Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: LOTËT E NOSTALGJISË

Zhytur thellë në mendime, seç po ecja turbulluar,
Njerëzit kalonin pranë, unë ecja pa vështruar,
Nuk e di se ç’po mendoja, nuk e di se ku po shkoja,
Rrugës ecja çoroditur, nuk e di se ç’po kujtoja.

Lehtas ndiej një zë hyjnor, emrin tim e pëshpëriti,
Zonj’e bukur buzëqeshte, syri saj plot nur shëndriti,
M’u duk si një zë qiellor, që nga thellësitë larg ,
S’po më njeh? Tha me ngadalë, fjala e saj m’u duk varg.

Ai zë më zgjoj kujtime, plot kujtime të rinisë,
Në timbrin e atij zëri, njoha shoqen fëminisë,
Buzëqeshje saj qiellore, syt e saj që ndriçuan,
I dhanë dritë mendjes time, zemrën seç ma turbulluan.

Hapa krahët dhe thërrita, shoqen në krahë e prita,
Përmes lotësh që nga sytë, po na rridhnin pika-pika,
Kishim vite pa takuar, kishim vite pa u parë,
Që nga mosha e rinisë, që aherë kur ishim ndarë.

Seç kujtuam plot me mall, kohën tonë të fëminisë,
Atë kohë mjaft të bukur, plot me zjarrin e rinisë,
Kur u ndamë përmes lotësh, zëri dridhur pëshpëriti:
– Të kam dashurë dikur! – dhe përgjigjen time s’priti.

Fluturoi porsi era, porsi era pranverore,
Fluturoi si thëllënza, larg në ëndrrat shpirtërore.
Unë qëndroja i hutuar, i trallisur nga habia,
Ajo fjalë e papritur, çoroditi mendt e mia!

Vlorë, mars 1992.

Please follow and like us: