Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Ruka: In memoriam Trifon Xhagjika

 

55 vjet më parë një breshëri plumbash duhet të jetë ndjerë këtu në Peshtan të Tepelënës më shumë se sa kudo tjetër… teksa rrëzonte përdhe një bir të këtij fshati, që ishte poet dhe e vranë në emër të ndalimit të fjalës së lirë. Nuk pati bërë asgjë tjetër, veçse duke vrarë frikën, kishte parë ëndrrën më të gjatë të njerëzimit; lirinë dhe kish vendosur ta bënte këngë.

E vranë për këngët e tij. Sepse këngët i tmerrojnë tiranitë.

I ndaluan ato këngë dekada të tëra. Thjesht i vonuan, siç na vonuan edhe ne 55 vjet që jemi këtu për të vendosur një shenjë kujtimi e nderimi tek ky memorial. Sepse jeta nuk është gjë tjetër vese një bashkësi shenjash për të gjetur rrugën deri tek më të mirët e saj siç ishte dhe Trifoni. Na vonuan që t’i themi faleminderit.

Ne dimë që jemi vonë Trifon por të kërkojmë falje. Edhe unë që kam lindur pak kilometra më tej, po buzë Vjosës, jam vonë i dashur Trifon. Por jam i lumtur që jam sot këtu me gjithë këta shokë e miq nga të gjitha viset e Shqipërisë dhe si djalë vendi, së bashku me Meron, Sadikun, Qazimin, Ilirianin e shumë të tjerë, më takon t’i falenderoj të gjithë emër më emër. Të falenderoj djemtë e Klubit të Poezisë me Rexhep Shahun, Izet Durakun e Flamur Hoxhën që janë nisiatorë të këtij takimi kaq të bukur e plot dhembshuri për ty.

Te falenderoj nga zemra Mero Bazen, që i vetëm të risolli sërish në shkëmb e në bronz pikërisht këtu, tek ky shesh që kushedi sa herë e ke shkelur këmbëzbathur pas një “topi të bërë prej leckash, nga leckat e thinjura të Shqipërisë”, siç thotë diku I. Kadareja.

Tani po ta lë fjalën ty dhe po e mbyll me ca vargje të tuat që përshkruajnë nisjen tënde drejt qiellit, aty ku je sot e kësaj dite i ri dhe i bukur si çdo 31 vjeçar.

U nisa,
drejt qiellit,
posi Engjëjt me fletë.
Sa e vogël toka!
Sa e fortë drita e diellit!
Tokën e mbuloi një vello prej reje
Gëzimi i ëmbël më shket nëpër deje.
Ngjitem, ngjitem
Për ku?
E…
U zgjova i mbërthyer në shtratin e ftohtë.
U ngrita të vazhdoj ëndrrën e jetës në tokë

Dhjetë netë,
dhjetë mendime ilegale,
dhjetë dëshira të paqena,
dhjetë gurë në zemrën që ngre krye,
Sa netë të tjera më presin!
Vetëm ato e dinë qëllimin tim.

Shkurt 1962

Përshëndetje me rastin e 55 vjetorit të poetit Trifon Xhagjika.

Please follow and like us: