Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Izet Shehu

Kjo ‘botë e lirë’

 

As guri s’paskërka mëshirë,
As shenjti s’qenkërka vërtet shenjt,
Përderisa qëndron i ngrirë
Dhe s’na e thotë një fjalë me mend.

Skifteri s’kërkoka pendesë
Për cinkat e shqyera në erë,
Por sqepin fshin e lan me vesë
Dhe sulet gjithë vërtik e tmerr.

As guri s’paskërka mëshirë,
As shenjti s’qenkërka vërtet shenjt,
Përderisa kjo “botë e lirë”
Me kthetra shqyen kurmin e vet.

 

Fjalë…

Fjalë që pluskojnë në ajrin e kuq,
Mes isos bezdisëse të gjinkallave.
Një kalë gërdallë, i çalë e gërmuq
Trokon mbi kalldrëmet e përrallave.

Kapi në mundsh, fjalët në erë,
Kapërce kapërcyellin e kohës së vjetër!
Secili pak kalë,
Pak gjinkallë, pak mjelmë,
Godet dhe goditet pas shpine në skeptër.

Përse kaq fosile fjalësh në erë?
Përse kaq përpëlitje fluturash të kuqe?
Një kalë trokon…
O zot, përse trokon ky kale,
Mbi kalldrëmet e përrallave që ikin tutje.

 

Mbrëmja

Sa e beftë zbriti mbrëmja,
Rreth e qark krahët nderi.
Ndizen drita,
Feksin yje,
Çelen ëndrra si ylberi.

Ja, shiko, ngadalë, si bie,
Si merr frymë,
Si flatrat hap,
Larë me rreze,
Nxirë me hije,
Uverturë e manushaqtë.

Mos e lër të shkas aq lehtë,
Pa u ndierë, se s’e gjen më.
Hidh diku
Një gjurmë,
Një mbresë
Bëhu ajër e shkriu me të!

 

Shtrydheni shpirtin tim!

Merreni,
Merreni po ta doni,
Shtrydheni shpirtin tim!
Nëse s’gjeni lëng limoni
Do të gjeni dashurinë.

Dashurinë për këtë tokë,
Për këta njerëz të rrallë.
Gjeni qoftë një vend në botë,
Që ka kaq dhimbje e mall.

Dhe nuk di kush i ka nëmur,
Këto brigje
Këtë dhe,
Këtë zemër të lënduar,
Që rënkon e nuk di pse.

Merreni,
Merreni,
Shtrydheni këtë shpirt!
Nëse s’gjeni lëng limoni,
Do të gjeni një qiell me dritë.

Sajesa

Sajesë shterpë zvarritëse si krimb,
Çdo gjë përbuz, përflet e nxin.
Dhe prapë frymon,
Dhe prapë gërrhet,
Në gjirizin e turpit
Si gjarpër rrëshket.

As vetë s’e kupton përse ndotesh në mëkat,
Sajesë e zbrazët pa nerv e pa gjak.

Çdo gjë njerëzore,
Çdo gjë të brishtë,
Kërkon ta ndash, ta bresh, ta grish.

Sajesë shterpë
Pa shpirt e besë,
Afishe e grisur në ajër e kujtesë.

Lulebora

Këtë mëngjes
Lulebora e virgjër
U zgjua e trembur, e zbehtë e dridhur.
Kujt t’i ankohej, s’i gjegjej njeri
Veç vezullimit të vesës mbi barin e ri.

Këtë mëngjes
Lulebora e përgjumur,
Diç donte të shprehte me zymtësinë e bukur.
Një yll i shuar, një zë i mekur,
Në myshkun e mesnatës e kishte humbur.

Këtë mëngjes,
Ah, këtë mëngjes,
U zgjua e trishtë lulebora e brishtë!
Me ngut kërkonte pushin e ëndrrave
Thellë, diku thellë, nën kaçubet e dendura.

Horizonti i ngrirë

Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Dua, por jam i pafuqishëm!
Demi e rrëzon një mullar me brirë,
Era e detit në tërbim e shqyen pishën.
Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Sa dëshirë, sa dëshirë do të kisha,
Po duhen mijëra tërbime erërash,
Mijëra dema me brirë,
Mijëra shenjtorë dhe bisha.
Dua ta thyej këtë horizont të vjetër,
Ndërtuar ters me akull e hekur.
U gremis një shekull, trokon shekulli i ri,
Ngordhi një kuçedër, u ngjallën dy-tri
Dhe pyesim: ku vemi?
Dhe pyesin: ku qemë?
Nga Ferri dolëm a në Ferr vemë?
Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Dua, por kjo më mbeti dëshirë.

Please follow and like us: