Ismet Hajrullahu: DARDANIA
Me shkas
Materiali nga Fusha e Badocit ishte i pabotuar dhe është i vetmi material arkeologjik që ka mbetur nga ky lokalitet, sepse të gjitha gjurmët e tij janë zhdukur më rastin e ndërtimit të liqenit artificial të Badocit, material i cili për habi, nuk është trajtuar dhe ishte braktisur në një qoshe të depos së Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, në kushte tejet të mjerueshme.
Numri i tretë i revistës së trashëgimisë kulturore “Dardania”, është numër ekskluziv, pasi për herë të parë po sjellim para lexuesit materialin arkeologjik të publikuar ndonjëherë deri me sot. Fjala është për gjetjet arkeologjike të dy lokaliteteve shumë të rëndësishme siç është Fusha e Badocit, e gërmuar në vitet 1967 dhe 1969, si dhe ajo e Tjerrtores, e gërmuar në vitin 1980.
Materiali nga Fusha e Badocit është i pabotuar deri më sot dhe është i vetmi material arkeologjik që ka mbetur nga ky lokalitet, sepse të gjitha gjurmët e tij janë zhdukur më rastin e ndërtimit të liqenit artificial të Badocit, material i cili për habi, nuk është trajtuar deri më sot dhe ishte braktisur në një qoshe të depos së Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, në kushte tejet të mjerueshme.
Po ashtu, edhe materiali arkeologjik i vitit 1980 nga lokaliteti i Tjerrtores është deri më sot i pa publikuar dhe kjo e bënë këtë numër të revistës “Dardania” edhe më të veçantë.
Materiali i këtyre dy lokaliteteve është hulumtuar, studiuar dhe është pasuruar edhe në aspektin teknik, ku janë sjellë skicimet e fragmenteve më domethënëse të materialit arkeologjik, të cilat janë renditur në revistën “Dardania”.
Këtu është renditur materiali në bazë të kronologjisë dhe është bërë edhe përshkrimi tipologjik i enëve, si dhe fragmenteve të figurinave dhe artefakteve të tjera të gjetura nga ky material, në formë tabelore me përshkrim të detajuar.
Lokaliteti i Fushës së Badocit është mjaft i pasur me qeramikë, duke filluar nga periudha e neolitit të vonë, bronzit të hershëm dhe të vonë, hekurit të hershëm, helenistike, romake, si dhe periudhës mesjetare që, përcjell kontinuitetin e popullatës neolitike deri tek periudha mesjetare, me një kompaktësi autoktone.
Materiali arkeologjik i hulumtuar na ofron të dhëna për ekzistencën tonë, se paku, në shtate horizonte të banimit. Ky është një argument mjaft i fuqishëm për të vërtetuar vazhdueshmërinë e së njëjtës popullatë, si dhe për të tërhequr paralele me kulturat e njëjta, si në Republikën e Shqipërisë, po ashtu edhe në ato në Maqedoninë Veriore e Serbinë e sotme, por edhe më gjerë.
Ndërsa lokaliteti i Tjerrtores dhe i gjithë materiali i saj i gërmuar ne vitin 1980 i takon periudhës së mesme të neolitit, i cili ka ofruar edhe shumë fragmente figurash. Ky material i Tjerrtores së vitit 1980 është material i gërmimeve të fundit, të cilat janë kryer në Tjerrtore. Gërmimet e para në Tjerrtore janë kryer ne vitet 50-ta, kur edhe u zbulua ky lokalitet, me rastin e ndërtimit të Fabrikës së Tjerrtores, prej nga e mori edhe vetë emrin. Aty u zbuluan disa figurina të plota neolitike , që shërbyen më vonë edhe për rekonstruimin e figurinave te tjera të gjetura më vonë.
Enët bikonike, amfora bikonike, enët e cekëta me parete të trasha, pjata të cekëta, enët me një qafë cilindrike, enët me bark sferik, tasat me fund të lartë e të dekoruar, pastaj rrotulla boshti për tjerrje, fragmenteve të ritoneve, etj, janë format më të shpeshta,që i ndeshim ne materialin e vitit 1980 te Tjerrtorja. Po ashtu, edhe shfaqja e qeramikës së zezë, gri me shkëlqim është prezentë në
Tjerrtore. Zbukurimi i qeramikës së Tjerrtores është bërë me anë të incizimit, me motive të rregullta e të parregullta, të ngjashme me ato të qeramikës së Vinçës, Gradacit, Plloçnikut, Cakranit etj.
Më rrallë është prezente edhe qeramika pseudo-barbotine,e cila përfaqësohet në të gjitha variantet tek enët e mëdha të rezervave. Të përfaqësuara janë edhe figurinat e ndryshme antropomorfe të gjinisë femërore dhe figurinat me kokë shpezore.
Fatkeqësisht, edhe pas luftës së fundshekullit XX për Kosovën, në Kosovë, që nga viti 1999, nuk janë kryer asnjëherë kërkime të rregullta për ta shpëtuar atë së çfarë ka mbetur nga shkatërrimi i këtij lokaliteti me rastin e ndërtimit të fabrikës së Tjerrtores.
Ndërkaq, ajo çfarë ka shpëtuar nga ndërtimi i fabrikës, sot vazhdon të shkatërrohet nga ndërtimet e objekteve të ndryshme.