Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Kërcënimi europian me vizat…

 

Kur u përmend mundësia e rishikimit të lëvizjes së lirë të shqiptarëve në hapësirën ‘Schengen’, pas shifrave alarmuese të kërkesave për azil në Europë, u shqetësuam ca. Por i besuam vonesave të burokracisë eurokratike dhe një kërcënimi të dobët pas termave të vështirë mbi mekanizma me emra një javorë.

Kur ministri i Jashtëm francez thirri urgjent homologun shqiptar për t’i kërkuar seriozisht ndaljen e fluksit të azilantëve e emigrantëve me një plan konkret 3 mujor, përndryshe rikthehen vizat, sërish na përkundën me ca njoftime shpresëplotë nëpër media dhe premtime ‘për kokë të babit nuk e bëj më’ e ne vijuam pa kokëçarje serioze të besojmë se eurokracia do zbutet.

Kur Policia dhe Prokuroria Holandeze hartojnë një raport ku kërkojnë rikthimin e detyrimit të vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën ‘Schengen’, reagojmë si të kapur në befasi: ‘Ç’ne ky muhabet?! Ne nuk kemi patur ankesa nga Hollanda!’. Dhe kokën m’anë tjetër tek birra e ftohtë në Jalë a Dhërmi.

Po mirë de mirë, ja t’ja ruajmë fytyrën atdheut e të dënojmë këdo flet për këtë rrezik, këdo shpërhap panik dhe le të lejojmë sërish konspiracionin tonë tipik t’i bëjë vend dashakeqësisë së eurokratëve, armikut në politikën e brendshme të vendeve europiane, propagandës antishqiptare të qarqeve shoviniste ngado e kalojnë rrymën. Çështja është a do mendojmë vetëm një çast se ç’ndodh nëse vendimi merret? Nëse shtohen kufizimet? Kërkesat? Nëse hiqen vizat? Për të gjithë ne që kemi familjarë, të afërm, një pjesë të jetës andej, të dashur e të shtrenjtë? Me një shije të përafërt të kujtdo që ka aplikuar për vizë angleze, ai kalvar. Vetëm kaq duhet menduar, për të kërkuar të paktën një sqarim shterues nga pushtetarë e parlamentarë se a na premtojnë dot tani se kjo nuk ndodh, të paktën jo për fajin tonë? Faji i përbashkët i një populli që emigron masivisht si ajkën e shoqërisë edhe llumin e saj? Ende në 2017-ën. Po as kaq nuk u kërkojmë të na sqarojnë? Aman veç këtu mos kapemi mes sho-shoqit se me teorinë bashkëfajtorë e bashkëviktima, nesër ata do jenë sërish të privilegjuarit e pasaportave të shërbimit, diplomatike e çdo ‘ike’ tjetër që do të shpiket.

Please follow and like us: