Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Anila Karapidou

 

 

Seç kam një dhimbje

 

 

Seç kam një dhimbje brenda shpirtit tim të butë,

Udhëtimin nis nga fyti,

përshkon zemrën e ndalet në stomak.

Dhe shpirti më rëndohet si gur i rënë në zall,

Unë e bukura shpirtmira nuk mundem dot ta ndal.

Dhimbja zjen si çorbë e shpërndahet dhe në bark,

Në kokë më vijnë mendimet, por rrugën nuk e hap.

Tëmthat ulërasin si kambana ding-dang,

Dhëmbët më kërcasin si drurët që digjen oxhakut krak-krak.

E kam një dhimbje brënda shpirtit tim ju them,

Një dhimbje që dhe malin do të shembë.

Dhimbje që do të ngjitet lart mbi re,

Atje mbi re të ulërasë me bubullimat e vetëtimat.

E kam një dhimbje në shpirtin tim të dëlirë,

Zogjtë e kuptojnë dhe pranë meje vijnë e ulen.

Me cicërima një këngë më këndojnë,

Një këngë që shpirtin tim përshkon e lotë nga sytë më bien.

Se shpirti dhemb kaq shumë o njerëz të mirë,

Flutur bëhet mbi lule shkon e ulet.

Mbi lule shumë ngjyrëshe e erëmirë,

Aty në mes të pyllit ku dhe egërsirat kanë shpirt.

E kam një dhembje në shpirt o njerëz të mirë.

 

Puthje

 

Buzë të ëmbla, Puthje e zjarrtë,
Dhe një oh…, Nga shpirti del.
Sytë mbyllen, Dalëngadalë,
Dhe humbet, Diku në epsh.

Përkëdhelje, shpupuritje,
Pëshpërit një fjalë nën zë
Trupat, ndjehen të bashkuar,
Eshtë një zjarr që djeg të mposht.

 

Mëngjes gri..

Gri mëngjesi i sotëm,
Gjethet lagur vesë.
Dielli nuk është zgjuar,
Fle këtë mëngjes.

Toka është e etur,
Shiun e rrëmben.
E thith brenda gjoksit,
Aty i gjen vend.

Qielli vetull ngrysur,
Nga lart i vështron.
I lodhur nga nata,
Veshët i gjëmojnë.

Malet përreth gri,
Dheu ngjyrë kafe.
Rrëshket e merr shiu,
Rrënjët e pemëve zhvesh.

Dhe rruga në gri,
Larë është nën shi.
Makinat rrëshkasin,
Mbi gjarpërin e zi.

Njerëz venë e vinë,
Dita ka filluar.
Edhe pse është gri,
Njerëzia është zgjuar.

 

Natë e errët

Tek eci këtë natë në mes bubullimave,
Ky shi i rrëmbyer më lag e tokën përpin,
Errësira çahet egër prej vetëtimave,
Befas një mall përplaset në gjoksin tim.

Si një pulëbardhë e lagur, ngre kokën në qiell,
Një rreze hëne kërkoj, por vetëm retë nxijnë,
Një yll kërkoj, pakëz dritë të më sjellë,
Por jo, kjo natë e errët veç më lag në shi.

Tek eci buzë detit një dallgë oshtin,
Si mal ngrihet, në krahë do që t’më marrë,
Këmbët seç më puth, do që t’m’i fusë në gji,
Unë iki e frikësuar, ndonëse kam shumë mall.

Kjo natë e errët, mes shiut të rrëmbyer,
Të vetme më bën, me një shpirt të vrarë,
Nga qielli vështroj me sy të ngazëllyer,
Që të të shoh ulur mbi hënën e artë.

Por hënë nuk kish, veç re të zeza pashë,
Një valle të çmendur kërcejmë nën qiellin e nxirë,
Bubullima lëshon zërin e çjerrë nga larg,
Mallin që më përplaset, errësira ma përpin.

Kështu… këtë natë të errët, e vetmuar eca,
Ky shi tekanjoz më lag trupin tim,
Këto buzë seç mi lag, seç m’i puth dhe era,
Dallga tutje ngrihet, t’më rrëmbejë me përqafim.

Please follow and like us: