Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Vata: Shteti apo korrupsioni?!

Politikanët shqiptarë në çdo pozitë apo pozicion të gjenden, flasin e flasin për luftën kundër korrupsionit dhe betejën me të korruptuarit, por deri më sot ende nuk kemi parë se si një shtet mund të organizojë një betejë institucionale kundër të korruptuarve dhe vetë sistemit korruptiv që ka prodhuar shteti ynë nihilist e i deformuar, sa nuk i duken as konturet me mbulojën korruptive që ka. Korrupsioni është bërë vetë sistemi që kontrollon shtetin, apo modeli qeverisës në Shqipëri dhe për dy dekada e gjysmë, gjendja ka qenë e njëjtë e pandryshueshme dhe vetëm në sfondin politik gjenden disa fjalë që qytetarëve u janë bërë si hije që qëndrojnë në sfondin e jetës së tyre, e në të shumtën e rasteve si një mur që u pengojnë të drejtat dhe përgjithësisht ua shesin ato, pasi sistemi është i tillë, teje korruptiv.

Në demokraci, pavarësia institucionale është garancia e vetë demokracisë dhe e kontrollit institucional, por në Shqipëri, një vend  me demokraci të keqe, që më shumë ngjan me një regjim komunist liberal sesa me një sistem demokratik të brishtë e të mangut, sepse pushtetet në një farë mënyre ngërdheshen me njëri-tjetrin, pikërisht se kanë të përbashkët korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve të shtetit dhe e njerëzve që kanë për detyrë të garantojnë të drejtat e qytetarëve dhe vetë drejtësinë e tyre përball ligji. Shqipëria ka një sistem politik, republikë parlamentare, ku parimi kryesor është ndarja e pushtetit, por në fakt pushteti kontrollohet vetëm nga disa, ata me të ligët, pra të korruptuarit sepse janë pikërisht ata që investojnë për të nxjerrë parlamentarëve të rinj, duke derdhur miliona, duke korruptuar sistemin zgjedhor, me të vetmin qëllim që ta mbajnë parlamentin nën kontroll, pra kemi një parlament të blerë nga të korruptuarit.

Korrupsioni godet në radhë të parë burimin e parë ku bëhen ligjet dhe më pas nëpërmjet manovrave politike të deputetëve ligjbërës, shpërndarë sa në pushtet, apo në opozitë qoftë dhe në parti të vogla, ata kontrollojnë vetë drejtësinë dhe pengojnë reformat e rëndësishme siç ishte Reforma në Drejtësi që iu desh më shumë se dy vite që të nisi procesin e saj të implementimit, madje sërish është e varur nga parlamenti i ri dhe kuorumi i saj për shumicë të cilësuar.

Korrupsioni ka kapur mediat një nga pushtetet që bënë transparencën me publikun apo kontrollon pushtetet e tjera, sepse njerëzit e pushtetit të paligjshëm financojnë mediat, madje janë padronë të tyre dhe e përdorin median si një presion për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv apo nivele të tjera, deri te drejtësia, dhe shumë zyrtarë duke qenë se janë të korruptuar tremben prej mediave dhe janë të gatshëm për të fshehur paligjshmërinë e tyre, duke u bërë favore medive dhe pronarëve të tyre dhe raste janë lehtësisht të provueshme.

Korrupsioni ka kapur administratën publike dhe ndonëse ka patur mjaft hapa të rëndësishëm me ligjin për administratën, sërish ajo mbetet e korruptuar, sepse politika shumë herë apo vazhdimisht e ka mbushur administratën me militant partiak në këmbim të votave të tyre, me të vetmin qëllim që nëpërmjet shitjes së të drejtave të qytetarëve të pasurohen kapot e politikës apo krerët e partive politike, pra punëdhënësit politik. Por dekori i korrupsionit nuk është i plotësuar pa sistemin e drejtësisë, pasi të gjithë paligjshmëritë përballen me drejtësinë dhe kjo është ajo që duhet të bënte sistemi i korrupsionit të kapte fund e krye, sistemin e drejtësisë dhe në fakt, korrupsioni lulëzon pikërisht në drejtësi, pasi gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, noterë, avokatë janë bërë një koshere ku të gjithë cukasin të mirat qytetarë, sepse mjalti i tyre është shitja e drejtësisë më para.

Politika ndër vite ka ruajtur me fanatizëm ish-hetuesët e diktaturës në sistemin e drejtësisë dhe më pas iu shtua edhe një grup tjetër injorantësh ata të “Shkollës së Plepave” për të vendosur dy shtresa mëkati në drejtësi, persekutorët në themel dhe injorantët në krye, dhe ndër vite sa herë ndërroheshin palët politike, këta dy pllaka të shëmtuara të drejtësisë ndërronin role, herë hipte injoranca dhe herë ngjiteshin mëkatarët e diktaturës. Por dekori s’është i plotë, sepse i duhet një kontur për ta mbajtur korrupsionin në një sistem të plotë kornizimi, madje dhe dirigjimi perfekt korruptiv dhe vija fundore apo në krye të dekorit është politika që ushqen vetë korrupsioni për ta bërë atë shtet më vetë, sa vetë shteti i së drejtës që ne pretendojmë të kemi është vetëm një nocion, pasi nuk ekziston sepse korrupsioni kontrollon vetë shtetin.

Please follow and like us: