Albspirit

Media/News/Publishing

Kultura e Shkodrës është më e fortë se plumbat e drogës

“Kultura e Shkodrës është më e fortë se plumbat e drogës”. Ka qenë ky mesazhi kryesor i përcjellë pasditen e së premtes nga dhjetëra qytetarë të Shkodrës, të cilët kanë marshuar në rrugët e qytetit.

Në një protestë të pazakontë, por që ka marrë shkas nga ngjarjet e rënda që kanë goditur Shkodrën në muajt e fundit, ka bërë që në numër i madh qytetarësh të dalin në rrugë.

Bashkë me ta, në këtë marshim protestë kundër krimit që po terrorizon qytetin, u bashkuan edhe drejtuesit lokalë të bashkisë.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare që rrallëherë bëhen bashkë në Shkodër. Arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Angelo Massafra dhe hoxha i xhamisë se Rusit, Fejzi Zaganjori dhe përfaqësuesi i kishës ortodokse mbështesin protestën e shkodranëve kundër krimit pa ndëshkim.

Në 3 muajt e fundit në Shkodër janë vrarë 6 persona nga atentate të tipit mafioz, ndërsa 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Bilanc më të rëndë në këto vitet e fundit nuk kishte patur në këtë qark, që tashmë është kthyer në një Palermo të vogël, ku krimi i organizuar ka sjellë pasiguri.

Qetësia është prishur dhe ekzekutimet pa autor, janë një këmbanë alarmi, për sa kohë që policia nuk po arrin t’i zbardh këto ngjarje.

Mbrëmjeve policia vijon patrullimet në zona të ndryshme të qytetit, por pas tyre lind një ditë e re pa shumë ndryshime, e vetëm me shpresën që të tilla ngjarje të mos përsëriten, duke shtuar bilancin e viktimave.

Please follow and like us: