Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Agim Koçillari: Raportet shqiptaro-greke

  • Çfarë ka ndodhur në këto 19 vjet që ky traktat është në fuqi
  • Mosmarrëveshjet apo problemet Shqiptaro – Greke
  • Çfarë pritet të ndodhë, në këtë vit që ka mbetur”. A do të njihet e zbatohet sa duhet, e drejta ndërkombëtare nga politikanët shqiptarë dhe grekë

 

Çfarë ka ndodhur në këto 19 vjet e 7 muaj që ky traktat është në fuqi

Traktatet e Miqësisë janë dokumente, marrëveshje, ku shprehet vullneti politik midis dy vendeve për të përmirësuar dhe venë mbi baza më të shëndosha mirëbesimi marrëdhëniet e tyre. Ato janë dokumente politike dhe jo juridike. Në historinë e marrëdhënieve diplomatike, të luftës së ftohtë midis dy vendeve, traktate të tilla duhet të shërbejnë si bazë për të gjithë dokumentet diplomatike apo marrëveshje të tjera me karakter ndërkombëtar. Si rregull, nënshkrimi traktateve të miqësisë dhe bashkëpunimit nënkupton shkallën më të lartë të kuadrit ligjor të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe sigurisht dhe zgjidhjen e plotë të problemeve të trashëguara nga historia apo atyre aktuale në marrëdhëniet dypalëshe.

Problemet apo mos marrëveshjet shqiptaro-greke janë të shumta. Ato fillojnë që me krijimin e shtetit shqiptar dhe gradualisht kanë ardhur vazhdimisht duke u shtuar. Lindja e tyre e ka bazën në politikën aspak miqësore por agresive dhe shovene të shtetit grek. Ato e kanë burimin në platformën greke të “Megali Idesë“ miratuar nga parlamenti grek qysh në vitin 1864. Qëllimi i tyre ka qenë dhe është asimilimi dhe zhdukja graduale e kombit dhe shtetit shqiptar e gllabërimi territoreve shqiptare nga lumi Shkumbin e poshtë. Pasojat e kësaj platforme, kanë qenë shumë të dhembshme për kombin shqiptar (vrasje dhe dëbime masive nga trojet e tyre etnike, gllabërim të trojeve, pasurisë, mos respektim të shqiptarëve në Greqi të cilët nga një grup shumë i madh disa milionësh, po i çojnë drejt zhdukjes duke u mohuar çdo të drejtë njerëzore. Por, ky shtet nuk është mjaftuar me kaq. Ai në zbatim të planeve të tij e vazhdon këtë luftë pa mëshirë me synim arritjen e qëllimit final.

Socialistët erdhën në pushtet pas nënshkrimit të marrëveshjes së ujërave. Atë ditë, në konferencën për shtyp, ministria e P.J. greke, Bakojanis, e qeshur deklaroi: për pronat të vendosë drejtësia(shkurt 2013). Do t’ i referohemi periudhës pas ardhjes në pushtet të socialistëve, jo se kanë marrë ndonjë nismë konkrete për realizimin e këtyre rekomandimeve; por sepse për here të pare u fut në programin e një qeverie shqiptare problemi çam dhe se kjo qeveri ka mbajtur disa qëndrime të drejta në debatet me palën greke duke shtyrë atë të bëjë deklarata kontrakditore dhe absurde, që herë pranon dhe herë mohon çështjen çame. Ato kanë treguar se sa hipokrite dhe pa bosht është politika greke dhe sa e cekët ajo shqiptare. Prandaj, kur mbetet edhe pak muaj nga qenia në fuqi e këtij traktati, Shqiptarët me të drejtë pyesin: Rekomandimet e këtij traktati a kanë pasur ndonjë ndikim në marrëdhëniet tona dhe zgjidhjen problemeve që kemi me ata? Sa janë zbatuar rekomandimet e këtij traktati për të, për zgjidhje e probleme të shumta që kemi ne shqiptarët me grekët? A janë bërë marrëdhëniet tona më miqësore apo ka ndodhur e kundërta? A është vendosur drejtësia e premtuar nga pala greke?
Dihet që traktatet, kanë karakter rekomandues dhe për t’ u zbatuar, duhet krijuar kuadri ligjor. Historia njeh shumë raste të mos zbatimit të tyre, ku më i spikaturi është midis Gjermanisë Naziste dhe B.S.. Për zbatimin e traktateve hartohen marrëveshje të ndryshme dypalëshe juridike, që krijojnë bazën ligjore të vënies në jetë të neneve të tij. Po në rastin tonë çfarë ka ndodhur? Nga pala shqiptare, aktet nënligjore u hartuan dhe firmosën duke i bërë kështu të zbatueshëm rekomandimet e neneve të tij. Nga kjo mbajtje e premtimeve, pala greke ka përfituar shumë dhe pikërisht
• Minoritarëve në jug i’ u fal toka dhe i kaloi në pronësi. Me këtë grekëve ne u falëm dy gjëra të pa merituara:

  • Së pari, nga ardhacakë që ishin u “bënë“ “autoktonë” të pa merituar në tokat tona (aq shumë të ëndërruar në shekuj nga Greqia).
  • Së dyti, nga pas ardhës refugjatësh dhe pa trashëgimi që ishin, u bënë pronarë.
  • U nënshkruan marrëveshjet për ndërtimin varrezave të ushtarëve grekë
  • U nënshkrua marrëveshja për kufirin detar.
  • Po ashtu janë nënshkruara dhe marrëveshje të shumta ekonomike që kanë qenë në favor të tyre,
  • Marrëveshje në fushën arsimit.

E kundërta ka ndodhur me detyrimet e palës greke në funksion të zgjidhjes së problemeve shqiptare, duke i lënë ato që të jenë si më parë. Kështu, nuk është zbatuarnenin 1, i cili thotë: deklarohet me solemnitet se dy vendet : “do ti krijojnë marrëdhëniet e tyre mbi bazë të besimit, bashkëpunimit dhe respektit reciprok. Palët angazhohen të respektojnë kufijtë ekzistues, në përputhje me Aktin final të Helsinkit, dhe Kartës së Parisit (dokumentet bazë të OSBE), dhe të respektojnë parimet e sovranitetit, integritetit territorial, barazisë së të drejtave ( …..), veç të drejtave dhe lirive themelore edhe të drejtat e pakicave”.

Por, për hir të së vërtetës duhet theksuar se jo më pak faj ka edhe politika shqiptare që asnjëherë nuk ka kërkuar zbatimin e nenit 3 që parashikon: “Palët angazhohen që në rast mosmarrëveshjesh të përdoren mjete paqësore në zgjidhjen e tyre të parashikuara nga karta e OKB-së”.

 

Mos marrëveshjet apo problemet Shqiptaro – Greke

Në këto vite, ndryshe nga angazhimet që merr pala greke, asnjë nga qeveritë që kanë qeverisur këtë 19 vjet nuk ka krijuar kushtet për vënien “e marrë dhënieve tona mbi bazën besimit reciprok bashkëpunimit dhe respektit reciprok”. Por, a ka realisht midis grekëve dhe shqiptarëve besim reciprok? Fatkeqësisht Jo. Po të kishte besim, nuk do të ekzistonin kaq shumë mos marrëveshje.

Në përgjithësi, nënshkrimi i traktatit ngjalli shpresa tek një pjesë e shqiptarëve. Themi kështu, se pjesa intelektuale ishte skeptike mbasi e dinte thënien proverbiale: “mos i beso grekut edhe kur të fal dhurata”. Mos zbatimi i rekomandimeve të këtij traktati bëri që ky mosbesim në vend që të eliminohej, fatkeqësisht erdhi në rritje. Që të zgjidhësh një problem, e jo më kaq shumë sa kemi ne, duhet ta fillosh nga shkaqet, rrënjët e tij. Fatkeqësisht, politika shqiptaro greke bazohet në parulla e retorika bajate si dje në kohën Enverit se jemi “ dy popuj miq” edhe sot në këto 27 vjet me atë greke “jemi vëllezër”. Realisht nuk mund të mohohet prania e miliona shqiptar]ve ne Greqi (qofte edhe të asimiluar sepse një proverb arbëresh, (që patjetër duhet të ekzistojë edhe në Greqi mbasi ata janë pas ardhës të Arvanitasve) thotë: “Lisi thahet, rrënjët jesin (mbesin)”). Prania e këtyre lidhjeve gjenetike e mban gjallë këtë ndjenjën e miqësie. Fakti që me mijëra shqiptarë sot jetojnë e punojnë paqësisht në shtetin grek, e vërteton këtë. Por edhe mos besimi shqiptar e ka një bazë historike, që megjithëse pritej që me nënshkrimin e këtij traktati të eliminohej, moszbatimi i tij në zgjidhjen problemeve shqiptare solli rritje të ndjeshme. Prandaj, përpara se të përshkruajmë se cilat janë këto mosmarrëveshje apo probleme (të grupuara), le të shikojmë pse kanë lindur ato dhe pse vazhdojnë të ekzistojnë. Mandej, bazuar në këto të shohim rekomandimet që jep traktati. Bazuar në këto ne do shprehemi edhe për rrugët që mendojmë se mund t,i shërbejnë zgjidhjes së tyre. Problemet shqiptaro greke, në kohën e sotme kanë arritur në rreth 90. E megjithatë, mund të përmblidhen në tre grupe.

  1. Gjenocidi Grek ndaj Shqiptarëve.
  • Fillesa e armiqësisë shqiptaro greke
  • A kanë kryer grekët gjenocid ndaj nesh dhe pse duhet t’ ua kujtojmë. Çfarë na thotë historia, për atë se si na trajtuan ata, kur ne mundoheshim të ndërtonim themelet e shtetin tonë.

Kur ne, shqiptarët, pas një kalvari të gjatë, me luftëra dhe përpjekje heroike, duke shpenzuar shumë mund, djersë dhe derdhur gjak, fituam pavarësinë me një shtet të cunguar, grekët dhe fqinjët e tjerë, u përpoqën të n’a eliminonin fare si komb. Faktet tregojnë se, ndryshe nga sa kishim bërë ne, në revolucionin e tyre, ata jo vetëm që nuk n’ a ndihmuan por përkundrazi u përpoqën dhe deshën të na gllabëronin (dhe fatkeqësisht ende sot kërkojnë, bazuar në harta të publikuara në muzetë historike) territoret tona deri në Shkumbin. Por, duke qenë ngjarje të ndodhura 200 vjet e këtej, kohë kur bota kishte hyrë në rrugën e qytetërimit, historia i ka dokumentuar mirë ato. Përmendim Z. Xhorxh Fred Williams, i cili në vitin 1912-14 ishte ambasador i ShBA në Greqi dhe në Mal të Zi, si dhe për Shqipërinë vëzhgues i Komisioni Ndërkombëtar në Durrës. Duke qënë dëshmitar i dramës shqiptare, shkroi një libër të shkurtër me titull(“Shqiptarët”1936), ku sjell fakte rrëqethëse për barbaritë greke në Shqipërinë e Jugut. Është fatkeqsi, që shumica e shqiptarëve të sotëm, nuk dinë gjë për këtë gjenocid, dhe për më tepër politika e jonë hesht. Në emër të “miqësisë”, kombit shqiptar i janë fsheshur, si dje nga rregjimi i Enver Hoxhës dhe këto 27 vjet nga rregjimet ”demokratike” të vërteta rrenqethëse. Ky diplomat i një vendi të pangazhuar dhe prezent në teatrin e veprimeve dëshmon se në ato kohë: u dogjën mijëra shtëpi në 400 fshatra të Shqipërisë së jugut dhe u dëbuan me forcë nga vatrat e tyre rreth 100 000 shqiptarë që shkuan drejt Vlorës për të shpëtuar kokën. Në total sipas të dhënave të dokumentuar, në këto ngjarje 30 000 shqiptarë (të tjerë flasin për 50 000) vdiqën; shumica të vrarë, një pjesë u therën nga ushtarët grekë, të ashtuquajtur “andartë” pa bërë dallim nëse ishin pleq, fëmijë, apo gra shtatzëna. Ky autor në kujtimet e tij të shprehura në libri,”Shqiptarët”(T.1936) thekson se, në atë kohë, popullsia e shtetit shqiptar shkonte rreth 560 000. Nga përllogaritjet del se 5.4 % e saj është masakruar dhe 17 % është përzënë nga vatrat e saj, duke i djegur shtëpitë dhe marrë pasuritë A nuk ka qenë gjenocid i pastër ky dhe a nuk duhet, që të paktën Greqia t’ i kërkojë falje shqiptarëve? Sot, në kundërshtim me këto fakte historike, dalin një grup “ambasadorësh” grekë dhe deklarojnë se shtetin shqiptar e krijuan të huajt përfshi edhe grekët. Këta “zotërinj” duke u treguar “bukë shkelur”, gjë që nuk i nderon aspak, harrojnë të kundërtën ndihmën që u kanë dhënë shqiptarët, e cila ishte përcaktuese në krijimin shtetit të tyre. Ata vetë deklarojnë se midis 100 heronjve më të shquar të revolucionit grek mbi 80 janë shqiptarë (TV SKY-2012).

Por shteti grek nuk u mjaftua me kaq, (qeveritë dhe kisha e tyre) vazhduan luftën me ne. Dhe, megjithëse në konferencën e Parisit i u prenë shpresat për rishikimit të kufijve të cunguar të Shqipërisë, ndryshe nga sa premtonin, filluan të pastronin banorët shqiptarë autoktonë me fe myslimane dhe nënshtetësi greke të mbetur në trevat e atij shteti. Ne, nuk mund të harrojmë ngjarjet e dhembshme të viteve 1923-24, kur me pa të drejtë, në zbatim të Traktatit të Lozanës për shkëmbimin e popullsisë me kombësi turke që banonte në shtetin grek me të krishterë që banonte në shtetin turk (mbeturina të perandorisë bizantine), u përzunë me dhunë. Një pjesë e mirë e banorëve autoktonë që nga lashtësia, në treva Follorinë, Kostur, Hurupisht (Argos Orestiko), Konicë e Çamëri deri në Prevezë, u vranë e u prenë Në atë kohë grekët vepruan krejt ndryshe nga sa deklaronin. Kështu, në bisedimet e Lozanës ministri i jashtëm Caclamanos ka deklaruar, në seancën e 21 janarit 1923, dhe kjo është shkruar në procesverbalin e Konferencës se: “Nëse ata (shqiptarët) janë bashkë fetarë me turqit, ata nuk janë aspak bashkatdhetarë të tyre,, dhe më tej sipas faqes 13 rreshti fundit i procesverbalit thekson: Greqia ka propozuar të hiqet dorë nga ky akt padrejtësie, sepse ne nuk kemi të drejtë të nxjerrim jashtë popullsi nga një territor ku ata kanë banuar shekuj me radhë”. Po ky person, ka deklaruar përpara nën komisionit për këmbimin popullsive, në seancën e mbajtur më 19 janar 1923 se: “shqiptarët banojnë në një territor të përcaktuar qartë, Epir,,(K. Naska “Dok.Çamërinë,, 1999 fq. 87). Gjithashtu, edhe vetë Venizellos kryeministër e kryetar i delegacionit grek në konferencën e Lozanës, më 3 shtator 1923 i ka dërguar një letër qeverisë shqiptare nga Legata e Greqisë në Tiranë ku thuhet: “Me anë të letrës së 13 korrikut ju keni pasur mirësinë të kërkoni që qeveria që Greqisë të respektojë angazhimet marra ndaj Shqipërisë, lidhur me marrëveshjen mbi këmbimin popullsisë, të vendosur midis Turqisë dhe Greqisë në Lozanë. Jam i ngarkuar dhe është kënaqësi për mua ti bëj të ditur Shkëlqesisë Suaj se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i qeverisë greke shmangia nga angazhimet solemne të marra në Lozanë, të cilat ajo do ti respektojë me skrupuzolitet, si për sa i përket shqiptarëve myslimanë shtetas të huaj, po ashtu edhe grekë, pasuritë e të cilëve ndodhen në Greqi, njëlloj do të përjashtohen nga këmbimi i parashikuar”.(shih. dok. për Çamërinë) Grekët, duke përdorur dhunën i detyruan shqiptarët e këtyre trevave që të shpërngulen dhe vendosen shumica në Turqi dhe një pjesë edhe në Shqipëri. Nuk dihet numri i mirë i shqiptarëve të shpërngulur në kohë nuk dihet, por mendohet se janë jo më pak se 100 000 vetë. (“Dokumente për Çamërinë). Dhe, dihet që ajo pjesë e shqiptarëve të Çamërisë që mbeti pa u dëbuar në vitin 1924; u dëbua, duke përdorur edhe gjenocid, në vitin 1944.

Në kuadrin e këtij traktati parashikohet që edhe historia duhet rishkruar. Dakord, por jo me atë qëllim që e kërkon pala grekët (fshirjen e fakteve historike rrëqethëse, por me qëllim pasqyrimin real të atyre). Kjo do bëjë që brezi i ri i sotëm dhe ata që do të vinë, të mësojë kush jemi, nga vimë, dhe çfarë ka ndodhur midis nesh. Në tekstet shkollorë të historisë, sot kjo nuk shkruhet dhe brezat e rinj nuk e dinë të vërtetën. Miqësia forcohet duke thënë pranuar të vërtetën dhe jo duke mos e përmendur atë. Nuk mund të shkruhet që nga Follorina-Kosturi e deri Konicë e Grebene janë treva greke, kur Pouqueville “mik” i grekëve shkruan: “ … arritëm në rrethinat e Konicës dhe Grebenesë, fshtrat greke filluan të rrallohen. Mbi këto vendbanime nuk ka më fshatra greke. Hymë në në krahinë e Kosturit ku ndryshe nga pjesë të tjera të pashallëkut të Aliut, mungon hasmëria dhe hajdutëria” (Pouqueville. Udhëtim në Epirin e Veriut). Këtë frazë e mbaj mend mirë se jam me origjinë nga ky Epir Verior shqiptar, ku nuk ka ekzistuar këmbë greku (pra jo grekë siç pretendohet në hartat e tyre). Po kështu, si shembull konkret dhe shumë domethënës, përmendim rastin e GJENOCIT GREK në Panaritit të Korçës, kryer në 12-14 korrik të vitit 1914, ku u therën 474 shqiptarë. Nuk është dinjitoze që asnjë institucion qeveritar shqiptar, apo dhe akademik, në përvjetorin e kësaj masakre (që është një pjesë e vogël nga ajo që ndodhi në Shqipërinë e Jugut në këto vite) nuk kujtohet të thotë një fjalë. Pse shteti dhe shoqëria shqiptare nuk e përkujtojnë atë ashtu si duhet? Edhe sivjet, asgje nuk ndodhi. Si nuk u kujtua njëzyrtar, ose një media të thoshte një fjalë. Përse Universitet e Korçës dhe Gjirokastrës, në trevat e të cilave ndodhi gjenocidi grek ndaj shqiptarëve në ato vite, nuk organizuan së bashku një simpozium përkujtimor? Sjellja në këtë mënyrë nuk e nderon qeverinë shqiptare në pushtet.

Miqësia nuk forcohet duke falsifikuar historinë, siç bën pala greke; dhe as duke heshtur, siç vepron pala shqiptare. Me faktet historike duhet ballafaquar me drejtësi, urtësi dhe pa anësi, sepse edhe po u munduam t’ i fshehim ose falsifikojmë ato, janë të tjerët që do ta shkruajnë ashtu siç ka qenë ose ndodhur realisht. Ka ardhur koha që t’ i pranojnë ato, dhe kur bëhet fjalë për ngjarjet historike që nuk mund t’ i ç’ bëjmë, siç është gjenocidi, të paktën të kërkojnë falje që pala e cila ka vuajtur të mos kalojë në pretendime të tjera edhe më të rënda.

  1. Problemi i dytë i madh me Greqinë është ai i pronave të shqiptarëve në shtetin grek, njohja e minoriteteve dhe respektimi i të drejtave të njeriut për shtetasit grekë me origjinë shqiptare (Arvanite) ose jo, që banojnë atje

Pronat. Pritshmëria më madhe e shqiptarëve, ka qenë dhe është kthimi i pronave, sepse ky problem do të zgjidhte edhe shumë probleme të tjera. Kjo pritshmëri, me të drejtë mbahet ndezur sidomos pas nënshkrimit të traktatit, sepse në nenin 15, deklarohet: “secili prej vendeve nënshkruese në përputhje me kuadrin ekzistues ligjor, angazhohet të heqë të gjitha vështirësitë, që pengojnë në gëzimin paqësor të pasurisë së shtetasve të secilës palë kontraktuese, të pranishme në territorin e shtetit tjetër kontraktues”. Nga historia dihet se Greqia e veriut ka qenë e banuar në shumicë nga Shqiptarë. Ata, në shumicë kanë ikur (zbatimi traktatit të Lozanës ) dhe ata që mbetën janë asimiluar ose janë në proces asimilimi. Por, ama pronat, që të gjithë i kanë atje. Tapitë e tyre ekzistojnë në arkivat osmane dhe greke. Por në këto 19 vjet, qeveritë greke duke mos krijuar akte nënligjore në funksion të zbatimit të rekomandimeve të nenit 15, kthimi i tyre ka qenë ës i pa zbatueshëm. Për kthimin e tyre duhet një akt i thjeshtë, heqja e “ligjit të luftës” sepse në traktat thuhet “deri sa ligjet për shpronësimet të jenë përshtatur me dispozitat e kësaj kushtetute, shpronësimet e kryera apo që do të shpallen, do të kryhen sipas dispozitave në fuqi, në kohën kur do të ndryshohet kjo kushtetutë”.
Rikthimi i shqiptarëve të dëbuar. Neni 15 parashikon jo vetëm kthimi por edhe “gëzimin paqësor të pasurisë së shtetasve të secilës palë kontraktuese, të pranishme në territorin e shtetit tjetër kontraktues”. Në shtetin shqiptar, jetojnë disa qindra mijë vetë të përzënë me dhunë nga trojet e tyre amtare në Greqi. Shumica e tyre janë çamë, por ka edhe me dhjetëra mijëra të tjerë nga trevat e Kosturit, Follorinës, Konicës e më gjerë “Çështje Shqiptare apo Çështje Ҫame me Greqinë” Voal.ch | December 12, 2015. Ata atje kanë varret e të parëve, shtëpitë ku kanë lindur vetë ose prindërit e tyre dhe pasuritë. Politikanëve grekë duhet t’ u kujtojmë se treva Çame është shumë e vogël në krahasim me trevat e tjera shqiptare në Greqi dhe thënia e tij se “Sa i përket çështjes çame,…. ata që kërkojnë prona sot në Greqi janë fëmijët e bashkëpunëtorëve të nazizmit” nuk qëndron. Pasardhësit e atyre të dëbuar më 1924, dhe kanë shtëpitë dhe pronat në shtetin grek, nuk mund që të kenë qenë bashkë punëtorë me ata në vitin 1944. Por në Greqi nuk ndodhen vetëm pronat e çamëve siç shkruhet rëndom. Atje kanë prona edhe shqiptarët e përzënë me dhunë nga trevat e tjera shqiptare në Greqi, si dhe ata që në ato kohë nuk kanë qenë banorë autoktonë, por kanë banuar në Shqipëri dhe kanë pasur prona atje. (M.Nazarko.“Lufta e fundit fq. 91.Tiranë).

  • Njohja e minoriteteve. Në kuadrin e të drejtave të njeriut ekziston një problem tjetër shumë i madh midis Greqisë dhe Shqipërisë, ai njohjes dhe respektimit e të drejtave dhe lirive themelore për shqiptarët. Në traktat parashikohet njohja e minoriteteve dhe mbrojtja që të drejtat të tyre. Arvanitët në Greqinë sotme banojnë në 645 a më shumë fshatra.(At Antonio Bellushi “Richerche e studi tra gli Arberori Dell’Ellade,,). Po sa shqiptarë të krishterë jo arvanitë me origjinë nga trevat ku shqiptarët u përzunë me forcë në vitet 1924-47, jetojnë në Greqi? Le t’ u shtojmë këtyre dhe mijëra të tjerë që kanë shkuar nga Shqipëria pas vitit 1990 duke u bërë qytetarë grekë. Shteti shqiptar ka të drejtë t’i kërkojë nga Greqia njohjen e të drejtave për minoritet për këta person që me siguri e kalojnë milionin. Këto të drejta, madje sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, minoritarët grekë i gëzojnë në Shqipëri. Këtë e grekë e pranojnë edhe vetë. (G.Shekulli.3.2.016). Pra edhe Arvanitët, kanë të drejtë të gëzojnë po ato të drejtat që minoritarët grekë i kanë fituar me kohë (të drejtën trajtimit si minoritet dhe shkollën në gjuhën shqipe. Ky është një problem i madh dhe i pa ngritur deri më sot nga ndonjë qeveri shqiptare, këtë vit është ngritur në parlamentin Evropian (komisioneri Hann)
  • Arsimi shqip në Greqi. Në kuadër të rekomandimeve të këtij traktati, duhet bërë edhe hapja e katedrave e deri universitete shqiptare në Greqi sepse deri më sot jemi kënaqur me disa shkolla shqipe, të cilave nuk u lejohen as libra nga Shqipëria? Është koha e reciprocitetit.. Sa të tilla kanë ata tek ne? Shqiptarët i gëzon fakti që qeveria e tyre po zgjohet, por politikanët grekë në politikanët shqiptarët ende “gjejnë shesh dhe bëjnë përshesh”. Kjo është dhe arsyeja pse grekët e mohojnë minoritetin e madh shqiptar në Greqi dhe shpikin të tillë në Shqipëri atje ku realisht nuk ka (Himara).
  1. Problemi i tretë madhor, por jo më pak i rëndësishëm është ai i nënshkrimit të Marrëveshjes për Kufirin

Në Traktatin e Miqësisë ceket ky problem. U bënë 105 vjet që kufijtë midis nesh, edhe pse të vendosur padrejtësisht në favor të grekëve, ata nuk i pranojnë por luftojnë me të gjitha mënyrat për detin, duke kërkuar sipërfaqe të pamerituara si dhe Epirin e Veriut duke pretenduar deri në Shkumbin. Theksoj edhe një herë atë shkrova më sipër:Grekët, harrojnë se para ardhësit e tyre të lavdishëm n’ a kanë bërë ne shqiptarëve një të mirë të madhe duke na lënë dokumente të shkruara për” sinoret” tona si fqinj. Ato janë “testamente” që nuk u japin të drejtë grekëve të sotëm për “Vorio-Epirin”që ata e kërkojnë me aq këmbë ngulje. Atëherë pse nuk zgjidhjen këto probleme kaq të thjeshta në dukje, ndërsa baza ligjore ndërkombëtare ekziston, kurse grekët i tjerrin dhe i tjerrin pa pushim si pëlhurën e Penelopës? P. Xhufi, historian dhe politikan thekson: “mbajtja nën sekuestër e pasurive të shtetasve shqiptarë në Greqi nuk është i vetmi dhe më i rëndësishmi implikimi Ligjit të Luftës. Mbi të gjitha ai i lejon çdo qeverie greke të mbajë të ndezur të ashtuquajturën “çështje të Vorio Epirit”. Ndërsa e shfrytëzon “realitetin paqes” për të intensifikuar depërtimin ekonomik dhe kulturor në Shqipërinë e Jugut” Këto fakte, politikanët shqiptarë, si ata që e nënshkruan dhe këta të sotmit, nuk janë aq injorantë për të mos i ditur. Por cilat janë rezultatet e tij. Të mbështetur nga ligji i luftës, qarqet ekstremiste greke, që kanë pretendime territoriale ndaj vendit tonë me një aneksim të butë të Shqipërisë së jugut, ashtu siç shpresonin, arritën disa qëllime kurse ne asnjë. Vallë, mos nën shkrimi i marrëveshjes për kufirin është në funksion të kësaj ëndrre.

Këto probleme mund dhe duhet të zgjidhen. Ka ardhur koha që në marrëdhëniet Greko – Shqiptare duhet bërë një “Revolucion Paqësor”. Ky revolucion duhet bërë me seriozitetin më të madh, së pari duke hequr ligjin e luftës, bazën e politikës dashakeqe dhe qesharake të Greqisë ndaj Shqipërisë, dhe duke zbatuar klauzolat Traktati Miqësisë. Në këtë procedurë duhet të sillemi si të barabartë, pa u munduar t’i a hedhim njeri tjetrit. Kryerja e tij të bazohet normat dhe ligjet ndërkombëtare, të cilat nuk mungojnë, Sot, shqiptarët më shumë se kurrë e kanë të qartë se rruga e tyre për në Evropë, nuk kalon nga Athina siç pat deklaruar dikur kryeministri i ynë Z. Fatos Nano dhe Z. Anastas Angjeli. Ky “Revolucion Paqësor” duhet bërë qoftë edhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare (gjykata). Kryerja me sukses e tij është në të mirën e të dy popujve.

“Lufta” nuk është thjesht për pronat, por mbi të gjitha një luftë për njohjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, ku futen edhe shqiptarët e krishterë që jetojnë anë e kënd Greqisë. Bazuar në këto që thamë, ritheksojmë se ndërsa flitet për problem Çam me Greqinë, realisht ka problem Shqiptar dhe jo thjesht problem Çam. Politikanët e të dy palëve duhet të mësohen dhe ta pranojnë dhe luftojnë për këtë zgjidhje. Ata duhet ta kenë parasysh se pa u zgjidhur problemet që ekzistojnë midis dy shteteve tona, edhe Evropa nuk do gjejë qetësi.

Politika Greke nuk mund t’u a mohojnë përjetësisht shqiptarëve të drejtat që kanë. Mohimi shkakton padrejtësi, dhe padrejtësia shkakton reagim për t’ a luftuar atë.Shqiptarët kanë të drejtë të revoltohen. Politika Greke, në vend që të merren me deklarata të tilla, si “epokë të re në marrëdhëniet greko-shqiptare” të cilave u ka ikur koha; duhet të merret seriozisht me zgjidhjen konkrete të problemeve. Realisht midis nesh nuk mund të ketë një “epokë të re” për derisa grekët jetojnë dhe veprojnë me mendësitë e vjetra. Kjo epokë do të fillojë kur ata të heqin dorë prej qëndrimit jo miqësor ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

Nga ana e saj, politika shqiptare dhe pikërisht Kuvendi dhe qeveria si levë e tij, duhet të kërkojë sa më parë zbatimin konkret të Traktatit të Miqësisë. Mendojmë se duhet kopjuar eksperienca e vendeve të zhvilluara (si p.sh. Gjermania) që në parlamentet e tyre, kanë komisione të përhershme që merren me problemin e bashkëkombësve të tyre jashtë shteti amë. Në ndihmë të këtij komisioni do të ishe me vend krijimi i një institucioni të posaçëm pranë Avokatit të Popullit me zyra dhe fonde të nevojshmeqë do të funksionojë deri në zgjidhje problemeve që ne shqiptarët i kemi si trashëgim nga historia më shumë se kombet e tjera. Gjithashtu mendoj se në këtë problem opozita duhet të luajë rol të dorës së parë, sepse zgjidhja e problemeve kombëtare ka më shumë rendësi se sa ardhja e saj në pushtet.

Politikanët Shqiptarë duhet të kuptojnë një herë e mirë se shteti grek punon dhe investon çdo orë, çdo ditë, çdo javë, muaj e vite, me pagesa e pensione, me korruptime, presione e shantazhe dhe agjentura. Kjo bazohet në strategjinë e tij afat gjatë (që fatkeqësisht ne nuk e kemi). Kjo është politika e shtetit grek. Politika e shtetit tonë duhet të përshtatet me atë, duke u bërë me aktive dhe parashikuese.

Si përfundim

  • Politika greke kërkon që Shqiptarë e Grekë të jetojnë si dikur, “si vëllezër”
  • Ne mendojmë se kjo do të ndodhë atëherë kur që ata të pranojnë, dhe zbatojnë :
  1. Respektimin e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për minoritetet.
  • Së pari: duke i njohur ata si të tillë (duke filluar nga Arvanitët, shqiptarët e krishterë të mbetur në shtetin Grek pas shpërnguljes me dhunë të myslimanëve që nga viti 1912 e deri në 1947, si dhe të shqiptarëve të ardhur këto 25 vjetët e fundit në Greqi dhe që kanë vendosur të rinë atje.
  • Së dyti: duke u dhënë këtyre, të drejtat që u takojnë minoriteteve, ashtu siç u a kemi dhënë ne minoriteti grek në Shqipëri. Kryesorja është e drejta e përdorimit dhe e shkollimit në gjuhën amtare
  1. Kthimin e pronave shqiptarëve. Këtu janë dy kategori.
  • Së pari: Shqiptarë që janë me origjinë nga trojet e tyre etnike në Greqi, por që banojnë në Shqipëri, dhe që bazuar në ligjet dhe traktatet ndërkombëtare kanë të drejtë që jo vetëm të kthehen në vatrat e tyre stërgjyshërore por edhe të marrin pronat që kanë.
  • Së dyti: Shqiptarët që paraardhësit e të cilëve kanë banuar në shtetin Shqiptar, por që sot banojnë në shtetin shqiptar apo edhe kudo në botë; dhe kanë dokumente për prona në shtetin grek t’u krijohet mundësia sipas nenit 15 të traktatit të miqësisë ti marrin ato dhe sipas dëshirës t’i administrojnë ose shesin.
  1. Njohjen e kufijve, me qëllim që të jetojmë në paqe dhe miqësi, siç patëm jetuar dikur.

 

 

 

Çfarë pritet të ndodhë, në këtë vit që ka mbetur deri në skadimin e këti. Traktati. A do të njihet e zbatohet sa duhet, e drejta ndërkombëtare nga politikanët shqiptarë dhe grekë

Në fund, pasi përshkruam se Traktati i Miqësisë nuk solli asgjë të re për Ne Shqiptarët, nduke mos zgjidhur ndonjë problem, bëjmë pyetjen e thjeshtë por të vështirë në përgjigje: çfarë do ndodhë këtë vit të fundit që ky traktat është ende në fuqi?. A do zgjidhen problemet tona?. Duke pasur parasysh se si janë zhvilluar ngjarjet këto 27 vjet dhe sidomos ato të 4 vjetëve të fundit, dhe sidomos pas deklarateve te kohëeve të fundit të ministrit te jashtëm Kotziaz, nuk mund të presim diçka të re serioze. Kjo kërkon nisma, studime dhe veprime serioze, që për këtë periudhë të shkurtër që ka mbetur, nuk mund të kryhen. Me gjithë atë, një përshkallëzim në rritje i kërkesave nga pala shqiptare do t’ a bënte me lehtë punën për zgjidhjene tyre, megjithë kembë ngulen e pa precedent, dhe pa të drejtë greke.

 

*Prof. As.dr. Agim Koçillari

Kryetar i shoqatës “Shqiptarë me prona në Greqi

Rr.Artan Lenja-39.H1 ; Tel. 042221923.Cel: 0666556840. E-mail//shaqir.beqir@gmail.com

Please follow and like us: