Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri BLLOSHMI: Revolta e Qafëbarit dhe terrori komunist, 1943-1990 (2)

Kongresi i Berlinit, 13 qershor – 13 korrik 1878

 

Kongresi i Berlinit u mbajt pikërisht për të balancuar interesat e ortodoksisë, duke shndërruar Shqipërinë etnike, në “gjah” të Rusisë. Gjashtë Fuqitë e Mëdha, Rusia, Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia, që vendosën për fatin e Shqipërisë, nuk i dëgjuan thirrjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke mos i njohur të drejtat e kombit shqiptar. Vendimi i tyre qe traktati i varrimit të Shqipërisë. Për këtë arsye, kryesuesi i Kongresit të Berlinit, Bismarku, fitoi epitetin kasapi i kombit shqiptar. Sipas të dhënave të verifikuara mirë, Mali i Zi u zgjerua me 4 683 km2, Serbia me rreth 10 500 km2, bëhet fjalë për pushtimin dhe aneksimin e pjesës absolute të sanxhakut të Nishit, të vilajetit të Kosovës i cili kishte 10 972 km2 dhe Greqia me 9 275 km2. Sipas traktatit të Kongresit të Berlinit nga njësia etno-kulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë u shkëputën 24 458 km katror[1]. Në fund të shekullit të XIX, Shqipëria etnike kishte një sipërfaqe prej 90 000 km2 dhe kishte 2 697 960 banorë. Ajo përbëhej nga 4 vilajete: vilajeti i Kosovës me 32 900 km2, vilajeti i Shkodrës me 10 970 km2, vilajeti i Manastirit me 28 500 km2 dhe vilajeti i Janinës me 17 900 km2. Fatkeqësisht, Konferenca e Ambasadorëve dhjetor 1912-gusht 1913 nuk e mori parasysh Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe nuk i përfilli këta kufij.

Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të Europës dhe Rusisë më 29 korrik 1913, aprovoi projektin austro-hungarez për “principatën e Shqipërisë”, duke i lënë Shqipërisë 28 760 km2 me rreth 800 000 banorë ose një të katërtën e territorit. Kështu nga katër vilajetet e Shqipërisë deri në fund të vitit 1912, Londra shkëputi prej trupit të kombit shqiptar në favor të Greqisë, Serbisë e Malit të zi 61 510 km2 dhe mbi 1,8 milion banorë me shumicë absolute shqiptare, në total, duke filluar nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878 e deri në Konferencën e Ambasadorëve 1913, Shqipërisë i janë shkëputur rreth 85 000 km2.

Gjatë luftërave ballkanike 1911-1913 dhe Luftës së Parë Botërore 1914-1918, sllavët përzunë me dhunë mbi 500 000 shqiptarë, 800 lokalitet u zhdukën dhe rreth 350 000 persona u vranë. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, popullsia shqiptare në trojet e veta llogaritej 2 300 000 banorë, në Konferencën e Paqes në Paris më 1920 informohej se brenda kufijve të Shqipërisë ishin 88 300 shqiptarë, ndërsa në vitin 1912 pas Shpalljes së Pavarësi numëroheshin 1 779 929 banorë. Në vitin 1919, Greqia largoi nga trojet e veta në Kostur e Follorinë 35 000 shqiptarë dhe 180 000 të tjerë iu nënshtruan dhunës asimiluese. Nga vetë zyrtarët grekë në fillim të shekullit të XX-të, pranohej se brenda kufirit të tyre kishte 300 000 mijë shqiptarë…

Sipas të dhënave të Abdyl Frashërit dhe Mehmet bej Vrionit më 1879 Shqipëria etnike kishte 2 300 000 banorë tërësisht shqiptarë dhe në vitin 1920 kishte 1 779 929 banorë.

 

 

Shqipëria politike, e krasitur dhe e zvogëluar

 

“…Konferenca e ambasadorëve në Londër më 22 mars 1913 caktoi kufijtë e Veriut të verilindjes dhe kështu Hoti, Gruda, Gusija, Plava, Kuçi, Gjakova, Prizreni, Peja, Reka, Dibra, Struga, e Ohri mbetën jashtë kufisë shqiptare.”

“Shqipëria më 1927”, faqe 29

 

“…Kufijtë e Jugës e të juglindjes ishin caktuar në mbledhjen e fundit të Konferencës së Londrës më 11 e 12 gusht 1913 simbas këtij vendimi Gjirokastra…”

“Shqipëria më 1927”, faqe 31

 

* * *

Agjentët e Greqisë në Korçë si dhespot Jakovi me shokë duke parë vendimin e popullit të egërsuar menjëherë ndërmjetësuan pranë shqiptarëve dhe kështu pas një komisioni të parë të kthyer nga Follorina më 28 maj këshilla e pa të arsyeshme që të bëhej një marrëveshje e plotë me një protokoll ndërmjet shqiptarëve e grekëve dhe për këtë qëllim vendosi të dërgojë një delegacion prej gjashtë vetash i formuar prej z.Esheref Frashërit, Jorgaq Racit, Selahudin Blloshmit, Nikollaq Zoi, Pandeli Cale, Qani Dishnica, të cilët kështu u nisën për Breznicë ku përgatitën protokollin provizor të Kapshticës.

Projekti shqiptar[2]

Qeveria e Përkohshme e Vlorës i dërgoi Konferencës një memorandum, në të cilën mbronte interesat territoriale të Shqipërisë dhe hidhte poshtë shpifjet që bëheshin ndaj popullit shqiptar. Ajo u bënte të ditur krerëve të Konferencës së Ambasadorëve, se populli shqiptar përbën grupimin më etnik, më kompakt dhe më homogjen të Gadishullit të Ballkanit. Prejardhja dhe gjuha e popullit tonë, zakonet dhe karakteri e dallojnë plotësisht nga racat që janë fqinje me të dhe i japin atij individualitet të veçantë, në sajë të të cilit ka ditur t’i bëjë ballë asimilimit. Shqiptarët nuk kanë hequr dorë kurrë nga e drejta e pavarësisë, sepse vetëm ajo ka mundësi të zhdukë në të ardhmen të gjitha pengesat që rrjedhin nga ndikimet prapanike dhe atë të huaja. Populli shqiptar kërkon kufijtë e tij që janë të natyrshëm dhe që imponohen si nga kushtet etnike ashtu dhe nga e drejta e tij, si banues i parë i Ballkanit.

Projekti austro-hungarez

Projekti austro-hungarez e kalonte kufirin prej Grykës së Bunës, në vijën kufitare malazezo-turke, në fund të Plavës e Gucisë, mbi Pejë, Gjakovë e Prizren, duke i lënë ato brenda Shqipërisë, dhe gjithashtu përfshinte Dibrën dhe Ohrin, dhe në Jug, Janinën e rrethinat e saj të populluara kryesisht nga shqiptarët. Përfaqësuesi i kësaj monarkie, këmbënguli, që “Shqipërisë nuk duhej t’i shkëputej asnjë krahinë thjesht shqiptare”, ndonëse e dinte që ishte e vështirë të ruheshin kufij të tillë, për shkak se fqinjët konsideroheshin si fitues të luftës kundër Perandorisë Turke.[3]

Projekti grek

Ky projekt kërkonte pjesë të vilajetit të Janinës, Çamërinë në tërësi dhe pjesë të Shqipërisë Jugore, të cilat ishin territore të banuara tërësisht nga shqiptarë, duke përjashtuar ndonjë enklavë të vogël greke. Kërkesa e tyre përfshinte tërë bregdetin jugor shqiptar, duke u shprehur se dhe Himara duhet t’i jepet Greqisë. Argumenti është se Himara ekonomikisht është e varur nga Korfuzi, për shkak të tregtisë me të. Sipas projektit grek, Janina dhe Gjirokastra duhet t’i jepeshin Greqisë, pasi janë vijim i territorit grek dhe garantojnë kufijtë e saj në pjesën veriore.[4]

Projekti Rus

Ai i caktonte kufijtë midis Shqipërisë e Serbisë. Malit të Zi e Greqisë, duke lënë në favor të Shqipërisë vetëm shkrepa e male. Përveç pjesës që ka marrë aktualisht, Malit të Zi, i jepej dhe ultësira e Shkodrës. Serbia vinte deri në vijën e Drinit dhe delte në Adriatik. Greqia merrte Pogradecin, Korçën, Delvinën, Sarandën, duke futur brenda Ersekën, Përmetin, Tepelenën e Himarën. Ambasadori rus këmbëngulte që Shkodra edhe pse është 80 km larg Malit të Zi, t’i jepej atij sepse “nuk kanë tokë për t’u ushqyer”. Gjakova duhej t’i jepej Serbisë pasi aty afër ishte manastiri i Deçanit. Çamëria, Konica, Preveza, Arta, Janina, Korça, Kosturi, Saranda etj., duhej t’i jepeshin Greqisë, pasi garantohej mbrotja e saj nga veriu. Ky projekt linte jashtë Shqipërisë, Shkodrën e gjithë trevën veriore deri në kufirin me Malin e Zi dhe në jug, Korçën, Delvinën, Sarandën, e gjithë Çamërinë.[5]

Projekti Serb

Projekti sebo-malazez e kërkonte kufirin verior të Shqipërisë në lumin Mat, kufirin lindor në Drin dhe liqenin e Ohrit, duke pasur të drejtën e daljes në Detin Adriatik.

Mali i Zi të merrte ultësirën e Shkodrës me gjithë Liqenin, Hotin, Grudën, Tuzin, Gucinë, Plavën, Rugovën, Pejën e Gjakovën me rrethinat e saj.

Në janar të vitit 1913 ata i paraqitën hartën e kufirit ministrit të jashtëm anglez Eduard Grei. Ky projekt u mbështet fort nga rusët dhe nuk merrte parasysh interesat jetësore të shqiptarëve, por kërkonte përvetësimin e territoreve që ishin të banuara pothuaj tërësisht me popullsi shqiptare.

“Unë Eduard Grei e di fare mirë se kur gjithçka të bëhet e njohur, kjo zgjidhje, në shumë pika, do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe historinë e tij”.

 

“Kushedi sa gjak do të derdhetpër të lëvizur këta gurë”

(Barbarizma ndaj Shqipërisë në vitin 1913)

 

Pas Konferencës së Berlinit dhe pas Marrëveshjes së Londrës mbërritën ndërkombëtarët që ishin zbatuesit e kësaj marrëveshje. Këta kishin marrë përsipër që të kënaqnin fqinjët grabitqarë në dhënien e copave që do të shkëputeshin nga trungu i mëmës Shqipëri. Flisnin shumë pak. Megjithëse vendimet ishin marrë, por formaliteti duhej kryer. Ky komision paguhej shumë mirë me sterlina angleze, dhrahmi greke dhe dinar jugosllav. Këta do të caktonin kufijtë e rinj të Shqipërisë.

Me këtë komision për të bërë punë hamallëkshe ishte dhe një shqiptar i cili do zbatonte urdhrat e tyre. Shqiptari kishte si detyrë të vendoste gurët atje ku i thoshin. Shqiptari, një fukara në pikë të fundit, i rreckosur, zbathur me këmbët që i kullonin gjak nga gurët e ferrat, mbante në shpinë një tip samari prej hekuri dhe brenda dy ose tre gurë të mëdhenj. I kërrusur nga pasha, në ballë i ngrihej damari sa një gisht nga inati dhe mundimi, i parruar, pothuaj me gjoks jashtë, pa asnjë dhëmb në gojë jo nga pesha e viteve që mbante mbi kurriz, por nga kequshqyerja, në supin tjetër i varej një trastë e grisur ku brenda kishte futur një copë bukë misri me një gjysmë qepë, mjekra i dridhej vazhdimisht nga zemërimi. Edhe ky paguhej por shumë pak. Shpesh herë rrëzohej nga pesha dhe pse mbahej nga një shkop që e mbante në dorën tjetër. Sa herë vendoste gurin që mbante mbi shpinë, atje ku e urdhëronin duke e treguar me gisht, fliste me vete: “Kushedi sa gjak do të derdhet për t’i lëvizur këta gurë.”.

Kjo është e ngjashme me “gurin e Sizifit” si vuajtje por ndryshon krejt në thelb sepse nuk është mit, është e vërtet. Kjo ka ndodhur një shekull më parë më 1913. Komisionerët ecnin kaluar në kalë me shalë, ushqeheshin me mish të pjekur e me ushqime cilësore, ndërsa shqiptari sa e hiqte një gur nga shpina duhej të gjente tjetrin se i duhej për më tutje. Kur mbërrinte mishi i nxehtë, i pjekur shkuar në hell, komisionarët u zbrisnin kuajve, uleshin për të ngjeshur barkun me mish e raki. Edhe shqiptari ulej aty afër e thithte erë e mishit të pjekur pa e hequr samarin nga shpina se nuk e linin komisionarët (që të mos vonohemi se kemi punë i thoshin), edhe pse ata rrinin 1-2 orë që të shqyenin mishin e të rrëkëllenin rakinë.

Shqiptari njeri babaxhan, hiqte trastën nga supi, nxirrte copën e bukës e me kokën ulur mërmëriste; “Eh, sa gjak do të derdhet për t’i lëvizur këta gurë.”

Ndërsa sot, plot një shekull, po ndodh krejt e kundërta që mendonte shqiptari. Shqipëria vazhdon të copëtohet e të shqyhet nga armiqtë shekullor grek e serb, por me një ndryshim, firmoset “bujarisht” në tavolinë për të dhënë çfarë na kërkojnë. Vetëm që të bëhen fjalëmirë për të na pranuar në BE. Edhe kjo bëhet në emër të “miqësisë shekullore e fqinjësisë së mirë”. Dhe ligji i luftës është në fuqi përjetësisht, është prapë për të mirën tonë se kur të duan hapin luftë, vrasin sa të duan dhe “diplomacia” jonë hesht në emër të marrëdhënieve “shumë të mira” dhe është e kënaqur. Ja pra, çfarë po ndodh në Shqipëri për të mbajtur pushtetin, diplomacia shqiptare memece plotëson grykësinë e Athinës dhe të Beogradit në mënyrë të fshehtë, vetëm e vetëm që të sundojnë pambarim.

Athina ka bërë me Shqipërinë çfarë i ka dashur qejfi. Jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurve u ka shkulur eshtrat e i ka marrë, duke i quajtur ushtarë grekë siç është edhe rasti i fshatit Kosinë në Përmet. Sundimtarët shqiptarë heshtin! Ku i është tekur Janullatosit ka ngulur kryqe. Kishat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut. Në Korçë, konsulli grek çfarë nuk bëri, madje dhe gjykata e dënoi formalisht, por nuk e arrestoi dhe as që ka për ta kryer dënimin e marrë. Diplomacia hesht, kisha greke u ngrit pranë oborrit të Ministrisë së Mbrojtjes, heshtje! Qeveria ia fali detin grekut dhe pas një viti të firmosje, u zbulua se çfarë kishte katranosur ministri i jashtëm. Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese e cila e rrëzoi dhe e hodhi poshtë me neveri marrëveshjen me Greqinë. Votoi 9 me zero! Mirëpo, këtu te ne, asnjëherë nuk zbatohen ligjet. Përsëri qeveria shqiptare po punon nën rrogoz për këtë çështje! Pra, edhe pas 100 viteve copëtimi i Shqipërisë vazhdon.

Ja dhe harta e copëtimit të vendit nga Berlini e Londra më 1913. Me të drejtë shtrohet pyetja: Ku po na çojnë sundimtarët e sotëm? Kur Berlini dhe Londra do ta riparojë fajin ndaj Shqipërisë? Njëqind vjet u bënë që u kënaq grykësia e Athinës e Beogradit që shqiptarët jetojnë në disa pjesë të copëtuara. Gjermania e copëtuar pas Luftës së Dytë Botërore fill sapo u shkatërrua kështjella e kalbur e komunizmit, shembi murin ndarës dhe populli u bashkua. Askush nuk u ndje për ta kundërshtuar këtë bashkim. Po me Shqipërinë pse heshtet? Ne s’kemi të njëjtat arsye të ndarje apo copëtimit si me shtetin gjerman? Askujt nuk i detyrohemi për asgjë. Ne kërkojmë bashkimin si më parë të trojeve tona.

 

Shteti i pavarur i Kosovës

 

Kosova shtrihet në qendër të siujdhesës ballkanike dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në jug-lindje me Republikën e Maqedonisë, në jug-perëndim me Shqipërinë dhe në perëndim me Malin e Zi. Ka një sipërfaqe prej 10 887 km2 dhe një popullsi prej 1 900 000 banorë, 200 000 prej të cilëve jetojnë në Prishtinë.

Trualli i banuar sot prej shqiptarëve ku bën pjesë edhe territori i sotëm i Kosovës, filloi të popullohej shumë herët, që në kohën e paleolitit, mbi 100 000 vjet më parë. Në lashtësi, Kosova njihej si Dardani dhe banohej nga fisi i dardanëve. Burime historike përmendin mbretërinë e dardanëve që në shekullin e IV para Krishtit e cila përfshinte Kosovën dhe hapësirën përreth. Mbretërit dardanë ishin më të njohurit: Longari, Monuni dhe batoja të cilët luftuan kundër Maqedonisë së vjetër, duke korrur fitore të mëdha.

Dardania u pushtua nga Roma në fund të shekullit të I-rë para Krishtit dhe i dha i dha Perandorisë Romake disa prej perandorëve më të shquar, përfshi këtu edhe Konstandinin e Madh. Më pas, gjatë dyndjeve barbare të shekullit V dhe VIII, Dardania u kthye në vatër të sigurt të ruajtjes së kulturës dhe gjuhës ilire si edhe të trashëgimisë së popullsisë së romanizuar, duke mbetur pjesë e perandorisë Romake të lindjes, ndryshe e njohur me emrin bizantine. Në shekullin IX Dardania u pushtua nga perandoria Bullgare. Më vonë iu kthye shkurtimisht bizantëve, para pushtimit serb në shekullin XII. Në 100 vitet në vazhdim serbët vendosën sundimin e tyre në Kosovë.

Me formimin e Perandorisë Serbe në vitin 1346, Dardania u kthye në njësi qendrore gjeografike të shtetit serb. Më 1389, në betejën e famshme të Kosovës, koalicioni ushtarak i krishterë i përbërë nga serbë, shqiptarë, boshnjakë e hungarezë me në krye princin serb Lazar Hreblanoviq, u mposht nga turqit osmanë, që morën kontroll të plotë mbi territorin kosovar më 1455…

Në viti 1870, Perandoria Osmane kishte pësuar ngushtim të territorit dhe po shënonte humbje në luftërat kundër monarkive sllave të Europës. Gjatë luftës ruso-turke, 1877-1878, trupat serbe pushtuan pjesën veri-lindore të trevës së Dardanisë, duke dëbuar 160 000 shqiptarë nga 640 vendbanime. Veç kësaj, nënshkrimi i Traktatit të Shën Stefanit, paralajmëroi fillimin e rrethanave të vështira për popullsinë shqiptare, trojet e të cilës do t’i kalonin nga Turqia te Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria. Nga frika e copëtimit të viseve të banuara nga shqiptarët në mes të mbretërive të sapo formuara ballkanike, shqiptarët themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 10qershor 1878, tri ditë para fillimit të punimeve të Kongresit të Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha do të rishikonin vendimet e Shën Stefanit. Lidhja e Prizrenit u formua me mbështetjen e Sulltanit i cili shpresonte të shpëtonte territoret osmane. Lidhja u angazhua për krijimin e një shteti autonom shqiptar brenda Perandorisë Osmane, ngriti një ushtri dhe zhvilloi luftë mbrojtëse. Në vitin 1881, për të qeverisur Shqipërinë, u formua një qeveri e përkohshme nën kryesinë e Ymer Dishnicës të ndihmuar nga ministrat e shquar si Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi. Ndërhyrja ushtarake e shteteve ballkanike, Fuqitë e Mëdha si edhe Turqia i ndanë forcat në tre fronte, duke sjellë fundin e Lidhjes…

Në vitin 1968, në Kosovë shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë të cilët kërkuan të drejtat e tyre kombëtare: përdorimin e gjuhës dhe të flamurit kombëtar.

Në vitin 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës.

Në vitin 1981 u provokuan përsëri demonstrata për shpalljen e Kosovës, Republikë.

Në vitin 1987 u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës nën udhëheqjen e Jusuf Buxhovit, e kryesuar më pas nga Dr.Ibrahim Rugova.

Në tetor të vitit 1991 u zhvillua referendumi mbarë popullor që e shpalli zyrtarisht Kosovën të pavarur e sovrane, ndërsa Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri kryetar i republikës. Në vitet 1997-1999 u zhvillua lufta e ushtrisë çlirimtare dhe në pranverën e vitit 1999, trupat e NATO-s me ndërhyrjen ajrore i dhanë fund gjenocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës.

Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani është njohur nga 96 shtete të botës.

Çamëria

Më 31 janar të vitit 1878, Porta e Lartë u detyrua të nënshkruaj armëpushimin e Edrenesë dhe më 3 mars nënshkroi Traktatin e Paqes së Shën Stefanit në të cilin Shqipëria as që përmendej fare si kombësi më vete dhe se gjysma e trojeve të saj iu jepej shteteve sllave të Ballkanit.

Në këto kushte, nën drejtimin e Iljaz Pashë Dibrës, u krijua Lidhja Shqiptare e Orizrenit më 10 qershor 1878 për t’iu kundërvënë vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit. Qeveria e Athinës i bënte presion Portës së Lartë për të zbatuar protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit sipas të cilit Çamëria duhej t’i aneksohej Greqisë.

Më 25 janar të vitit 1913, ministri i jashtëm i Anglisë, Eduart Grei, i bëri një shtojcë memorandumit në të cilin shkruhej: “Popullsia e Sanxhakut të Korçës duke përfshirë qytetin… arrin 132 000 banorë prej të cilëve 100 000 janë shqiptarë myslimanë, të tjerët shqiptarë të krishterë dhe vlleh. Nga Kosutri në Meçovë e gjithë treva është e banuar me shqiptarë dhe koçovllehë. Sanxhaku i Çamërisë ka 75 000 shqiptarë prej të cilëve 18 000 shqiptarë të greqizuar.”.

Më 7 mars të vitit 1913, pas largimit të trupave turke, ushtria greke pushtoi Çamërinë. Gjenerali Deli Janaqis vendosi të thërrasë në një takim krerët e qyteteve dhe fshatrave çame për të vendosur një marrëveshje. Meqenëse krerët çamë nuk i pranuan kushtet e komandantit grek për disa ditë me radhë, ai urdhëroi vrasjen e 62 kryetarëve çamë dhe dy prej tyre, Fuat Pronjon e Suhbi bej Dinon i rropi të gjallë…

Kongresi i Lushnjës, me kryeministër Sulejman Delvinën, dha alarmin duke njoftuar politikanët e SHBA-së. Presidenti Uillson ndërhyri dhe traktati i Londrës dështoi. Më 10 shkurt të vitit 1920, Uillsoni hodhi poshtë akordin e 14 janarit në dëm të shqiptarëve ku theksonte se SHBA-ja nuk mund ta miratonte: “…një marrëveshje të përgatitur pa dijeninë dhe pa miratimin e qeverisë amerikane.”. Presidenti Uillson vazhdonte: “Në sytë e qeverisë sonë, një zgjidhje e tillë është e pamundur të zbatohet, se do të mohojmë kështu çdo element të drejtësisë e cila për ne është esenciale, nëse kërkohet edhe bashkëpunimi i qeverisë sonë në plotësimin e kushteve të paqes.”…

Më 28 tetor të vitit 1940, kryeministri Metaksa miratoi ligjin grek për gjendjen e luftës me Shqipërinë. Ky ligj u miratua më 10 nëntor nga parlamenti grek dhe, në po atë datë u aprovua me dekret mbretëror nga mbreti Gjergji II, duke shpallur sekuestron konservative të provave të shqiptarëve në greqi.

Më 27 qershor të vitit 1944, regjimenti XVI, i komanduar nga majori Kranjai u fut në Paramithi e nën komandën e major Stefanidhit vrau 930 burra dhe 130 gra. Në Pargë u vranë 49 persona. Masakra vazhdoi, duke vrarë e therur mbi 600 burra, gra e fëmijë. Deri më 70 mars të vitit 1945 numri i të vrarëve i kalonte 7 500 vetët. Masakrat greke mbi popullatën çame janë të panumërta duke filluar nga viti 1913, 1915, 1920, 1937, duke ushtruar gjithmonë terror mbi ta.

Nuk mund të le pa përmendur se grekët vazhdimisht kanë provokuar e vrarë shqiptarë, madje dhe tani në territorin e tyre siç është masakra e Peshkëpisë ku therën e vranë ushtarë e oficerë apo vrasja e djaloshit nga Kukësi i cili si tifoz ishte veshur me flamurin kombëtar. Të gjitha bëmat e Janullatosit, duke ngritur kudo kisha greke, shkuljen e varrezave shqiptare në Kosinë të Përmetit, shkatërrimin e varreve në Boboshticë. Nuk mund të le pa përmendur vendosjen e flamurit tonë në Athinë me kokë poshtë dhe, ç’është më e keqja, diplomacia dhe qeveria shqiptare hesht e nuk guxon të thotë asnjë fjalë. Dhe në fund, qeveria shqiptare i fali grekut edhe detin, 350-400 km2, e të tëra këto bëhen në emër të fqinjësisë e marrëdhënieve “shumë” të mira në shekuj të të dy popujve.

[1] Pirraku Muhamet, Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit. Prishtinë 1979, faqe 37.

[2] Arben Puto, “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha (1912-1914), faqe 84.

[3] Historia e Popullit Shqiptar, V.III, faqe 22.

[4] Arben Puto, “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha (1912-1914), faqe 84.

[5] Historia e popullit shqiptar, Vëllimi III, faqe 23.

 

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

Please follow and like us: