Albspirit

Media/News/Publishing

Faleminderit duhet t’i themi Francës!

Enver Robelli

Antananarivo quhet kryeqyteti i Madagaskarit. Pak njerëz në Kosovë mund të kenë ditur këtë – dhe përse ta dinin? Kosova dhe Madagaskari janë dy vende që nuk kanë pothuaj asnjë raport politik, historik, ekonomik dhe kulturor. Në të ardhmen arsimtarët e gjeografisë në Kosovë ndoshta do të insistojnë që nxënësit të mbajnë në mend kryeqytetin e Madagaskarit – jo vetëm për shkak të testeve në shkollë, por edhe si kujtesë se Madagaskari pranoi Kosovën si shtet të pavarur.

Ka kohë që Kosova pret një njohje, disa njohje, shumë njohje të mëvetësisë së saj. Rruga e shtetbërjes së Kosovës është e gjatë dhe kjo rrugë nuk kalohet pa mbështetjen e shteteve kryesore perëndimore, të cilat kanë dhënë kontribut vendimtar për pavarësinë e Kosovës dhe pastaj për njohjen e kësaj pavarësie prej më shumë se 110 vendeve. Numri i saktë i vendeve që kanë njohur Kosovën nuk dihet ende për shkak se shumë ustai e diletanti është përzier në politikën e jashtme të Kosovës, duke e shndërruar atë në politikë të brendshme.

Sa i përket njohjes së pavarësisë nga Madagaskari: Kosova duhet t’i falënderohet Francës. Kjo njohje nuk do të ishte arritur pa angazhimin e drejtpërdrejtë të diplomacisë franceze. Jo rastësisht lajmi për njohjen e Kosovës nga ky shtet afrikan u dha gjatë takimit të vendeve të Frankofonisë në Paris. Pas ndalimit të Ramush Haradinajt në fillim të këtij viti nga drejtësia franceze, në disa qarqe parapolitike në Kosovë ishte bërë zhurmë e madhe, duke llomotitur për Francën që përherë paskësh qenë proserbe dhe muhabete të tilla të nivelit të kafehaneve të pista ballkanike. Njohja nga Madagaskari iu sigurua Kosovës nga Franca në një moment tepër delikat, kur Serbia po feston pasi dy shtete (Surinami dhe Guinea Bisau) thonë se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Andaj për këtë njohje kosovarët duhet t’i thonë faleminderit në radhë të parë Francës.

Klasa politike e Kosovës ka bërë pak – për të mos thënë asgjë – për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimi ekstrem, shndërrimi i politikës shtetërore në betejë për futjen në kontroll të resurseve shtetërore, shndërrimi i Ministrisë së Jashtme prej vitesh në një fole për punësimin e kushërinjve, jaranëve, shokëve, «mashqive» e kanë shndërruar këtë dikaster në karikaturë të diplomacisë. Ata pak diplomatë të mirë që ka Kosova janë anashkaluar ose kanë rezignuar dhe janë tërhequr në guacën e dëshpërimit. Militantët dhe «njerëzit me lidhje» luajnë rolin e diplomatëve – dhe krejt diplomacia e tyre lidhet me thurjen e ndonjë intrige në diasporë dhe me organizimin e farefisnisë për të votuar për «partinë e duhur». Në këto rrethana të tmerrshme për pavarësinë e Kosovës më shumë bëhen merak shtetet si Franca, SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania se vetë liderët e Kosovës. Liderët e Kosovës këto ditë polemizuan mbi çështjen e demarkacionit. Kryeministri paskësh urdhëruar diplomatët që në takime të mbajnë qëndrimin e tij sa i përket vijës kufitare me Malin e Zi, ndërsa presidenti ka reaguar duke thënë se në politikën e jashtme edhe ai ka dy fjalë për t’i thënë. I vetmi sukses diplomatik i qeverisë së re deri më tani ka qenë tërheqja e kandidaturës për UNESCO dhe Interpol si dhe emërimi i një 3, 4 apo 5 zëvendësministrave. Kushedi sa janë. Dhe nuk është aspak e rëndësishme sa janë. Disa qatipë që aktivitetet e tyre diplomatike i zhvillojnë duke vigjiluar nëpër mediat sociale se kush po e «kritikon shefin».

Sa i përket Gjermanisë: ky vend momentalisht është duke punuar që Kosova të pranohet nga një shtet afrikan. SHBA-të dhe Britani e Madhe po ashtu mbesin të angazhuara në shumë fronte. Edhe Turqia ka dhënë ndihmë të çmueshme në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Sado paradoksale të tingëllojë: tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Surinami dhe Guinea Bisau ka ndikuar në mobilizimin e shteteve që së pari e kanë çliruar Kosovën, pastaj e kanë mundësuar shpalljen e pavarësisë dhe e kanë shoqëruar procesin e njohjes së shtetësisë nga vendet e tjera. Për shkak të stagnimit në Kosovë këto shtete viteve të fundit nuk kishin ndonjë arsyes të madhe të përkrahnin Kosovën. Mobilizimi i Serbisë dhe me gjasë edhe i Rusisë për të devalvuar shtetësinë e Kosovës në prag të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka ndikuar si zile alarmi në Washington, Paris, Londër e Berlin. Nuk është e tepër të thuhet se viteve të fundit klasa politike e Kosovës me mbrapshtitë e saj më shumë i ka shërbyer agjendës së Beogradit dhe Moskës se agjendës së miqve perëndimorë. Për të pasur Kosova politikë të jashtme të suksesshme duhet të ndryshojë në mënyrë radikale politikën e brendshme. Me këtë personel politik udhëheqës Kosova nuk përparon. Stagnon.

Please follow and like us: