Albspirit

Media/News/Publishing

Kostas VARNALIS: Fatalistët

KOSTAS VARNALIS (1883-1974): Fatalistët
~
Mes tymit poshtë në një gjellëtore,
nëpër të shara e shpoti,
nën klithma veglash muzikore,
po pinim dje si shoqëri,
dje, si gjithë mbrëmjeve të tjera,
të na mëlconte brengën vera.

Shtrënguar rrinim në tryezë,
pështynte një në dysheme,
ah, vuajtje s’paska më të zezë
se kjo e jetës, që s’ka fre!
Dhe në e vrafsh mendjen e shkretë,
një ditë të bardhë s’e gjen në jetë.

O diell, det i kaltërremë
dhe ti plangprishësi qiell blu,
e agut fashëz e verdhemë,
të muzgut karafila ju,
shkëndrini, shuheni matanë
dhe nuk i prekni shpirtrat tanë!

Babai njërit iu shndërrua
nga paraliza në lugat
dhe tjetrit ditëshkurtrën grua
e keqja po ia ha në shtrat;
djali i dikujt ka zënë qelinë,
dikush ka bijën në çmendinë.

– Fajin na ka e fatit rrota!
– Zoti i pashpirt, ai ka faj!
– Para së gjithash e ka gota!
– Dhe kjo rradakja jonë pastaj!
Faji askujt nuk i ka mbetur,
se nuk e kemi ende gjetur.

Kështu, mes territ në gjellëtore,
përmbi karrige biem shtrembër
dhe, gotën pa e ndarë prej dore,
si krimb gjithnjë na shkel çdo thembër;
pa zell, besim e pa kurajë,
presim ndonjë çudi të ngjajë.

Përktheu Romeo Çollaku

Please follow and like us: