Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir ÇUMANI: PISKAMA ULËRITËSE E NJË NËNE

 

Duke ndjekur emisionin “Koha për t’u Zgjuar” të Bashkim Hoxhës, në News 24.

Në përgjumjen e orëve të para të agut të djeshëm, teleshikuesit e televizionit “News 24”, përjetuan tmerrin e një piskame ulëritëse të një nëne në mjerim. Ajo, duke bërë publike shqetësimin që kishte, ndjehej e tëra në panik, e lodhur, e pafuqishme, e pashpresë, e pushtuar në lotë, ngashërima e vuajtjeje, e pamundur për t’ia dalë mbanë halleve të shumta dhe vështirësive të jetës. Dukej haptazi se e kishte humbur betejën me jetën dhe tashmë i ishte dorrëzuar fatit…

Në emisionin mjaft të ndjekur “Koha për t’u zgjuar”, e moderatorit Bashkim Hoxha, kjo nënë e dëshpëruar, përmes dhimbjeve e lotëve që e pengonin të ishte e kthjellët që të shprehej më qartë, bënte apel për cilindo që kishte mundësi, kërkonte modestisht një ndihmë për 3 të vegjëlit e saj që i rriste e vetme. Gruaja mjerane nga fshati Kallm e Vogël në rrethin e Fierit, në ato pak sekonda rrëfeu për emisionin se kishte 12 vjet që jetonte në një strehë të rrënuar, pa drita, në errësirë, pa ngrohje, me tavan të rrëzuar e të mbushur me merimanga. Ajo nuk kishte mundësi ti ushqente as me bukë thatë të vegjëlit e saj, të cilët kishin kohë që nuk e frekuentonin shkollën, ngase atyre u binte të fikët në klasë nga të pangrënët.

Kaq mundi të belbëzonte e mjera nënë, e pastaj vringthi u shkëput nga telefonata me gazetarin e njohur, duke lënë në heshtje peshën e dhimbjes njerëzore tek të gjithë ata që e dëgjuan dhe u bënë dëshmitar të asaj piskame ulëritëse. Në fakt, situata e djeshme për rastin në fjalë, nuk do të kishte qenë shkaku për ta evidentuar veçmas në këto rreshta për lexuesin, pasi siç dihet, tashmë ato janë bërë krejt të zakonshme në jetën përditshme dhe dëshmon qartë tabllonë dëshpëruese e të pashpresë, shkallën e varfërisë ekstreme në të cilën ndodhet sot një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare.

Por, ajo që më bëri përshtypje, ishte fakti se si moderatori i emisionit Bashkim Hoxha reagoi me një ndjeshmëri të lartë njerëzore e profesionale ndaj atij rasti në bashkëbisedimin e radhës me një tjetër telefonues, i cili, pas kësaj situate befasuese, e nisi komunikimin e tij me sharje e fyerje për X politikan opozitar dhe nga ana tjetër, vlerësonte e mburrte Y politikan të krahut tjetër në pushtet. Telefonuesi, vazhdonte në të tijën dhe ishte përfshirë i tëri në debatin për politikën dhe kjo e nxiti gazetarin të ndërhyjë duke i kujtuar bashkëbiseduesit se, a nuk do të ishte më mirë që të largoheshin nga debati shpesh herë i panevojshëm politik dhe të soliderizohemi të gjithë së bashku me lotët e asaj nëne që apelonte për ndihmë …!?

Lutja e gazetarit, që në thelb shprehte përgjegjësinë qytetare, ndjenjën prindërore, solidaritetin edhe aspektin human, por edhe profesionalizëm, nuk i bëri aspak përshtypje telefonuesit për të ndërruar mëndje… Përkundrazi! Në rrëmujën e sharjeve dhe fjalëve fyese që përdori në adresë të politikanëve që telefonuesi i kishte targetuar, nuk nguroi të përfshinte dhe sulmonte edhe nënën fatkeqe e cila apelonte për ndihmë. Kjo, e revoltoi pa masë drejtuesin e emisionit, i cili me të drejtë i’a mbylli telefonin duke i’u drejtuar me fjalët: “….Nuk e kuptoj këtë egërsi, këtë ashpërsi…”!

Nuk do të dëshiroja të ndalesha më gjatë për të analizuar reagimin qytetar, gjestin njerëzor dhe të admirueshëm të gazetarit të njohur. Sikundërse, as atë të telefonuesit, që në fakt, të bën të ndjehesh keq kur sheh se shoqëria jonë ka ende rrugë të gjatë për të bërë në emancipimin e vetvetes, për të promovuar dhe forcuar mekanizmat e vullnetarizimit dhe solidaritetit njerëzor.

Duke marrë shkas nga ky rast, do të theksoja faktin se, situata e vështirë që po kalon vendi, klima e nxehtë politike në këtë dimër të ftohtë, nuk mund të sjellë asgjë të dobishme për qytetarët që presin zgjidhje të çështjeve shumë të rëndësishme siç është edhe lufta kundër varfërisë. Kjo tregon se sa keq politika ka hyrë në jetët tona, e cila, interferon negativisht përmes konfliktualitetit, luftës së pandershme dhe etjes për pushtet, me anë të së cilës ka mundur të manipuloj dhe të përçaj edhe qytetarët e këtij vendi. Ajo e ka parcelizuar të gjithë shoqërinë, duke e dehumanizuar edhe më shumë atë. Kjo bën që të mos jemi të kthjellët, të mos shohim me objektivitet realitetin ku jetojmë, të ardhmen dhe prespektivën tonë të përbashkët.

Please follow and like us: