Albspirit

Media/News/Publishing

Samit Diaspore? Më mirë një muze për sakrificat e tyre

Elkier Bushkolaj

Në vitin 1998, shtëpinë tonë në Durrës, vjen një i afërm, të cilin policia greke e kishte kapur në kufi, në përpjekje për të hyrë në vendin fqinj dhe e kishte kthyer pas. Teksa po ndërrohej, vumë re se shpina e tij ishte e nxirë dhe me plagë të hapura nga goditjet e shkopinjve të gomës në dhomat paraburgimit në vendin fqinj që kishte marrë si shpërblim pasi disa ditësh rrugëtim në këmbë malit. Në të njëjtin vit, daja im vinte nga Mirdita çdo fundjavë, në përpjekje për shkuar me skaf në Itali në mes të dhjetorit, kur në detin e trazuar ngurronin të dilnin peshkatarët e regjur dhe marinarët e kalitur.

Episode të tilla, në atë periudhë kanë qenë të pranishme në mijëra familje shqiptare, teksa djemtë dhe vajzat më të mirë të këtij vendi përmes malit, detit dhe ajrit janë larguar nga vendlindja, nga familjet, për një jetë më të mirë për vete dhe për ata që lanë me lot në sy në pragje banesash, apo salla pritjesh në porte dhe aeroporte. Historia e emigracionit shqiptar është e veçantë, simbol sakrifice, vetëmohimi dhe atdhedashurie. Emigrantët evropiane ndërtuan Amerikën, por rrokën armët kundër shteteve evropiane për të fituar lirinë, ashtu dhe italianët, spanjollët dhe portugezët, ndërtuan shtetet e Amerikës Latine dhe më luftë hoqën qafe robërinë nga ish vendet e tyre. Emigrantët shqiptarë, përpara se të ndërtonin jetën dhe realizonin ëndrrat personale në vend të huaj, kontribuuan për të siguruar jetesën e familjarëve në atdhe. Ekonomia e familjeve shqiptare u rimëkëmb nga paratë e mërgimtarëve, e me këto të ardhura u ngritën biznese, u ndërtuan shtëpi, u shkolluan të rinj, u hapën mijëra vende pune, duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike të vendit. Vetëm në 2018 remitancat e emigrantëve kapën shifrën e rreth 500 milionë eurove. Janë të shumtë ata që dijet dhe zanatet e fituara, e të vjedhura në perëndim i implementuan në vendlindje, duke e kthyer Shqipërinë nga një moçalishte në një vend që të ofron shpresë.

Për të përshkruar e kujtuar vuajtjet e mërgimtarëve, nuk do mjaftonin një seri romanesh, teksa mjafton vetëm të sjellim ne vëmendje tragjedinë e Otrantos, apo të 9 janarit, ku zëri i atyre të rinjve që në det të hapur që kërkonin ndihmë përmes një televizioni ka mbetur si një plagë e përgjakur në memorien e shqiptarëve. Shumë djem rinj janë vrarë në zonat kufitare, të tjerë janë masakruar e zhdukur në burgje, e pavarësisht këtyre rasteve tragjike, emigrantët shqiptarë janë një histori suksesi.

Prej dy vitesh qeveria organizon Samitin e Diasporës, kostoja e të cilit është jo pak e vogël për buxhetin e plogësht të vendit tonë, për t’ua treguar publikisht mërgimtarëve se shteti amë nuk i ka harruar, fatkeqësisht realiteti është ndryshe. Klasa politike shqiptare nuk guxon të dalë mbi veten, të gjejë gjuhën e përbashkët për votën e emigrantëve, siç gjeti mirëkuptimin për kodin zgjedhor, apo në rastet kur u përputhen interesat klienteliste.

Emigrantët meritojnë të kenë përfaqësues në parlamentin e vendit tyre, që është kthyer në një sallë ku vegjetojnë nëpunës partish, që nuk i njohin as votuesit. Deputetë të forcave të ndryshme politike prej vitesh shkojnë në vendet ku shqiptarët kanë emigruar, e teksa nuk kërkojnë kurrë ndjesë se është pikërisht klasa politike që i detyroi të largohen nga atdheu, i ftojnë të vijnë në Shqipëri e të votojnë sa herë ka zgjedhje. Me paturpësinë më të madhe u premtojnë se zgjedhjet e ardhshme mund të votojnë në vendet ku jetojnë dhe do kenë kuotat e tyre në parlament. Ky zotim mbetet në letër, personazhet e politikës mbeten po ato, premtimet nuk ndryshojnë e fatkeqësisht emigrimi në masë vijon të mbetet një fenomen që do ketë pasoja fatale për vendin. Kjo hipokrizi me emigrantët duhet të marrë fund e puna për të vlerësuar kontributin e tyre duhet të nisë që nga recepsionet e selive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë, ku bashkatdhetarët tanë meritojnë të marrin shërbim dinjitoz, e duhet të finalizohet me të drejtën e votës dhe kuotat në parlament.

Në nder të emigrantëve dhe veprës së tyre, Shteti Shqiptar duhet të ngrejë një muze. Aty përmes fotografive, videove objekteve, shkrimeve duhet pasqyrohen vuajtjet, sakrificat, dështimet dhe sukseset e bijve e bijave tona që fati i detyroi ta ndërtojnë jetën larg atdheut. Të rinjtë shqiptarë, por edhe të huajt duhet të njohin meritën që kanë emigrantët shqiptarë që populli i tyre të mbijetojë.

Please follow and like us: