dëgjojmë zëra mjeranë që “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse nga ana tjetër qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.
Një pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se qenka krenar që babaj i tij paska qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Pikërisht ky pinjoll, na paska studjuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babaj i tij dhe shokët e tjerë të partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka studjuar? A e di ai se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi qindra të ekzekutuar dhe mbi mijra të internuar në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme? Dhe ky individ sot mban postin e nje ministri.
Unë do t’u thosha këtyre individëve: Si nuk keni turp zotërinj? Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos merrni mbi vehte krimet e tyre.
Duke kujtuar ngjarjet e këtij përvjetori, para syve më dalin vargjet e poetit, që në fillim të viteve nëntëdhjetë shkruante:

Fitimtarët, fitimtarë,
Të mundurit, të mundur në përjetësi
Atëhere, po të jetë kështu,
Mos ardhsh kurrë demokraci!

Please follow and like us: