Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Vata: Një pushtet, dy opozita

Opozita e re është e pasuruar me një kolor të gjerë politik, por mosmarrëveshjet mes opozitarëve janë të mëdha dhe vendosja e saj do jetë e vështirë për t’u pozicionuar në strategjinë për të kontrolluar mazhorancën e madhe një ngjyrëshe, të vetme dhe të fortë. Askush nuk po mendon për pushtetin pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ku PS doli fituese e vetme në zgjedhje me 74 mandate, pa menduar se gjatë rrugës mundet të ketë edhe deputet të tjerë që mund të bashkohen dhe rastet nuk kanë munguar, por problem më i madh është se si do të sillet opozita. Marrëveshja e 18 Majit mes PD-së dhe PS-së ndryshoi rrjedhën politike në vend, pasi koalicionet ranë dhe nisi një tjetër kapitull me koalicionet e fshehta, apo të padukshme, por që realisht funksionojnë duke e futur politikën në një shteg tjetër, që vështirë të qas problematikat e qytetarëve, por të shoh më shumë raportet e vetë politikës. Në këtë këndvështrim duhet parë dhe marrëdhënia, opozitë-mazhorancë, pasi pas marrëveshjes dhe dorëheqjes së ministrave teknikë, ka vend për të menduar për një tjetër bashkëpunim mes PS-së dhe PD-së, që më herët është lançuar dhe po kërkohet një bashkëpunim i gjerë për reformat e mëdha, si reforma zgjedhore apo çuarja përpara e reformës në drejtësi…etj.

Opozita, tashmë nuk është një e vetme, siç jemi mësuar të themi opozita e bashkuar, ku në tërësi ka qenë spektri i djathtë në një bllok të vetëm, por tanimë kemi dhe opozitë të spektrit të majtë që kryesohet nga LSI, që tashmë është një faktor politik i rëndësishëm dhe roli i saj ka qenë dhe mund të bëhet dominant. Fushata elektorale e zgjedhjeve të 25 qershorit u pa si një përpjekje politike e partive të mëdha kundër të vegjëlve dhe si partia më e madhe e partive të vogla, LSI mori goditjen e parë, madje shpesh herë u mendua si një kryqëzim i dy partive të mëdha që kërkonin t’i bënin LSI.

Nuk munguan dhe retorika, sulmet politike elektoral të të mëdhenjve kundër të vegjëlve sa i gjithë procesi zgjedhor kishte në thelb një qëllim të përbashkët mes dy partive të mëdha në vend sa solli një rezultat zgjedhor të një mazhorance të vetme, një kolorëshe dhe dy opozita, opozita e djathtë dhe e majtë që ende nuk dihet se si do të gjejnë pika të përbashkëta për të bërë një opozitë të vetme.

Do të duhet kohë që opozita të konsolidohet për të gjetur pika të përbashkëta në qëllimin e saj opozitar për t’u bërë një bllok politik i bashkuar për të kontrolluar qeverisjen dhe mazhorancën e madhe sepse ende nuk është zgjidhur raporti i marrëveshjes mes PS-së dhe PD-së, pasi ka vend për një marrëveshje të gjatë për qëllime të madhe, duke vënë si orientim integrimin e vendit në BE. Nuk përjashtohet mundësia e një modeli të ri qeverisës, ai i bashkëqeverisjes të të gjithë aktorëve politik duke e realizuar opozitën nëpërmjet oponencës parlamentare dhe vendet moderne të Europës e kanë një model politik perfekt dhe të suksesshëm. Gjithsesi, vjeshta do të zbardh detajet dhe politika gradualisht do gjejë vendosjen e saj, mase dhe një opozitë të bashkuar në mungesë të një bashkëqeverisje, por opozita deri më tani nuk është një, por dy dhe pushteti një i vetëm.

 

Please follow and like us: