Albspirit

Media/News/Publishing

Heminguej, të panjohurat e shkrimtarit të madh

Ernest Heminguei, një humbës gjigant. Ernest Heminguei, jo vetëm do të shfaqë karakteristikat kryesore të intelektualit, por i zotëron në masë të jashtëzakonshme dhe në një kombinim plotësisht amerikan. Heminguei ishte një shkrimtar, thellësisht origjinal që diti të transformojë vetë mënyrën e të shprehurit të bashkëkombësve të tij dhe të gjithë botës anglofone. Ai shkriu bashkë karaktere të ndryshme amerikane, duke i personifikuar si arketip i tyre dhe për këtë u konsiderua simbol i Amerikës së kohës së tij, pak a shumë si Volteri për Francën e viteve 1750, dhe Bajroni për Anglinë e viteve 1820. Ernest Heminguei lindi në vitin 1899 në Ouk Park, lagje e pastër e Çikagos nga prindërit Grejsi dhe Edmundsi, intelektualë të cilët ishin plotësisht të integruar në shoqërinë ku jetonin. Të dy ishin shumë besimtarë të cilët respektonin biblën dhe shkonin çdo të dielë në kishë. Kodi moral respektohej me rreptësi të madhe dhe çdo shkelje dënohej me ashpërsi. Nëna i rrihte fëmijët me një furçë flokësh ndërsa babai me lëkurën që mrehte briskun. Kush zbulohej se kishte gënjyer apo mallkuar duhej ta lante gojën me sapun dhe pas kësaj të gjunjëzohej dhe t’i kërkonte falje Zotit. Nëna e Hemingueit kërkonte nga djali i saj të ishte një model tipik i protestianizmit, të mos pinte duhan dhe alkool, të arrinte i virgjër në martesë, të nderonte dhe t’i bindej babait dhe nënës, sidomos nënës. Por Heminguei nuk e pranoi fenë e prindërve duke mos u bërë djali që ata donin. Ai ishte i bindur se kishte trashëguar një botë false të simbolizuar nga kultura fetare dhe morale e prindërve të tij dhe se ajo duhej zëvendësuar me një botë që i përshtatej së vërtetës. Shpërthimi ndodhi në 1926 kur u botuan dy nga veprat e tij më të fuqishme “Fiesta” dhe “Lamtumirë armë”. U shitën qindra e mijëra kopje, u lexuan dhe rilexuan, u asimiluan dhe u përpinë, shkaktuan zilinë dhe u gërrmuan nga shkrimtarët e çdo lloj besimi. Imazhi i Hemingueit si njeri i veprimit u rrit pra me të njëjtën shpejtësi si fama e tij. Njëlloj si intelektualë të tjerë, duke filluar nga Rusoi, Heminguei zotëronte gjeninë e vetëreklamimit. Kishte pamjen e njeriut të fortë dhe burrëror, i cili shquhej për xhaketat sahariane, rripin te supi, pushkët, kapelen me strehë, një erë pluhuri duhani dhe uiski. Kushte maninë të dukej më i vjetër: që në moshën 20 vjeçare, për miqtë ishte “Baba Heminguei”. Shkrimtarit të madh hera herës i pëlqente të gënjente. Ai madje krenohej se të gënjyerit ishte pjesë e stërvitjes së tij si shkrimtar. Shumë nga gënjeshtrat e tij kishin të bënin me pjesëmarrjen e tij në luftën e Parë Botërore. Në disa raste, edhe në intervista të dhëna për shtypin, deklaroi se kishte marrë pjesë në tre beteja me repartin 69 të këmbësorisë italiane. Tha gjithashtu se ishte i pari që kishte hyrë në Parisin e çliruar në 1944. Edhe seksi nxirrte në pah anën e tij gënjeshtare: një nga historitë e tij më të preferuara për Italinë kishte të bënte me një siçiliane, pronare e një hoteli, e cila e kishte sekuestruar, duke i fshehur rrobat për ta detyruar të bënte dashuri me të për një javë të tërë.

Gënjeu përsa i përket të gjitha martesave të veta, ndarjeve dhe lidhjeve.

Për t’u theksuar është dhe fakti se shkrimtarit gjigant i pëlqenin edhe grindjet. Xhelozia dhe zilia e Hemingueit për talentin dhe suksesin e të tjerëve ishin të pamata. Në vitin 1937 ishte zënë me të gjithë shkrimtarët që njihte me një përjashtim të vetëm, që sigurisht e nderon: Ezra Paund, shkrimtari i vetëm që nuk sulmon në autobiografinë e tij. Heminguei ia doli të mos zihej edhe me Xhojsin, ndoshta sepse i mungoi rasti ose ndoshta sepse nuk rreshti kurrë se provuari respekt për veprën e tij. Një herë e përkufizoi si “I vetmi shkrimtar i gjallë të cilin e kam respektuar”. Hamendësi të pafundme janë bërë mbi një damar të tij hipotetik femëror, bile homoseksual ose transeksual, të bazuar në fiksimin e tij të shprehur për flokët e sidomos për ato të shkurtër te gratë, që i atribuohet faktit se nëna e tij për një kohë të gjatë nuk pranoi ta vishte si djalë dhe t’i priste flokët. Ajo që është e sigurt sidoqoftë është se Heminguei e kishte të vështirë të ndërtonte me një grua një marrëdhënie të saktë dhe civile që të mos bazohej në nënshtrimin e plotë të saj. Ashtu siç rezultojnë të dështuara edhe katër martesat e tij. Gratë e tij e vuajtën raportin jo të drejtë që ai krijonte me to, megjithëse arrinte të kishte sukses me çdo grua që shihte. Arrinte t’i kishte të gjitha, edhe për pak kohë. I vetmi personazh femëror për të cilin provonte dashuri, ishte motra e tij e vogël Ursula, “motra ime e adhuruar Ura”, siç e quante, pasi Ursula e adhuronte dhe ishte skllavja e tij. Në të vërtetë, tre nga gratë e tij qenë jashtëzakonisht të nënshtruara në krahasim me mesataren e grave amerikane të asaj epoke, por me sa duket për të nënshtrimi nuk ishte i mjaftueshëm. Donte dhe llojshmërinë, lëvizjen si dhe tensionin dramatik. Pavarësisht nga fiziku i forte, alkoolizmi i vuri minat shëndetit të tij duke filluar me mëlçinë andej nga vitet ‘30. Në dy korrik 1961, pasi kishte tentuar shumë herë të kuronte gjendjet e tij depresive dhe paranojake nxorri çiften angleze më të mirë, e mbushi dhe ia hoqi vetes. Përse e kërkoi vdekjen Heminguei? Ndoshta sepse kishte krijuar një kod të vetin moral të bazuar mbi nderin, të vërtetën, besnikërinë por nuk iu përmbajt atij dhe kështu e ndjeu veten të dështuar. Heminguei ishte një njeri i vrarë nga arti i vetë dhe jeta e tij të jep një mësim që të gjithë intelektualët do duhej ta përvetësonin, se arti i vetëm nuk është i mjaftueshëm.

Please follow and like us: