Albspirit

Media/News/Publishing

Blerina Shalari: Disa shënime mbi filmin “Amnistia”

Mbrëmë ne tv sh ndoqa me vëmendje filmin shqiptar “Amnistia” me regjizor Bujar Alimanin. Në rradhë të parë kënaqem kur dëgjoj se prodhohen filma të rinj, sepse si adhuruese e filmit dhe teatrit sigurisht që kam nevojë për to, për frymën që sjellin, inspirimin, edukacionin e shumë gjëra të tjera. Në Shqipëri, çdo film që shfaqet premierë është një lajm patjetër, por në fakt, bashkë me çudinë e ligjshme të premierës, duhet të përbëjë lajm edhepërmbajtja, loja, ngjarja, muzika, imazhi e shumë komponentë të tjerë. Mirëpo ç’ndodh? Kalon 5 minuta film, dhe s’kuptohet gjë, kalojnë edhe 5 të tjera, dhe ti mendon se duhet kohë për ti shtjelluar ngjarjet, dhe prapë s’duket gjë. Personazhet, ose rrinë si manekinë përballë njëritjetrit, dhe s’flasin fare, ose edhe ato që thonë, janë pakuptim. Kam dëgjuar ca fjalë sikur dikur filmat ishin më të përqëndruar nga përmbajtja, kurse tani, janë më filma, domethënë duhet t’iu lexosh imazhin. Tani, meqë unë e kam të vështirë të lexoj imazhin, a mund të më thotë ndonjëri, çfarë vlere ka, të mos flasësh, të mos shprehësh, vuajtje, gëzim, të gjitha gjërat e jetës? Kjo ka disa arsye:
E para, regjizorët gabojnë rëndë kur marrin përsipër edhe skenarin, edhe regjinë, vetëm e vetëm për ta përqëndruar filmin në dorën e tyre, dhe kjo ka sjellë dëmtimin e rëndë të themelit të filmit, që për mua është skenari.
E dyta, aktorët duhet të zgjedhin çfarë luajnë, sepse jo gjithshka bën për tu luajtur, duhet që personazhi i tyre të rrezatojë diçka, të japë një mesazh dreqi ta hajë, se po nuk dha arti mesazhe, kush do japë?
E treta:
Përse zgjidhen në film muzika shabllone, efekte shabllone nga interneti?
Si është e mundur që ti të mos e durosh dot një film që shfaqet për 2 orë dhe ty të duket një shekull?
Është e vërtetë që ne jetojmë në një mospajtim të skajshëm, por kjo nuk duhet të na bëjë më pak artistë. Ata që janë të rinj në këtë punë, të konsultohen me më të vjetrit, të afrojnë të bukurën, domethënësen tek vehtja, dhe jo të gënjehen nga një drekë ose 50 euro që mund të marrin për një punë gjoja aktori që ngjan me një figurant pavlerë. Art, do të thotë bukuri, mençuri, zemër, idil, frymëzim, kënaqësi, dashuri, intimitet, po edhe pastërti, vyrtyte dhe veti që disave iu ngjajnë të vjetëruara. Nuk mund ta kuptoj këtë servirje filmi me kamera ndezur, po pa fiksuar asgjë me vlera. Ndihem gjithashtu e keqardhur, që edhe muzika ka rënë në këtë derexhe, madje nga njerëz që janë të profesionit. S’di ç’të them më tepër.

Please follow and like us: