Albspirit

Media/News/Publishing

Zamira Çavo: 10 arsye pse të rinjtë preferojnë të studiojnë jashtë vendit

Rreth 3- 4 mijë të rinj çdo vit largohen për të studiuar jashtë vendit. Arsyet ndoshta i mendojmë të gjithë, por unë po i rendis si më poshtë:
-Shteti vet po nxit në mënyrë permanente largimin e të rinjve jashtë vendit. Po të shikoni të gjitha vendet e lira të punës ose standardet që ka vendosur shteti ynë për kualifikime postuniversitare ose për gradime, vendos me përparësi “të ketë studiuar në një universitet te huaj”.
-Shteti ynë ka krijuar të gjitha kushtet që çdo ambasadë e huaja apo çdo OJF që mund të ofrojë programe studimi jashtë vendit, të ketë të gjitha kushtet ligjore për të vepruar. Dhe kjo do ishte shenjë shumë pozitive nëse do shoqërohej me politika të mirmenduara dhe mirëfinancuara për kthimin e gjithë kësaj force rinore dhe intelektuale në Shqipëri. Por jo! Shteti vetem nxit largimin, por nuk do t’ia dijë për kthimin!
-Nga ana tjetër shteti nuk bën gjë tjetër veçse pranon jodrejtpërdrejt, dobësinë e theksuar të universiteteve tona. E thënë më thjeshtë, shteti shqiptar nënvlerëson deri në skajin e fundit të diplomuarit në vend. Duket paradoksale pasi kemi katër vite që dëgjojmë për mrekullitë e reformimit të sistemit tonë universitar!
-Studimet në Shqipëri po sjellin çdo ditë e më shumë zhvlerësim të standardeve dhe propogandë demagogjike. Sistemi parauniversitar është futur në një qerthull ku mësuesi futet në testime pafund (asgjë nuk ka të bëjë me cilësinë) dhe ngarkohen me pafundësi shkresash që nuk do i lejojë mësuesit të kenë kohë fizike të përshtatet me të rejat e lëndës së tij.
– Ligji për arsimin e lartë ka mbetur aty ku nisi, pa infrastrukturën e duhur ligjore, duke u endur mes një anarkie administrative. Sa për cilësinë askush nuk interesohet!
– Largimi jashtë vendit nga të rinjtë që pretendojnë të studiojnë jashtë vendit, më së shumti lidhet me mundësitë që kanë këta të rinj për të qëndruar në shtete ku studiojnë. Një pjesë gjithnjë e më e vogël e atyre që kanë studiuar jashtë vendit, rikthehen në Shqipëri. Pra studimi jashtë vendit shihet si një mundësi për një qëndrim përfundimtare edhe nëse nuk përfundon studimet. Koha është e përshtatshme për të siguruar ndonjë vend pune.
– Dhe kur kthehen të rinjtë që kanë studiuar jashtë vendit, ndeshen në vend me “bërrylat” e atyre që kanë mbështetjen apo lidhjet e duhura nga politika. Zhgënjimi në këtë rast është edhe më i madh. Por rikthimi në vendin ku kanë studiuar shndërrohet më tej në një ëndërr të përditshme, por shumë herë më të vështirë për t’u realizuar!
– Por edhe nëse të rinjtë kthehen nga studimet e kryera me sukses jashtë vendit, sërish përballen me një pagë gati qesharake, (gjithnjë në paçin fatin e një vendi pune), që e shtyn sërish të riun apo të renë, të mendojë vetëm për largimin nga vendi!
– Shteti shqiptar, megjithëse ka propoganduar se ka programe të mira për kthimin e trurit, sërish nuk ka bërë asgjë reale për t’i integruar këta individë në jetën tonë. Të nxitur nga ëndrrat rinore të rinjtë studiuan në degë edhe të veçanta, të cilat as që kanë mundësi punësimi në vendin tonë dhe që fatkeqësisht askush nuk e vë ‘ujin në zjarr’ për t’i promovuar.
-Së fundmi: Një vend zhvillohet kur arsimi i tij pavarësohet dhe hap rrugët e dijes. Këtë e bën një politikë e mirë arsimore. Po cilës poltikë do t’i interesonte kjo? Ata që e kanë politikën si mjetin e tyre të fitimit e luksit ndërbrezor, ata kurrë nuk do impenjohen vërtetë për ta bërë arsimin shqiptar të vlefshëm e dinjitoz! Ata do vazhdojnë të promovojnë studime jashtë vendit, largimin e të rinjve si dhe dobësisë së sistemit arsimor në vend, për t’i hapur rrugë verbërisë mendore dhe pamundësisë për të reaguar!

Please follow and like us: