Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Rama e di kush i mori 6 milionë eurot e studentëve

 

 

Para disa javësh Edi Rama duke lëshuar lloj lloj akuzash në një “show” të madh mes dekanëve, rektorëve e pedagogëve u shpreh gjoja i cuditur se kupolat e universiteteve kishin tenderuar 6 milionë euro për roje sigurie duke shprehur habi madje se përse duhen gjithë këto roje. Por si çdo deklaratë që fsheh mbrapa një skandal që i kthehet gjithnjë në bumerang Kryeministrit, përplasja e studentëve me rojet e sigurisë fizike nëpër universitete, përveç policisë së shtetit, nxorri të vërtetën në shesh se çfarë ishin këto 6 milionë euro, kush ua ka kaluar këtë fond universiteteve dhe kush i ka marrë në fund të fundit këto fonde që Kryeministri bënte gjoja se nuk e dinte se cfarë ishin.

Të gjitha ato 6 milionë euro i ka marrë shoqëria “Eurogjici”, kompani e drejtuar nga Safet Gjici, njeriu i Kryeministrit Rama si kandidat për deputet i PS-së në Kamëz, por edhe Prefekt i qeverisë për Kukësin për disa kohë. Fondet i ka dhënë po qeveria tek universitetet me të vetmin qëllim që ato të merreshin nga klienti i ekzekutivit dhe më pas dihet se si shkon puna. Pra demagogjia e Ramës me fondet që gjoja universitetet kishin harxhuar apo shpërdoruar pa dijeninë e tij ishte një maskaradë e shëmtuar e Kryeministrit për të hedhur në atë moment hallin që e kishte zënë me mijërat e studentëve në rrugë. U desh vetëm pak kohë, që gënjeshtra e madhe e shoqëruar me një tjetër skandal të dalë në pah.

Sa për atë se përse u duhen universiteteve kaq shumë roje private policore besoj se përgjigja është e qartë. Nuk u duhej universiteteve por qeverisë që të kontrollonte universitetet e që në raste si ky i rrebelimit të studentëve të shtypte me polici private, rojet e sigurisë fizike të “Eurogjici”, studentët e pabindur ndaj qeverisë. Është kaq e thjeshtë…Dhe Rama është lakuriq përsëri. Sigurisht për ata që e shohin se sa për të tjerët që bëjnë rolin e përfituesit nga qeveria, cdo gje shkon pa problem.

Please follow and like us: