Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Xhevat Lloshi: Gabimi i një albanologu

Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri nga viti 1990 deri më 1993 dhe për së dyti prej vitit 1999 është historiani dhe albanologu Mikael Shmidt-Neke (Michael Schmidt-Neke). Ai është njëkohësisht anëtar i redaksisë së revistës së saj “Albanische Hefte”. Ka lindur më 5 korrik 1956 në Baden-Baden. E vizitoi Shqipërinë për herë të parë më 1975, pasi kishte mbaruar gjimnazin. Ndoqi degën e historisë e të gjuhëve të vjetra në Universitetin e Frajburgut. Tema e disertacionit të tij ka qenë “Lindja dhe ndërtimi i diktaturës mbretërore në Shqipëri (1912-1939)”. Shqipen e mësoi vetë dhe nga viti 1980 mori pjesë dy herë në seminarin ndërkombëtar, që mbahet në Prishtinë.

Ndihmesat e tij lidhur me historinë e Shqipërisë janë të panumërta. Në Manualin e Europës Juglindore (1988-1990) të Universitetit të Hamburgut ka redaktuar pjesën për Shqipërinë dhe ka botuar dy libra të tjerë më 2009 dhe 2015. Janë të shumtë artikujt e tij lidhur me vendin tonë dhe prandaj po rendis vetëm vitet e botimit: 1994, tre më 1999, 2001, 2005, 2006, 2009, dy më 2010, 2013, 2017. Ai ndjek posaçërisht bibliografinë për gjuhën shqipe në traditën më të mirë gjermane në këtë fushë.

Jashtë çdo dyshimi është një albanolog me vlerë dhe një mik i popullit tonë. Megjithatë, njerëz jemi dhe gabojmë.

“Südost-Forschungen” është një revistë e rëndësishme gjermane, që del një herë në vit që nga 1936-ta. U kushtohet historisë, kulturës dhe aspekteve të tjera të jetës së vendeve të Europës Juglindore. Në numrinn 58 të vitit 1999, në faqet 103-117 M. Shmidt-Nekja ka botuar një punim: Johann Adolf Erdmann Schmidts albanisches Wortverzeichnis (1822), domethënë fjalësi shqip i Johan Adolf Erdman Shmidtit i vitit 1822. Kurse më 2006 Shmidt-Nekja e ka përmendur përmbledhtazi te artikulli Të flasim me shqiptarët – Guidat gjuhësore për gjuhën shqipe deri në vitin 1945, në “Gjuha jonë”, nr. 1-4, f. 167.

Natyrisht, kërkohet në radhë të parë që të thuhen dy fjalë për autorin e doracakut.

  1. A. E. Schmidt (1769-1851) ka qenë një filolog gjerman, poliglot, autor i një vargu fjalorësh dhe librash për shtatë gjuhë; ka dhënë rusishten në vitet 1817-1847 në Universitetin e Lajpcigut, qytetit të tij të lindjes, dhe ka punuar si përkthyes në konsullatën e Saksit. Para vitit 1822 tashmë kishte botuar një libër mësimi për greqishten dhe një doracak për rusishten. Me gjithë vëmendjen e madhe për greqishten, del se asnjëherë nuk e kishte vizituar Greqinë. Për ne këto të dhëna kanë interes, sepse dëshmojnë që edhe libri i vogël i vitit 1822 nuk ka qenë një rastësi, po ashtu si interesimi i tij për diçka nga shqipja, kur ka gjetur mundësinë.

Vetë libri mban titullin gjermanisht Neugriechischer Dollmetscher nebt türkischem und albanesischem, botuar në Lajpcig. Shqip do të përkthehej Libër bashkëbisedimesh në greqishten e re, krahas me turqishten dhe shqipen, ndërsa titulli i plotë në kopertinë është: “Doracak i përkthyesit për greqishten e re, krahas me turqishten dhe shqipen. Përmban alfabetin, udhëzime për leximin, lakimin e zgjedhimet, fjalë dhe shprehje të shkurtra, bashkë me shqiptimin. Botuar nga M. J. A. E. Schmidt, pedagog i rusishtes dhe i greqishtes së re”. M. këtu është për: magistër.

Në “Parathënie” shtjellohet qëllimi i veprës, për t’u shërbyer atyre udhëtarëve, që do të shkojnë në Greqi, sepse lufta e këtij populli për liri ka tërhequr vëmendjen, dhe u duhet një udhërrëfyes i gjuhës “kur të shkojnë në luftë atje, ose kur të rivendoset qetësia përsëri në atë vend, të shkojnë e ta vizitojnë në paqe.”  Autori nuk e vë në dyshim, se përveç greqishtes, për udhëtarët atje janë të dobishme edhe mjaft fjalë të turqishtes e të shqipes. Është interesante, që në titull thuhet “albanesische”, ndërsa në parathënie pas kësaj vjen në kllapa (oder Schŧipitarische), që do të ishte “shqipëtarishe”. Edhe J. Ksilandri më vonë do të përdorte dy variante për të emërtuar shqiptarët, domethënë Albanesen edhe Schkipetaren. Po aq interesant është shënimi në fund, se fjalët turke mes gjermanëve “në mënyrë të gabuar” kanë nisur të shqiptohen me theks parafundor: ága, pásha, kádi.

Libri ka 84 faqe. Pas Parathënies në faqet 1-13 jepet alfabeti i greqishtes dhe shqiptimi i shkronjave, vijon një gramatikë e shkurtër e greqishtes. Në faqet 69-75 të fundit ka shprehje dhe shembuj përdorimi të greqishtes. Pjesa kryesore përbëhet nga 25 krerë tematikë, duke nisur me vitin, muajt dhe ditët e javës deri te XXV numërorët. Në anën e majtë të faqes jepet fjala e gjermanishtes dhe nën të disa herë del përkthimi shqip. Në kolonën e dytë del greqishtja dhe nën të përgjegjëset turqisht. Kolona e tretë është me shqiptimin e greqishtes. Është e qartë se doracaku synon kryesisht të ndihmojë gjermanët për të kuptuar greqishten. Si rrjedhim, në pjesën për shprehjet nuk paraqiten shqipja dhe turqishtja. Atëherë është e natyrshme të bëhet pyetja: përse kanë dalë këtu pjesërisht turqishtja dhe pak shqipja?

Përgjigjja për këtë pyetje shpjegohet me rrethanat historike, kur është hartuar e botuar doracaku. Kryengritja greke kishte tërhequr vëmendjen e gjithë Europës. Njëkohësisht ishin vitet e pashallëkut të Janinës dhe roli i Ali Pashës deri në ndërlikimin e gjerë me Fuqitë e mëdha të kohës e kishte nxjerrë në shkallë europiane faktorin shqiptar.

Për të dyja këto anë është e mjaftueshme të theksohet, se ato mishërohen më së miri në interesimin e Xh. Bajronit si për shqiptarët, edhe për grekët. Ndërkaq, nuk mund të harrohet, se ato vise ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe, për pasojë, ai që do të shkonte në ato vise do të gjente ndihmë në një libër, i cili do të përmblidhte të tria gjuhët. Megjithatë, për ne pyetja qendrore është: Ku e ka marrë lëndën leksikore të shqipes Johan Shmidti?

Sipas Shmidt-Nekes më 1999, fjalët janë të një toskërishteje jugore dhe do të jenë regjistruar nga grekë, të cilët nuk ishin të paktë në Lajpcig, madje prej tyre kishte edhe studentë të Johan Shmidtit, i cili nuk e njihte as shqipen dhe as turqishten, por mes grekëve kishte nga ata që flisnin turqisht dhe pak shqip. Përfundimi i Shmidt-Nekes është, se ky autor e ka nxjerrë lëndën e vet nga duar të dyta dhe nuk mund të përfshihet në albanologjinë shkencore, që e përfaqësojnë emrat e F. Bopit, J. Ksilandrit, J. G. Hanit. Sipas nocionit të sotëm që kemi për njësinë leksiko-gramatikore, ky fjalës ka 390 fjalë shqipe dhe as njëqind e ca siç shprehej Dh. Shuteriqi, as 386 siç i ka numëruar M. Shmidt-Nekja.

Do të më lejohet ta them shkoqur, se i gjithë trajtimi nga albanologu i vitit 1999 bie poshtë. Një i huaj, me gjithë përpjekjet e lavdërueshme për të përvetësuar shqipen, nuk mund ta ketë jo thjesht kompetencën e një folësi që e ka shqipen gjuhë amtare, por nuk e ka sidomos atë, që me një term të pasaktë do ta quaja “ndjenjën e gjuhës amtare”. Konkretisht, cilitdo shqiptar do t’i bënte përshtypje të madhe prania e çifteve sinonimike (të cilat Shmidt-Nekja i ka numëruar si 32) me një përpikëri që kurrë ndonjë grek dygjuhësh nuk do ta kishte. Këto çifte janë, p.sh. gjëmim-bubullimë; kusi-bakraçe; pëllëmbë-shuplakë; peronë-gozhdë; i zhveshur-lakuriq etj. Shpjegimi është rrënjësisht një tjetër.

Johan Shmidti nuk e ka njohur shqipen. Pasi e ka ndërtuar librin e vet të bashkëbisedimeve, është përpjekur ta plotësojë përkthimin pjesërisht edhe me shqipen. Fjalët shqipe të librit të J. Shmidtit janë marrë nga libri i W. Martin-Likut i vitit 1814 Researches in Greece. London. Gjithçka për shqipen e kam përkthyer me titullin: William Martin-Leake, Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe. Bota Shqiptare, Tiranë, 2006. Përveç parathënies së gjatë me shpjegime të argumentuara e të dokumentuara, kam botuar aty edhe krahasimin e fjalësave të M.-Likut, T. Kavaliotit dhe Dh. Voskopojarit.

 

Thjesht Johan Shmidti është nisur nga fjala e parë greqisht te Martin-Liku dhe e ka kopjuar përkthimin shqip. Nuk ka asnjë fjalë të re përveç atyre të Martin-Likut; nuk ka ekzistuar asnjë informant grek që dinte diçka shqip dhe lënda nuk është marrë nga duar të dyta, por nga një botim i rëndësishëm përpara tij. Tashti mund të shpjegohen të gjitha vështirësitë me të cilat kotësisht është ndeshur Shmidt-Nekja, dhe të ndreqen të metat e punimit të tij. Nuk e vlen të paraqiten të gjitha, prandaj po rendis shembujt me pikëpyetje në “Südost-Forschungen”, të cilëve u janë dhënë interpretime të palogjikshme:

belt  belt  Galle – nuk ka fjalë të tillë në shqipen, është vrer, mbëlt te W.M.-L. Fjala del që te Gj. Buzuku si tambëlth, por K. Kamsi në fjalorin e Buzukut që ka botuar më 1996 e ka shpjeguar gabim, sikur Buzuku flet për tëmthin; është pikërisht për vrerin te Buzuku.

gemis  gjemiz  Ruder – nuk ka fjalë të tillë në shqipen, është nxjerrë nga togfjalëshi lopatë e gjemisë te M.-L.

ghemisä  gëmushë “Busch”? – nuk ka fjalë të tillë në shqipen, është genuse te M.-L. për fjalën turke yemiş që do të thotë “frutë”.

iljänkätä  i lëngët  feucht – është i lagët te M.-L., ndërsa kurrsesi nuk mund të kishte  një mbiemër “i lëngët” në gjuhën shqipe dy shekuj më parë, sepse ky është një term dituror, i krijuar për lat.liquidus. Kjo fjalë nuk është më e vjetër se para 90 vjetësh dhe ka mundësi ta ketë ndërtuar N. Mjeda.

tschveret  ?  Frau – është tërësisht pa kuptim. Te M.-L. kemi γυναικα  grua, por dy fjalë më sipër kemi γυμνος  i zveshët, lakuriq. Johan Shmidti, duke mos e ditur shqipen, e ka ngatërruar gjatë kopjimit dhe fjala e mëposhtme për ‘gruan Frau’ i ka dalë që në shqipen qenka . . . i zveshët, lakuriq. Prandaj edhe më tej:

ljakurik  lakuriq  Frau! – është e papritur, që Shmidt-Nekja nuk është këshilluar me shqiptarët, mes të cilëve ka edhe miq gjuhëtarë, që do t’i tregonin se nuk ka gjëra të tilla në shqipen.

kante  kante  Fass – nuk ka fjalë të tillë në shqipen, është kade te M.-L.

pakere  pakëz (?)  wenig – nuk ka fjalë të tillë në shqipen, është pak, pak së paku, pakërë te M.-L. dhe ka mundësi të jetë gabim shtypi i tij për “pakëzë”.

ssalja  sheli  Niere – nuk ka fjalë të tillë në shqipen, është shëllja te M.-L. dhe ka mundësi që të jetë gabim shtypi për “veshëlja”, domethënë veshkë në të folmen çame, sepse e kemi që më 1809“veshlë” te Boçarët. E. Çabej e ka trajtuar hollësisht te “Studimet etimologjike” (VII), por duket se është vetëm një formim zvogëlues nga “vesh” për shkak të ngjashmërisë së trajtës dhe të tilla janëveshe, veshëlë, veshjë. Janë thjesht gabime trajtat e F. Rossit (1886) pesh, eshkë, nuk janë përpara “veshkës” dhe as ka nevojë të shkohet te një esh- e te gjuhët indo-europiane.

tschaerä  ?  Abend – është cahera te M.-L., si sinonim me “mbrëma”.

tscherk  çerah  Arzt – nuk ka fjalë të tillë në shqipen, është xherah te M.-L., si sinonim me “heqim”. Edhe te J. Shmidti është gabim shtypi, do të duhej tschera.

Në shkrimin e botuar shqip më 2006, M. Schmidt-Nekja në të vërtetë nuk e trajton doracakurn e vitit 1822 me shumë vlerësim. E quan “produkt interesant të filohelenizmit”, i cili vetëm për 27,3% të 1413 lemave greke jep fjalët përgjegjëse të shqipes dhe as nuk përkthen shprehjet ose fjalitë, ndërsa ka dhënë dyfishin me përgjegjëse turqisht. U shpjegua qartë më sipër si kanë ndodhur këto, ndërkohë që më 1822 e gjithë Europa ishte filohelene, e megjithatë besoj se Shmidt-Nekja ka bërë një punë të dobishmne, që e ka rimarrë këtë doracak. Për më tepër, me këtë rast do të shprehja një dëshirë të fortë, që albanologët e sotëm gjermanë të na japin sa më shumë ribotime të tilla të trashëgimisë prej albanologëve gjermanë, në mënyrë që studiuesit e sotëm jo vetëm ta njohin e ta shfrytëzojnë këtë trashëgimi, por edhe ta kenë më të lehtë për ta gjetur.

Megjithatë, gabimi i një albanologu ka edhe dobinë e vet. Mjaft vjet më parë një miku im më dërgoi nga Berlini fotokopjen e doracakut të vitit 1822. E kisha kërkuar për ta botuar bashkë me një parathënie, sepse më ngjallte kureshtje jo të vogël, se cilat ishin ato fjalë shqipe të dokumentuara më 1822. Kjo e ka shtyrë edhe Shmidt-Neken për punimin e tij. Atë doracak e kishte përmendur J. R. von Xylander-i në librin e tij për gjuhën shqipe të vitit 1835 (Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren. Frankfurt am Main), në shënimin në fund të faqes VII. Për herë të parë në gjuhën shqipe këtë fjalës e ka përmendur Dh. Shuteriqi më 1976 (në Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850. f. 180), duke treguar se e ka marrë të dhënën nga J. R. fon Ksilander-i: “gjithsej gjenden aty të botuara nja njëqind fjalë shqipe”. Dh. Shuteriqi përmend edhe se G. Meyer-i botimin e dytë të vitit 1838 në Lajpcig e ka përfshirë në bibliografinë e Fjalorit etimologjik (1891) dhe nuk ka pasur njoftime të tjera. Në ato vite po punoja me veprën e Martin-Likut dhe po hartoja fjalorët në krahasim të M.-Likut, T. Kavaliotit dhe Dh. Voskopojarit. Kur lexova me vëmendje fotokopjen e vitit 1822, krejt natyrshëm e pashë se fjalësi ishte marrë tërësisht nga botimi tetë vjet më parë i M. Likut dhe prandaj e lashë mënjanë.

Gjithsesi, i bindur se doracaku i vitit 1822 nuk sjell asgjë të re për leksikun e shqipes (ndonëse për çudi, është cituar edhe nga J. Ksilandri dhe G. Majeri), shkrimet e Shmidt-Nekes më nxitën që të ndryshoj qëndrim tashti dhe të shprehem se libërthi i vitit 1822 ka interes. Natyrisht që ka interes, por nga një pikëpamje tjetër. Së pari, pas atyre pak fjalëve të Arnold von Harf-it, ky është i pari fjalorth gjermanisht-shqip dhe prandaj e ka vendin në historinë e fjalorëve të shqipes. Së dyti, autori e ka dhënë shqipen me një alfabet të mbështetur te shkronjat e gjermanishtes. Është një rast i veçantë, që deri më sot nuk është njohur në historinë e alfabeteve të shqipes. Disa zgjidhje të tij janë mjaft të rregullta, aq sa ka fjalë, të cilat nuk kanë ndryshim me mënyrën se si i shkruajmë ne sot: ari, baba, bajame, bark, bilbil, brez, bujar, dele, derr, destemel, dhjetë, ethe, fener, gisht, gjak, gomar, kofshë, krua, pambuk, thua, zot etj. Do ta përfshij në një libër, ku veç riprodhimit si fjalorth gjermanisht-shqip, do të jap edhe një krahasim të fjalësave shqip të T. Kavaliotit 1700, Martin-Likut 1814, V. Meksit e G. Gjirokastritit 1827 dhe J. Ksilandrit 1835, që përbëjnë një rrjedhë të pandërprerë për leksikologjinë historike të shqipes.

Për ta përfunduar, do të më lejohet, që të bëj një pohim, i cili besoj se shpreh një të vërtetë. Në kohën tonë gjuhëtarët shqiptarë kanë arritur një nivel jo të keq të shqyrtimit shkencor të shqipes, ndërsa kanë një përparësi të padyshimtë: ata e kanë shqipen gjuhë amtare; shumë anë të saj për ata janë të kapshme dhe të shpjegueshme më me përpikëri sesa mund ta bëjnë dijetarët e huaj, pavarësisht prej nivelit shkencor të këtyre ose të njohjes më të thellë të zhvillimeve të sotme të dijes. Nuk do të paraqes raste konkrete të tjera këtu, por jo rrallë te punime të albanologëve të njohur kam vënë re shembuj të gabuar të shqipes, diçka që një gjuhëtar shqiptar nuk do ta bënte jo sepse është më i zoti, por po e përsëris, sepse kjo është gjuha e tij, sepse ai zotëron atë që quhet kompetenca gjuhësore dhe ndjenjën gjuhësore, të cilat rrallë një i huaj i arrin plotësisht. Prej këndej rrjedh, se gjuhëtarët shqiptarë nuk kanë përse t’i druhen shqyrtimit kritik të ndihmesave nga autorët e huaj.

Por shqyrtimi kritik nuk na duhet si qëllim në vetvete, qoftë edhe për të vënë në vend saktësinë shkencore. Në rast se do t’i ndjekim nga afër punimet e albanologëve dhe do t’i shqyrtojmë me vëmendje, krijohet mundësia për të vendosur një dialog, madje edhe një bashkëpunim.

Punimet e dijetarëve gjermanë për gjuhën shqipe kanë një traditë të gjatë të frytshme dhe me ndihmesa të paçmueshme. Në gjysmëshekullin e fundit është shfaqur një zhvillim i ri në trajtimet e shqipes nga ana e tyre. Arsyeja është se tashmë për shqipen ka një pasuri të madhe leksikore të dëshmuar në botime të pafund të të gjitha fushave, është bërë dhe vijon të bëhet mbledhja e pasurisë leksikore gjithashtu nga burimet gojore, ndërsa gjuhëtarët shqiptarë kanë hartuar fjalorë dhe punime leksikologjike e etimologjike. Nuk është më gjendja e dikurshme, në të cilën J. Xylander-i, J. G. von Hahni ose G. Meyer-i ishin të detyruar me mund të madh të mblidhnin fjalë të shqipes ku të rastiste. Në këto rrethana disa gjurmues gjermanë i kanë hyrë një drejtimi tjetër: krahas gjurmimeve të mëtejshme në rrafsh të gjerë, edhe të shqyrtojnë punimet e autorëve të mëparshëm gjermanë. E këtij tipi është përpjekja e M. Shmidt-Nekes, pavarësisht se në këtë rast të veçantë e dështuar.

Besoj se pas shkrimit tim për T. Kavaliotin dhe tashti për Shmidt-Neken, lexuesit do ta shohin se emrat e një arumuni apo të një gjermani nuk kanë më shumë rëndësi, sesa kërkimi i së vërtetës shkencore./Dita/

Please follow and like us: