Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Ali Pashë Tepelena ndërtonte ujësjellësin e gurtë të Kalasë së Gjirokastrës

Mbetjet e ujësjellësit të famshëm të Kalasë së Gjirokastrës, i cili nëpërmjet urave të gurta sillte ujin nga mali i Sopotit për të furnizuar kështjellën vazhdojnë të tërheqin kërshërinë e vizitorëve të ndryshëm që mbrijnë këto ditë në qytet.

Nga ujësjellësi i dikurshëm i ndërtuar i gjithi me ura dhe harqet të gurta ka ngelur një urë e gurtë në pjesën e sipërme të lagjes Dunavat si dhe disa fragmenete muresh dhe harqesh në zona të ndryshme të pjesës veriore të kalasë.

Ujësjellësi i gurtë i Kalasë së Gjirokastrës,  përbën një ndër ndërtimet më të veçanta për kohën e vet. Ai ështe i gjatë 12 km dhe nëpërmjet një arkitekture të veçantë me ura dhe harqe sillte ujë nga mali i Sopoti për të furnizuar kështjellën e Gjirokastrës.

Megjithëse në disa dokumente historike flitet se ujësjellësi është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitet e kulmit të sundimit të tij në Pashallëkun e Janinës, për studiuesit ndërtimi i ujësjellësit të gurtë të kështjellës ka fillesa më të hershme.

Studiuesit mendojnë se ndërtimi i tij i përkët shekullit të 12-të ndërkohë që Ali Pasha do të restauronte pjesë të rëndësishme të tij, duke qenë i fundit që jipte kontributin në lidhje me ndërtimin e ujësjellësit të gurtë.

Ndërkohë sipas burimeve historike Ali Pashë Tepelena do të realizonte ujësjellësin e gurtë të Kalasë së Gjirokastrës në vitet 1812-1813 si pjesë e ndërhyrjeve në kështjellën e qytetit. Krahas ndërhyrjeve në kështjellën e gurtë Ali Pasha do të ndërhynte edhe për ujësjellësin i ngritur mbi një sistem kanalesh dhe urash madhështore ai do të furnizonte me ujë nga mali i Sopotit kështjellarët.

Ashtu si pjesa më e madhe e fortifikimeve dhe kështjellave të ndërtuara nga Veziri i Janinës në këtë periudhë edhe kjo vepër e veçantë do të mbante firmën e arkitektit Petro Korçari. Ujësjellësi ose ndryshe aquadoti ishte i ndërtuar mbi ura dhe harqe të gurta ku pasi ujë kalonte në një sistem kanalizimesh të gurta depozitohej në rezervuaret në brendësi të kalasë.

Por ai që do ta përjetësonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës si një dëshmi e vërtetë për këtë vepër të rrallë në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit do të ishte piktori i famshëm britanik Eduard Lear, i cili gjatë udhëtimeve të tij në Jug të Shqipërisë e vendosi ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës në qendër të një tabloje të vet.

Krahas vlerave artistike kjo tablo është edhe një dëshmi historike në lidhje me ujësjellësin e gurtë të Kalasë së Gjirokastrës. Dëshmitë historike në lidhje me egzistencën e pjesëve të veçanta të këtij ujësjellësi i gjejmë deri në fillim të viteve ’30-të të shekullit të kaluar.

Ndërkohë një ndër mbetjet më të veçantë të këtij ujësjellësi vazhdon të jetë një urë e gurtë mbi lagjen Dunavat. Ura, e cila njihet ndryshe edhe me emrin “Ura e Ali Pashës” është e ndërtuar e gjitha me gur dhe është e lartë 16 metra, e gjatë 40 metra dhe ka një gjerësi 2.3 m.

Kjo urë, dëshmi e ujësllësit të famshëm tregon për vlerat arkitektonike, ndërtimore dhe mjeshtërinë e gurgdhendësve gjirokastritë të cilët realizuan ujësjellësin e kështjellës. Edhe në ditët e sotme studiues apo vizitorë kureshtarë ngelen të mahnitur nga mjeshtria e ndërtimit të saj.

“Ndihem mjaft i emocionuar që kam parë nga afër një vepër të tillë dhe mendoj së është diçka e veçantë”, thotë hollandezi Harmond Din, pasi ka vizituar Urën e Ali Pashës. Si ai edhe vizitorët e tjerë shprehin vlerësimin në lidhje me këtë vepër të rrallë arkitektonike dhe historike.

Dëshmi, mbetje të ujësjellësit të gurtë të Kalasë së Gjirokastrës vazhdojnë të përbëjnë një element interesant në guidat turistike në qytetin e Gjirokastrës

Kush ishte Ali Pashë Tepelena ….

Ali Pashë Tepelena (rreth 1740- 25 janar 1822) lindi në Tepelenë në një familje feudalësh ushtarakë dhe u dallua shumë shpejt për aftësitë e tij dhe për energjinë me të cilën ndoqi planet e veta ambicioze për t’u bërë sundimtar i vetëm i vendit duke përdorur gjithë mjetet, dhunën, dinakërinë, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalët e tjerë vendas .

Ai i shëndrroi trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror në fakt autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor.

Në vitet 1798-1812 duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonopartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin.

Orvatjet e Ali Pashës për të krijuar në vitet 1812-1819 një besëlidhje me sundimtarët feudalë të Shqipërisë së Veriut e sidomos me Bushatllinjtë me qëllim që të përballonin bashkërisht politikën centraliste të filluar nga Sulltan Mahmuti II nuk dhanë rezultat.

Në vitet 1820-1822 Ali Pashë Tepelena filloi luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë.

Megjithëse forcat e Ali Pashës u ndodhën vetëm përballë ushtrive osmane që u dërguan kundër Pashallëkut të Janinës, ai i bëri ballë rrethimit për një vit e gjysmë. Ali Pashë Tepelena bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në një ishull të Liqenit të Janinës u vra më në fund me të pabesë. / Konica.al

Please follow and like us: