Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir ÇUMANI: Mjerimi në spitale dhe ‘morali’ i shërbëtorëve të Hipokratit

Mediat spanjolle janë tmerruar me spitalet shqiptare. Në një reportazh të publikuar nga “20 minutos” thuhet se spitalet në Shqipëri janë si në Luftën e Dytë Botërore.

Në shkrim thuhet se më shumë infektohesh në spitale, sesa shërohesh.

Ilaçet mungojnë, ndërkohë që brenda në ambientet e QSUT – së, mund të gjesh që nga kafet e deri tek serviset e makinave. Drejtuesit e spitaleve janë partiakë të thekur, – thuhet në shkrim, – ndërsa korrupsioni është në nivele alarmante. Në shkrim thuhet se mungojnë qendrat shëndetësore në vend, ndërsa shumë banorë duhet të ecin kilometra të tërë për të marrë shërbimin parësor. Ndryshe ndodhte në komunizëm, – thuhet në shkrim, – ku edhe zonat më të thella kishin shërbim mjekësor dhe ai ishte falas.

Ky ishte komenti që bënte shtypi spanjoll për gjendjen e mjerueshme të spitaleve tona, por pa hyrë akoma edhe me thellë në detaje të jetës së përditshme të këtij shërbimi që në përgjithësi çdo hallexhi do ta pranonte kokëulur varfërinë, mungesën e ngrohjes dhe të ujit, por asessi nuk do të dëshironte dhe nuk do të pranonte të përfundonte dyerve të spitaleve tona që janë në pikë të hallit.

Shumë njërëz nuk kanë mundësi të vizitohen sepse nuk kanë të ardhura dhe jetojnë në një minimun jetik të varfërisë, në luftë me mbijtetesën. Po me jetimët çndodh!? Po me të moshuarit e vetmuar dhe të braktisur!? Po me invalidët, personat me aftësi të kufizuara!? Ata janë në mëshirë të fatit, rrezikojnë jetën çdo çast, sepse asnjë mjek nuk i prek me dorë nëse nuk paguajnë…

Si kudo, edhe mjekësia është dehumanizuar ca më shumë nga disa sektorë të tjerë publik dhe privat në këto 22 vjet të tranzicionit të zgjatur pa shkak.

Të dypunësuar në sektorin shtetëror edhe në atë privat, një pjesë jo e vogël e mjekëve në marëdhënie okulte dhe bashkëpunim me segmente të caktuara të sistemit administrativ korruptiv që tashmë kanë krijuar oligarkinë e tyre në këtë sektor jetik të vendit, janë kthyer në një babëzi kolektive drejtë një pasurimi galopant dhe pa fre ku mund të thuhet pa frikë se, ata janë evazionistët më të çuditshëm dhe më të mëdhenj fiskal duke mos deklaruar fitimet e tyre marramendëse me bekimin e pushtetit dhe politikës.

Duke patur akses në marëdhënie dhe punën shtetërore, nën ndikimin e trafikut të influencës të lidhur në mënyrë nepotike me hierarkinë dhe njerëzit e pushtetit, qëllimshëm ata e kanë degraduar në mënyrë të shëmtuar shërbimin spitalor publik, për të begatuar shërbimin spitalor privat, nga i cili burojnë fitime marramendëse. E gjitha kjo nuk është rastësi.

Përkundrazi!

Gjatë këtyre 22 vjetëve, shpesh herë kemi dëgjuar kinse nëpër fushata elektorale dhe foltoret e institucioneve më të larta të shtetit shqiptar oratorë politik që flasin me pathos për luftën ndaj korrupsionit dhe reformat që duhen të ndërrmeren në të gjithë sektorin e mjekësisë, por, pakkush e kupton se kjo është thjeshtë një “lojë” dhe demagogji e atyre që na kanë keqqeverisur dhe na keqqeverisin në mënyrë abuzive.

Arsyeja është fare e thjeshtë. Oligarkia që ka mbërthyer në mënyrë kapilare pikat kyçe të korrupsionit galopant në tërë rrjetin e shërbimit mjekësor, reciprokisht jep edhe merr me politikën në mënyrë të ndërsjelltë.

Në këtë kuptim, kupola e kësaj oligarkie, (që janë militantët partiakë që drejtojnë hallkat kyçe administrative të sektorit të shëndetësisë në vend), e ka keqpërdorur dhe e keqpërdorë elitën e inteligjencës mjekësore si një aset elektoral për të bërë lobimin në favor të pushtetit politik, të atyre që na qeverisin në mënyrën më të keqe dhe të pamerituar.

Nga ana tjetër si shpërblim, politika me veprimet dhe mosveprimet e saj, gjithmonë ka ditur të mbyllë sy e vesh në favor të kastës oligarke që mban peng reformën mjekësore. Pra, e gjitha kjo, është një marëdhënie midis politikës dhe kupolës oligarkike në interest të këtyre të fundit dhe në dëm të qytetarëve të këtij vendi.

Është kjo një nga shumë arsyet përse korrupsioni masiv në Shqipëri për më shumë se dy dekada “noton” në mënyrë skrupuloze dhe të rafinuar në gropën e zezë sociale, nga ku të ardhurat që përfitohen në rrugë të paligjshme dhe të pandershme, përqëndrohen në pak duar të atyre që konsiderohen sot “elita e kapitalizuar” e disa profesionistëve arrogantë dhe prepotentë në marëdhënie me të varfërit dhe shtresat e pambrojtura të shoqërisë.

Kjo është edhe një arsye më shumë, përse arkës së së shtetit i mungojnë çdo vit qindra miliona euro, që, nëse ato do të mblidheshin me drejtësi duke respektuar barazinë e ligjit, konkurrencën e ndershme të ekonomisë së tregut të lirë, këto të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit do të vlenin për të tjera punë dhe shërbime publike e sociale në favor të përmirësimit të kushteve dhe cilësisë të jetës së qytetarëve dhe njerëzve në nevojë.

Nga përvoja e praktikës botërore del se në çdo vend të botës së lirë demokratike, një mjek, një kirurg, një stomatolog, çdo profesionist i fushës humane, në veprimtarinë dhe punën e tij ka një normë, një kriter dhe tregues të punës që bën në lidhje me numrin e pacientëve që trajtohen prej tyre.

Një kirurg në Gjermani, Austri, Zvicër, Francë, Suedi, Norvegji, Itali, Turqi apo edhe Greqi, nuk mund të realizojë më shumë se 1 deri në 2 operacione në javë. Këtu në Shqipëri, një kirurg planifikon dhe realizon 3 deri në 5 operacione në ditë. Një stomatolog, në vendet e perëndimit planifikon dhe mund të shpenzoj si kohë të gjithë ditën me 1 deri në 2 pacientë, ndërsa këtu në Shqipëri, një stomatolog planifikon dhe kalon në duart e tij edhe më shumë se 10 pacient në ditë.

Një mjek i zemrës, kardiolog, radiolog, patholog, gastrohepatolog, urolog, endokrinolog, pediatër, hematolog, etj, në vendet e perëndimit nuk mund të planifikoj më shumë se 1 deri në 2 vizita në ditë me pacientët e tij. Këto konsulta, kontrolle dhe vizita mjekësore planifikohen nga mjeku specialist më herët, me një grafik sipas numrit të caktuar të popullatës dhe juridiksionit territorial që mbulon me këto shërbime.

Arsyeja përse mjeku specialist në vendet e perëndimit e shpenzon të gjithë ditën e tij të punës me 1 apo 2 vizita mjekësore, ka të bëjë me faktin sepse pacienti i tij i nënshtrohet një konsulte të thellë dhe të gjithëanshme, me procedurë të gjatë e të detajuar për ekzaminimin e problemit shëndetësor që ai ka, duke mos përjashtuar edhe konsultat në ekip me mjekë të specialiteteve të tjera të cilët thërriten në konsultë nëse nevojitet, sipas rastit.

Kurse në Shqipëri, në klinikat private dhe shtetërore, një pjesë mjekëve që kanë monopolizuar ekstremisht në pak duar shërbimet në profesionin e tyre duke mos u lënë as radhën të rinjve që janë specializuar dhe kanë marrë njohuri edhe më bashkëkohore në shumë universitete prestigjoze të botës, planifikojnë dhe munden të realizojnë 50 deri në 100 vizita dhe diagnostikime rutinore në ditë, kundrejtë pagesave shumë të kripura dhe të papërballueshme nga pacientët e këputur, tarifa të cilat në të shumtën e rasteve nuk deklarohen prej këtyre mjekëve.

Por, megjithë kohën e pamjaftueshme fizike të disa mjekëve specialistë të spitaleve tona publike dhe private për të përballuar në një ditë të vetme me sforco në një aventurë të paimagjinueshme një numër rekord vizitash apo ndërhyrje kirurgjikale, madje disa herë tej normës dhe standarteve që aplikojnë homologët e tyre në vendet fqinjë dhe në përëndim, pyetja që të lind me të drejtë në këtë rast është: sa rezultat, garanci, saktësi dhe cilësi kanë këto ekzaminime dhe konsulta, përfshirë dhe ndërhyrjet kirurgjikale tek pacientët e trajtuar nga këta mjekë?

Për të mos paragjykuar të gjithë atë armatë të shëndoshë të mjekëve që me punën, integritetin dhe përkushtimin e tyre profesional, një jetë të tërë kanë dhënë dhe japin një kontribut të çmuar në mbrojtjen dhe shpëtimin e shumë jetëve njërëzore, siç janë mjekët e nderuar dhe tepër të respektuar, Dhimitër Kraja, Ilirjana Ruka, Feçor Agaçe, Themistokli Sinjari, etj, është vendi të përmend dy episode që nuk e nderojnë aspak këtë profesion human dhe po aq fisnik. Përkundrazi, e kompromentojnë dhe e njollosin rëndë atë.

Para pak ditësh, pata një bisedë interesante me një mjek të nderuar që mban në shpinë një karrierë të gjatë 40 vjeçare, një profesor, pedagog dhe shkencëtar i shquar në fushën e endokrinologjisë shqiptare, autor i shumë teksteve , librave dhe studimeve në këtë fushë. Ishte shumë i dëshpëruar, por edhe i fyer rëndë njëkohësisht. Jo për faktin se një spital i njohur privat (që çdo ditë bombardon mediat me reklama pa fund për shërbimet që ofron), i kishte ndërprerë kontratën e punës. Jo! Madje, vetë profesori e kishte kërkuar këtë ndërprerje të kontratës me këtë institucion shëndetësor privat. Arsyeja ishte fare e thjeshtë.

Profesori i nderuar, duke patur integritetin e tij profesional dhe atë moral, edhe pse rrogën e kishte mjaft të mirë në këtë vend pune, nuk u bind dhe nuk i’u nënshtrua disa kërkesave absurde të administratorit, kërkesa këto që binin ndesh me kodin etik, profesional dhe parimet humane të mjekut. Pas 6 muaj pune në këtë spital, profesori u thirr nga administratori i këtij institucioni privat i cili i kërkonte që të gjithë pacientët që vinin për vizitë tek ai, të mos i përcillte vetëm me një vizitë, por t’i mbante sa më gjatë, ti sorollaste pa fund përmes bërjes së vizitave, konsultave dhe analizave të panevojshme që kishin si qëllim mbushjen e arkës së administratorit.

Pas këmbëngluljes së admninistratorit për të arritur marrëveshjen në favor të tij me mjekun, profesori i nderuar zgjodhi të dorëzonte çelësat e klinikës së tij për të qenë faqebardhë dhe i qetë me ndërgjegjen, duke mos u bërë pjesë e një krimi të shëmtuar social.

Sot, kur shumë nga kolegët dhe ish – studentët e tij kanë hapur klinikat private dhe ushtrojnë profesionin e tyre, profesori i njohur endet në kërkim të një pune ku të mos ketë më telashe dhe andrralla nga ato që u përmendën më sipër.

Në kontrast me shembullin e mësipërm, do të përmendja edhe një rast tjetër të ndodhur kohë më parë me një mjeke mjaft e njohur në spitalin neurologjik të qëndrës spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Mjekja neurologe ushtronte profesionin e saj privat në mjediset e spitalit shtetëror. Paradite, gjatë orarit zyrtar të punës, kjo mjeke kufizonte vizitat shtetërore, dhe gjatë këtij orari kontaktonte, planifikonte dhe organizonte vizitat me pacientët e saj pas orës 13.00, kohë që konsiderohej përmbyllja e orarit të punës me shtetin. Pas këtij orari, vizitat që do të bënte më tej konsideroheshin vizita dhe konsulta private dhe radha tek dera e klinikës së saj në godinën shtetërore ku ajo paguhej nga taksapaguesit shqiptar zgjatej pafund.

Atë ditë shoqëroja një të njohurin tim, i cili ankohej për një dhimbje të vazhdueshme të kokës që e bezdiste shpesh dhe e shoqëronte prej javësh. Pas vizitave me pacientët që kishin qënë në radhë para nesh, (vizita që nuk zgjatnin më shumë se pesë minuta), erdhi edhe radha e të njohurit tim. Hymë së bashku dhe mjekja na zgjati dorën me një buzëqeshje të sforcuar, duke nisur pyetjet me pacientin që ankohej nga dhimbja e kokës.

Pas një komunikimi të shkurtër pyetje – përgjigje mes mjekes dhe pacientit, mbretëroi një heshtje… Pacienti e humbi qetësinë dhe filloi të fliste pa pushim për problemet e tij në lidhje me shqetësimet që kishte duke e pyetur mjeken se nga se vinte ky shqetesim! Pa i ngritur sytë nga tavolina e punës, duke i mbushur një recetë me barna, përgjigja nën zë e mjekes ishte: Asgjë! Është një dhimbje banale…

Përdorë këto ilaçe dhe do të vish përsëri për vizitë.
Me recetën e barnave në dorë, mjekja e drejtoi pacientin tek paradhoma e sekretares së saj ku ai duhet të paguante shumën prej 3.000 lekë të reja për këtë vizitë. I hutuar, pacienti nxorri nga xhepat paratë për të paguar vizitën e mjekes , vizitë që nuk zgjati më shumë se tre minuta, duke mos marrë nga sekretarja as faturën e kësaj pagese të padokumentuar.

Jashtë radha ishte litar. Afro 40 – 50 pacientë të tjerë prisnin vizitën me mjeken, e cila për ironi të fatit, sot, është një nga titullaret kryesore në një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit universitar.

Pra, shihet qartë se, me sa seriozitet dhe me ç’farë cilësie punohet në dëm të pacientëve hallexhinj në emër të fitimit…! Në këtë kuptim, duke analizuar të gjitha këto sjellje e dukuri të pasinqerta dhe aspak korrekte të marëdhënieve pacient – mjek , duhet thënë pa frikë se, për disa nga këta mjek, pacientët e gjorë konsiderohen si individë që domosdoshmërisht duhet të kalojnë në duart e tyre vetëm për të paguar një grusht me para, por jo si qënie humane që duhen trajtuar me respekt e dashuri për atë çka ata e vuajnë me shëndetin e tyre.

Këtu respekti dhe vlera për jetën nuk janë ç’vlerësuar vetëm nga aksidentet e shumta, nga sjelljet dhe mardhëniet tepër stresante dhe neurotike që në përgjithësi njerëzit i ndeshin në jetën e përditshme nga hallet dhe problemet e shumta që ata kanë, por, edhe nga arroganca e keqpërdorimi i pushtetit politik, monopolizimi i pushtetit admnistrativ dhe profesional që sapo përmendëm më lart.

Pikësëpari, vlera e jetës së njeriut në Shqipëri është ç’vlerësuar në mënyrën më banale nga ata që në të vërtetë duhet ti japin kuptimin e vërtetë dhe dimensionin real jetës, nga ata mjekë të pandërgjegjshëm dhe aspak human që në emër të moralit të parasë përdhosin dhe mohojnë vlerat universale të humanizmit.

Ja përse spitalet tona publike edhe pas 22 vjetësh nuk po e marrin veten dhe kanë degraduar në një mjerim të thellë social nga këta hipokritë dhe matrapazë socialë pa zemër dhe pa shpirt, të maskuar nën petkun e bluzës së bardhë të HIPOKRATIT.

Është koha për një zgjim të madh qytetar në mbrojtje të vlerave dhe jetës, ashtu siç ndodh kudo në botën e qytetëruar demokratike, për të mos lejuar më tej makutërinë e disa sharlatanëve të tillë që kanë në dorë jetën e njeriut dhe që marrin dita ditës nëpër këmbë DINJITETIN NJERËZOR….

Please follow and like us: