Albspirit

Media/News/Publishing

Entela Kasi: Letërsia ka një marrëdhënie me tejkohësinë

 

Nëse i kthehemi mjedisit shqiptar, sot në kohën e lirisë, unë kam frikë se në mjedisin tonë nuk duam ose nuk dimë të ndërtojmë ura, ndoshta ndaj dhe baladat tona për ura dhe kështjella që prishen në mes të ditës dhe natës janë kaq të forta dhe të dhimbshme.

Ne vijmë nga diktatura me pengje të mëdha historike, kemi kryer krime në kulturë, kemi zëvendësuar historinë me një surrogat, kemi deformuar ndërgjegjen tonë, kemi vrarë poetë, artistë muzikantë, dhe një pjesë e jona ka mbetur peng tek veprat kriminale që i ka kryer në diktaturë dhe po t’i shtosh kësaj edhe mentalitetin komunist që mbisundon në sjelljet e intelektualëve kupton se ky është ende një tranzicion social, kulturor dhe politik.

Më lejoni të them se disa nga këta i kanë ndërtuar karrierat e tyre duke kryer krime, mbeten njerëz me të shkuar të zezë, e kështu sot në apati eklipsojnë mjedisin kulturor duke krijuar banda edhe në kulturë, të cilat edhe pse të përkohshme janë të frikshme dhe të turpshme për një shoqëri, e cila duhet të kete qellim lirinë dhe integrimin. Mund të formatosh bestsellera dhe marketing, por jo shkrimtarë. Arti nuk emërohet. Letërsia ka një marrëdhënie me tejkohësinë.

Ne sot ende lexojmë dhe nga letërsia e gjuhës shqipe ne lexojmë Kadarenë, ashtu si Borgesin dhe Kafkën. Po të tjerët që na u servirën si të mëdhenj në diktaturë dhe tranzicion ku janë? Kjo është e trishtueshme, por edhe qesharake.

Please follow and like us: