Albspirit

Media/News/Publishing

Sindikatat e arsimit dhe universitetet e Kosovës protestojnë me grevë për rritjen e pagave

Enver Bytyci

 Protestat gjithmonë janë e drejtë njerëzore. Por Kosovës i kërcënohet territori. E pa territor, praktikisht pa Trepçen mësuesit dhe pedagogët e Kosovës nuk do të mund t’i kishin këto paga që sot i kanë! Prandaj vlerësoj se protesta është adresuar gabim, është motivuar politikisht.

Kjo lloj proteste vetëm se ndihmon Hashim Thaçin, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramën ta ndajnë Kosovën e ta shkatërrojnë shtetësinë e saj. Pas ndarjes mësuesit e pegagogët e Prishtinës do të duartrokasin bashkimin, pjesës së mbetur të Kosovës me Shqipërinë, por paga e tyre do barazohet e pagën e mësuesve dhe pedagogëve të saj. Atëherë mësuesit e Kosovës do të kenë një pagë mesatare diku te 350 euro dhe pedagogët jo më shumë se 670 euro. Kur të mbërrijë kjo ditë do ta kuptoni ju që protestoni për paga të larta se çdo të thotë të jetosh me standardin e pagave të Shqipërisë. Do kuptoni edhe se greva e sotme ishte një mashtrim i madh i Hashim Thaçit! Por do të jetë vonë.

Për ju, për ne, për gjithë shqiptarët! Protestoni kundër ndarjes dhe për ruajtjen e forcimin e shtetësisë së Kosovës, o njerëz të dijes! Mos u manipuloni prej një njeriu që synim të tij ka lavdinë personale e kultin e vet, me çmimin e territorit të vendit tuaj! Shihni sa qindra mijë euro ka shpenzuar për të sponsorizuar librin e lavdisë së vet shkruar në SHBA!

Nuk do ta kisha besuar se kolegët mi në universitetet e Kosovës dhe mësuesit e lavdisë së asaj Kosove që rezistoi në ditët më të vështira, do të bien në një kurth kaq ordiner dhe do i bashkëngjiteshin intrigës serbo-ruse të ndarjes së Kosovës dhe shkatërrimit të shtetësisë së saj!

Please follow and like us: