Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa Nano si bodiguardët e PD-së së dikurshme

Ermal Mulosmani

Për herë të parë emrin Mustafa Nano e hasa në fund të viteve 90. Në faqen e parë të gazetës Shekulli pashë një artikull që fillonte me “I dashur Fatos”… Sigurisht që, para se të lexoja artikullin, hapa direkt vijimin e tij për t’i shkuar në fund, për të parë se kush e nënshkruante. Emri dhe mbiemri i dërguesit nuk më thoshte asgjë.

Përkundrazi, emri i marrësit të kësaj letre, Fatos Lubonja, ishte mjaft i dashur për mua. Sapo kisha lexuar librin “Ridënimi”, një skaner perfekt i burgjeve të  kohëve të shkuara  dhe isha shumë i ndikuar nga cilësia e të shkruarit të tij.  Madje, ia kisha dërguar edhe tim eti për ta lexuar dhe ballafaquar me të vërtetat që dinte ai si vuajtës i asaj skëterre. I shërbeu ndërmjet të tjerash për ta dekurajuar në një shkrim që vetë ai kishte ndër duar.

Dikush në tavolinë komentoi me humor “A thua nuk ia kanë adresën njëri- tjetrit këta korifenj”?! Pastaj shtoi: “Imagjino për një moment, një qytetar evropian që po vjen në Shqipërinë e pas ‘97 dhe merr gazetën kryesore…Çfarë megallomanie! Sa qesharake…”.

Kështu hyri në kujtesën time Mustafai.  Nuk e lexova artikullin në respekt të intelektit tim.

Më ndikoi në njëfarë mënyre edhe në simpatinë time për Lubonjën.

Ishte si një vajzë që nuk dinte të flirtonte. Pa klas. Donte direkt vëmendje. Siç spekulojnë këngëtaret  e reja kur bëjnë videoklipe. Me minifund të ngushtë, kofshë të trasha, cica silikoni dhe dekolte të paturpshme. Edhe Mustafai kishte gjetur formën e tij për të bërë bujë. Këmbim letrash me Fatos Lubonjën! Në gazetën më të shitur në Shqipëri. Gjej shesh e bëj përshesh. Pse jo!

Qysh prej asaj dite, emrin dhe figurën e tij e kam hasur shpesh, por  gjithmonë në përforcim të idesë që pata herën e parë. Një mbrëmje të pak viteve më vonë, e pashë në kafenenë e Klanit të vjetër,  të veshur me pantallona të kuqe, këpucë jeshile  dhe një shall të verdhë, të gjatë…Po fliste i intonuar lart në një tavolinë me dy të tjerë. Fytyra e tij stononte me veshjen…Picërrova sytë dhe pashë pikërisht atë vajzën me minifund… Ishte fiks ashtu!

Fill pas kësaj, ishte i ftuar në emisionin më simpatik të televizioneve shqiptare, ‘Zonë e Lirë’. Duhet thënë që kësi  tipash Çani i ka qejf dhe i fton vazhdimisht…

E  kishte ftuar sepse ky kishte bërë një shkrim ku i jepte mësime Çanit sesi të bënte emisionin e tij! Ndërmjet të tjerash, i sugjeronte të mos ftonte gjithfarë personazhesh dhe theksin e vinte tek një ish gjeneral që kishte qenë një javë më parë.

Çani, menjëherë  pas intervistës me Mustafain, ftoi pikërisht personin të cilin ai e shante në shkrim! Sapo gjenerali futet në studio, Mustafai largohet në mënyrë demonstrative për të treguar mospajtimin e tij!

Çani vazhdoi normalisht programin dhe… vetëm 20 minuta më vonë, e dallon Mustafain në mes spektatorëve që zgjaste kokën të mirrte vesh se ç’bëhej…Ka qenë një spektakël më vete mënyra sesi Çani e pikas dhe i thotë “Hajde Mustafa, mos ki frikë, unë e di që ti thellë-thellë vdes për emisionin tim”. Në këtë moment, kamera kthehet tek Mustafai dhe ky ikën i turpëruar me vrap…Gjithë dynjaja u gajas!

Mendova se pas kësaj nuk do dëgjoj më për të. Por jo, pafytyrësia dhe ethet e madhështisë nuk e lënë rehat…

Një ditë të bukur bën zbulimin e madh: “Skënderbeu ka qenë më shumë i krishterë sesa shqiptar. Madje nëna e Skënderbeut ka qenë serbe”! Sigurisht, në një ambient të emancipuar kjo deklaratë do të ishte korrekte dhe nuk do kishte asnjë reagim. Por, Mustafai, e dinte shumë mirë  se me kë kishte të bënte. Me gjasë, nëpër portale miqtë e tij e kishin shkruar lajmin në të njëjtën orë që ky e deklaroi. Qëllimi ishte arritur, Kallashi kishte nxjerrë fotografinë e radhës! Tani dinte ky si e qëndiste zhurmën…Ka artikuj replika, nja 3 javë do jetë kryefjalë ky maniak i vëmendjes…

Sapo kjo u harrua, filloi dashuria e tij me as më pak e as më shumë sesa me…. serbët vetë! Madje, pa bërë akoma 20 vite nga gjenocidi serb dhe përdhunimet masive ndaj shqiptarëve ai deklaron: “Gratë shqiptare kanë fjetur me burra  serbë!

Në histori 20 vite janë sa 20 ditë!

Sigurisht Mustafa, gratë shqiptare kanë fjetur e do të flejnë me burra serbë.  Edhe e anasjellta ka ndodhur e do të ndodhë.  Ndonjëherë me hir e ndonjëherë me dhunë. Por, kur plagët e përdhunimeve serbe janë kaq  të freskëta, kur të dhunuarat janë gjallë dhe me dramat e tmerrshme të pasluftës, të mohuara nga familjarët e vet, nga fëmijët e vet, nga bashkëshortët e vet ose prindërit, nuk është vendi dhe koha  për ta konstatuar! A thua ka parë ai ndonjëherë dëshmi të këtyre dhunimeve? Apo, më fal, këto nuk shërbejnë për të. Kurvës nuk i flitet për moral!

Nuk do i shkruaja kurrë këto rreshta nëse nuk do të lexoja ndjesën e tij për reagimin kafshëror në një prej emisioneve ‘Opinion’. Kujdes, jo për reagimin, për atë shkruaj në FB personal. Por ndjesa e tij ishte shumë e rrezikshme. Mustafai i vërtetë është ai pitbulli i asaj nate, ku çfarë nuk lëshoi nga goja ndaj një deputeti! Tmerroi të madh e të vogël. Djali im 8 vjeçar mu lut të ndërroja stacion se u tremb nga shkumëzimi  rrugaçëror…

Në mbrojtje të qeverisë. Dhe të çfarë qeverie se! Të një shumice njëpartiake me 74 deputetë! Po, 74 deputetë! E di se çfarë do të thotë që një parti të udhëheqë një vend me një shumicë të tillë?! Dhe që mund t’i bëjnë 90 deputetë kur të duan. Këtë e ka të qartë edhe Mustafai. Por nuk i mjafton…

Është si të bëhet me Brazilin në ndeshjen me Andorën! Dhe të ankohet se Andora i duhen skualifikuar dy lojtarë! Mbahu Mustafa se Andora ë…

Dhuna verbale e tij e bëri të dukej si  bodiguardët e PD-së së dikurshme… Atë që bënin ata, në kohën e Berishës së viteve 92 – 96 po e bën ky sot! Edhe pse me tiranda është po aq vulgar sa ata. Po aq militant e i trashë. Dhe mbi të gjitha, ke të njëjtin efekt boomerang për të mbrojturit prej tij. Një gjë të tillë çdokush do ta donte kundër.

Por ai kërkoi ndjesë.  Dhe kjo e bën më të rrezikshëm! Bodiguardët e Berishës ishin më të rrezikshëm në mandatin e dytë. Atëherë kur u sofistikuan dhe zbutën. Por, në thelb ishin të njëjtët. Si  Mustafai.

Please follow and like us: