Albspirit

Media/News/Publishing

Shenjat e hershme të kancerit në mushkëri

Janë një sërë simptomash që ndihmojnë të kuptoni sa më herët nëse rrezikoni nga kanceri në mushkëri.

Por, pavarësisht këtyre, fatkeqësisht pjesa dërrmuese e pacientëve vijojnë ende ta zbulojnë sëmundjen në stadet më të rënduara, kohë në të cilën edhe trajtimi mund të mos jetë efikas. Prej kësaj sëmundjeje rrezikojnë që të dyja gjinitë, por më e shpeshtë shfaqet tek meshkujt.

Mjekët bëjnë me dije se edhe pse sëmundja është vdekjeprurëse, njohja e simptomave të hershme ndihmon në shpëtimin e jetës. Pasi trajtimet në këtë fazë mund të jenë më të efektshme. Konkretisht, ndër shenjat e mundshme për të cilat duhet të dyshoni se mund të jeni prekur nga kjo sëmundje, janë:

“Prania e kollës së rënduar për një kohë të gjatë, problemet dhe vështirësitë në frymëmarrje, gulçimet dhe fishkëllim gjatë frymëmarrjes, rënia e pashpjegueshme në peshë, dhimbjet në gjoks, ndryshimet e theksuara të zërit që vijojnë për një kohë të gjatë, si dhe ënjtjet në fytyrë apo krahë”.

Rreziku për të zhvilluar këtë sëmundje rezulton të jetë shumë më i madh tek personat që pijnë duhan.

Një tjetër faktor rreziku për zhvillimin e kësaj sëmundjeje është edhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit, ndotjes, materialeve radioaktive, radonit, etj. Tek një numër i madh pacientësh ndikon edhe faktori gjenetik, rritja e moshës, etj. Në vijim gjeni për të cilat duhet të dyshoni për këtë sëmundje.

Ngacmimi nëpërmjet kollës së vazhdueshme

Kolla është një ndër simptomat karakteristike që ndihmon në identifikimin e kësaj sëmundjeje. Por, duhet të bëni kujdes, pasi nuk duhet që të ngatërroni kollën e shkaktuar nga gjendjet gripale, apo virozat e stinës gjatë ditëve të ftohta.

Në këto raste kolla dhe inflamacioni që prek rrugët e frymëmarrjes nuk zgjasin më shumë se dy apo tre javë dhe fillojnë të largohen. Për rastet kur ju do të vazhdoni të ndjeni kollën për një kohë shumë më të gjatë, duhet që të dyshoni për praninë e kësaj sëmundjeje.

Kjo veçanërisht në situatat kur me kalimin e kohës, kolla vjen duke u përkeqësuar edhe më shumë.

Duhet të jeni shumë të kujdesshëm që për çdo rast në të cilin do të vëreni se keni kollë të fortë dhe të zhurmshme, e cila mund të shoqërohet edhe me njolla gjaku, duhet me patjetër që të paraqiteni tek mjeku pneumolog për të diagnostikuar ndërlikimet që mund të keni.

 Problemet e theksuara me frymëmarrjen

Një tjetër shenjë e dukshme është edhe shfaqja e problemeve të papritura me frymëmarrjen. Mjekët thonë se  në rastet kur qelizat kancerogjene fillojnë të rriten në mushkëri, ato çojnë në bllokimin dhe ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes, duke shfaqur vështirësi të shumta.

Kështu, nëse do të vëreni lodhje të theksuar të frymëmarrjes edhe pas kryerjes së aktiviteteve të thjeshta, apo  edhe në rastet kur lodheni më shpejt se zakonisht, duhet të dyshoni për këtë sëmundje, për të cilën në asnjë rast nuk duhet të neglizhoni marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore.

Mund të përjetoni edhe gulçime, apo fishkëllima gjatë frymëmarrjes. Mjekët thonë se mund të ndodhë që kjo simptomë të jetë edhe shenjë e astmës, ose alergjive, ndaj duhet të bëni vizitën përkatëse për të konfirmuar gjendjen që e shkakton këtë simptomë.

Prania e dhimbjeve të shpeshta në kraharor

Dhimbja në gjoks, ose në shpatulla është një tjetër shenjë paralajmëruese për kancerin në mushkri. Në rastet kur dhimbja e gjoksit është e fortë dhe vazhdon për një kohë të gjatë, duhet të këshilloheni menjëherë me një mjek specialist.

Megjithatë, duhet të dini se dhimbja e gjoksit mund të jetë edhe tregues i shumë problemeve të tjera shëndetësore, veçanërisht sëmundjeve të zemrës, ndaj është mirë që të hiqni dyshimet nëpërmjet kryerjes së testeve përkatëse mjekësore.

 Ndryshimet e zërit

Prania e kancerit të mushkërive mund të paralajmërohet edhe nëpërmjet ndryshimeve që mund të pësojë zëri. Kështu, nëse konstatoni se zëri juaj po fillon të ketë ndryshime, bëhet më i trashë, dhe kjo gjendje nuk kalon për një periudhë të caktuar kohore, duhet me patjetër të kërkoni ndihmën e e mjekut specialist.

Edhe në këtë rast duhet të bëni kujdes, pasi trashja e zërit mund të vijë edhe si shkak i një të ftohure, gjendjeje gripale. Por me ndryshimin se në këto rastet e fundit zëri kthehet në normalitet brenda një kohe shumë të shkurtër.

 Rënia e pashpjegueshme në peshë  dhe infeksionet që nuk largohen

Rënia e pashpjegueshme në peshë është gjithashtu një tjetër shenjë që ndihmon në zbulimin e kancerit në mushkëri.

Por, mjekët thonë se humbja e pashpjegueshme e peshës nuk është një simptomë që shfaqet që në stadet e para të sëmundjes, ndaj dhe është pak më e vështirë për t’u kuptuar në krahasim me simptomat e tjera të përmendura më lart.

Po ashtu sëmundja mund të sinjalizohet edhe nga infeksione të shpeshta në gjoks, si: bronkit, apo pneumoni, të cilat nuk largohen për një kohë të gjatë.

Këto mund të jenë një tjetër shenjë e shëndetit të përgjithshëm të dobët të mushkërive, apo edhe e fillimit të kancerit.

Kur kanceri është i përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit, mund të shkaktojë edhe dhimbje të kockave, kokës, si dhe shumë simptoma të tjera.

 Shqetësimet që sinjalizojnë kancerin e mushkërive:

Kollitja e vazhdueshme që zgjat për më shumë se katër javë.

Kollitja kronike, ose siç njihet ndryshe kollitja e duhanxhiut që ndryshon papritmas.

Kollitja me gjak .

Vështirësitë në frymëmarrje.

Prania e disa infeksioneve në gjoks.

Ndryshimet e zërit.

Humbja e pashpjeguar e peshës.

Dhimbjet e gjoksit.

Lodhja e përhershme.

Ënjtjet në fytyrë apo krahë

Please follow and like us: