DËSHMORI VESEL TILA DHE GJASHTË DËSHMORËT E TJERË TË SHËNMRISË NË ALTARIN E LIRISË
(Në përkujtim të 82 vjetorit të rënies së dëshmorit 17 vjeçar Vesel Bajram Tila (22.10.1927-12.11.1944) të lindur në fshatin Shënmëri (Burimas) dhe të rënë në fshatin Lumbardhë të Pejës në Kosovë. Vesel Tila është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr 162, datë 4.12.1975, dhe ka merituar përjetësinë në altarin e nderimit më të lartë të kombit shqiptar. Dëshmorë të fshatit Shënmëri janë: Sadik Rrapush Koçi (1922-2003, Tiranë) Shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr 48, datë 17.3.2005. Qamil Rakip Ceka (1926-1947 Fier) Shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr 122, datë 13.06.1979. Ramiz Bajram Sula (1908-1945, Tiranë) Shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr 227, datë 19.11.1979. Zyber Tahir Koçi (1921-1944 ish jugosllavi Kosovë) Shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr 102, datë 24.12.1948. Rexhep Zenel Koçi (1927 – 1947 në Tiranë) Shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”; Hysen Banush Sula (1920- dhjetor 1944 në Tiranë) Shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” Nderim në përjetësi dëshmortëv e të fshatit Shënmëri!).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Shënmëria, një vatër atdhedashurie, trimërie dhe mençurie
Shënmëria, fshati i bukur malor i trevës së Shëngjergjit, ka nxjerrë ndër breza bij e bija me karakter të fortë, mendje të ndritur, shpirt atdhetar dhe dashuri të veçantë për vendin. Historia e tij nuk është vetëm histori e jetës në mal, e punës, e bujqësisë dhe e blegtorisë, por edhe histori e njerëzve që ditën t’i shërbenin Atdheut me pushkë e penë, me dije, mençuri, kurajë dhe përkushtim. Shënmëria ka lindur burra që në kohët më të vështira nuk u tërhoqën përpara përgjegjësisë, por u përgjigjën thirrjes së vendit, duke vënë interesin e përbashkët mbi atë vetjak. Në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kjo traditë atdhetare mori një dimension të veçantë. Kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin nazi-fashist, nga Shënmëria u mobilizuan rreth 40 të rinj, të cilët lanë shtëpitë, familjet, prindërit dhe jetën e tyre të zakonshme, për t’u bashkuar me formacionet partizane. Fillimisht në formacionet e Batalionit të Dajtit dhe më pas në radhët e Brigadës së III-të Sulmuese, ata u bënë pjesë e një lëvizjeje të madhe çlirimtare, që kërkonte sakrifica të jashtëzakonshme. Bijtë e Shënmërisë nuk luftuan vetëm në trevën e tyre, por ata përshkuan shtigje, male, fusha e qytete, luftuan në Shqipëri, Kosovë dhe deri në Sanxhak të Bosnjës, në kushte të vështira, me dimër të ashpër, uri, lodhje, plagë dhe sëmundje. Disa ranë në fushën e betejës, disa u shuan nga plagët dhe sëmundjet e marra gjatë luftës, ndërsa të tjerë humbën jetën në vitet e pasluftës, duke kryer detyrat që u ngarkoheshin. Nga kjo vatër e spikatur atdhetarie, shtatë bij të Shënmërisë u përjetësuan në kujtesën kombëtare me titullin “Dëshmor i Atdheut”. Ata janë krenari e shqiptarizmës: Vesel Bajram Tila, Zyber Tahir Koçi, Qamil Rakip Ceka, Sadik Rrapush Koçi, Ramiz Bajram Sula, Rexhep Zenel Koçi dhe Hysen Banush Sula. Secili prej tyre ka historinë, rrugën dhe sakrificën e vet, por të gjithë i bashkon një fill i vetëm, dashuria e pakufijshme për Atdheun, përkushtimi ndaj idealeve të lirisë dhe gatishmëria për të mos kursyer jetën në shërbim të tij. Në këtë plejadë dëshmorësh, një vend të veçantë zë Vesel Bajram Tila, djaloshi 17-vjeçar që ra në truallin dardan të Kosovës, duke u bërë simbol i rinisë, trimërisë dhe vetëmohimit. Emri i tij u përjetësua edhe në shkollën e Shënmërisë, ku brezat e rinj mësojnë, rriten dhe ndërtojnë të ardhmen nën emrin e një bashkëmoshatari që nuk pati mundësinë ta jetonte jetën e tij por u martirizua në emër të lirisë.
Vesel Bajram Tila, dëshmori 17-vjeçar që la emër në historinë e Shënmërisë dhe Kosovës
Vesel Bajram Tila lindi më 22.10.1927 në Shënmëri, në një familje të thjeshtë, në gjirin e së cilës u rrit me dashurinë për vendlindjen, respektin për njerëzit dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Ishte ende në moshën e njomë të rinisë, kur Shqipëria përjetonte ditët e vështira të pushtimit dhe kur liria kërkonte jo vetëm dëshirë, por edhe guxim, vendosmëri dhe sakrificë. Në shtator 1944, vetëm 17 vjeç, Veseli vendosi të bashkohej me formacionet partizane, duke lënë pas familjen dhe ëndrrat e moshës së tij. Ai ishte një nga rreth 40 të rinjtë e Shënmërisë që iu përgjigjën thirrjes së Atdheut dhe u rreshtuan në luftën për çlirimin e Shqipërisë. Fillimisht i bashkuar me formacionet partizane të Batalionit të Dajtit, Veseli u bë më pas pjesë e Brigadës së III-të Sulmuese, një nga formacionet që mori detyra të rëndësishme luftarake gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në shtator 1944, brigada mori urdhër të kalonte në Kosovë, në kuadër të detyrave për të luftuar kundër forcave naziste gjermane dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Vesel Tila u inkuadrua në Batalionin e Katërt dhe mori pjesë në luftime të shumta, duke përshkuar zona të gjera të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës, nga Peshkopia, Kukësi, Hasi e Tropoja, deri në Gjakovë dhe Pejë.
Në këtë rrugëtim të vështirë luftarak, ai u shqua për trimëri, vendosmëri dhe zgjuarsi në veprim. Nuk ishte vetëm mosha e tij e re ajo që e bënte të veçantë, por edhe guximi me të cilin përballonte zjarrin e armikut dhe vështirësitë e jetës partizane. Dokumentet dhe komunikatat e kohës së Brigadës së III-të Sulmuese përmendin veprime të tij luftarake, duke dëshmuar se Veseli ishte një partizan i vendosur, që nuk e njihte tërheqjen përballë rrezikut. Më 12 nëntor 1944, në fshatin Lumbardhë të Pejës, Kosova, Batalioni i Dytë dhe Batalioni i Katërt i Brigadës së III-të Sulmuese u përballën me një kolonë të gjatë naziste gjermane. Luftimi u zhvillua me ashpërsi të madhe, në distanca të afërta, mes breshërive të armëve dhe shpërthimeve të granatave. Partizanët sulmuan nga krahët dhe u përpoqën të mbanin kontaktin luftarak me armikun, duke treguar guxim e qëndresë. Në komunikatën e Shtabit të Brigadës për këtë përballje përmendet edhe Vesel Tila, i cili luftonte thuajse në këmbë dhe me granatat e tij arriti të asgjësonte një mitraloz të lehtë të vendosur mbi një grumbull gurësh, në oborrin e një shtëpie. Veprimi i tij dëshmon për guximin dhe aftësinë luftarake të një djaloshi që, ndonëse shumë i ri, kishte fituar pjekurinë dhe vendosmërinë e një luftëtari.
Por momenti më i dhimbshëm dhe më domethënës i jetës së tij erdhi në ato orë të përgjakshme. Ndërsa luftimi vazhdonte, Veseli u godit nga plumbi i armikut në çastin kur po tërhiqte nën zjarr zëvendëskomandantin e kompanisë së katërt, shokun Ibrahim Vula. Ai rrezikoi jetën për të shpëtuar jetën e një shoku, duke e bërë sakrificën e tij një akt të rrallë solidariteti, humanizmi dhe vetëmohimi. Në këtë mënyrë, Vesel Tila nuk ra vetëm duke luftuar kundër armikut, por edhe duke mbrojtur një jetë tjetër, duke dëshmuar se në zemrën e luftëtarit të vërtetë qëndron edhe dashuria për njeriun.
Më 12 nëntor 1944, në moshën 17-vjeçare, Vesel Bajram Tila dha jetën në truallin e Kosovës, larg vendlindjes së tij, por pranë idealit për të cilin kishte marrë armët. Rënia e tij u bë pjesë e historisë së luftës dhe e kujtesës së Shënmërisë. Për sakrificën e tij u shpall “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 162, datë 4 dhjetor 1975. Për ta përjetësuar emrin e këtij djali që nuk arriti të shijonte jetën, populli i Shënmërisë i dha emrin e tij shkollës 9-vjeçare të fshatit. Shkolla “Vesel Tila” nuk është vetëm një institucion arsimor, por një kujtesë e gjallë e sakrificës, një urë mes historisë dhe brezave, një simbol që u kujton fëmijëve se liria ka një histori dhe se pas saj qëndrojnë njerëz të vërtetë, me ëndrra, shpresa dhe jetë të ndërprera në moshë të re. Vesel Tila mbetet dëshmori 17-vjeçar i Shënmërisë, një emër që nuk i përket vetëm historisë së luftës, por edhe historisë së njerëzimit, sepse trimëria e tij u shoqërua me solidaritet, sepse në çastin e fundit ai mendoi për shokun dhe jo për veten. Ai ra, por la pas një shembull që nuk plaket, një shembull të qartë frymëzimi: të duash Atdheun do të thotë të mos braktisësh njerëzit, të mos braktisësh idealin dhe të mos i kthesh shpinën përgjegjësisë në emër të idealit kombëtar.
Gjashtë dëshmorët e tjerë të Shënmërisë, gjashtë histori sacrifice:
Zyber Koçi dëshmori i plagëve të luftës çlirimtare shqiptare
Zyber Tahir Koçi ishte bir i denjë i fshatit Shënmëri, në Tiranë, dhe një nga të rinjtë që iu bashkua formacioneve partizane për të luftuar kundër pushtuesve nazifashistë dhe për çlirimin e Shqipërisë. Ai u rreshtua fillimisht në formacionet partizane të batalionit të Dajtit, duke u bërë pjesë e atyre bashkëfshatarëve që lanë jetën e përditshme për t’iu përgjigjur thirrjes së Atdheut. Gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës, në shtator 1944, pranë zonës së Kinostudios, Zyberi u plagos rëndë, duke marrë plagë të shumta në trup. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai u dërgua në spitalin partizan në Shëngjin dhe më pas u kthye në Shënmëri, ku vijoi të mjekohej. Megjithëse u përpoq të përballonte pasojat e plagosjes, dëmtimet e rënda të marra në luftë i shkaktuan vdekjen. Zyber Tahir Koçi mbeti një nga dëshmorët e Shënmërisë, jeta e të cilit u ndërpre si pasojë e drejtpërdrejtë e sakrificës në luftën për liri. Ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 102, datë 24.12.1948, duke u përjetësuar në kujtesën e fshatit dhe të familjeve që nderojnë bijtë e rënë për atdheun.
Qamil Ceka luftëtari partizan që i mbijetoi luftës, por që ra në krye të detyrës pas luftës
Qamil Rakip Ceka ishte një nga bijtë e Shënmërisë që iu bashkua formacioneve partizane gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u bërë pjesë e përpjekjeve për çlirimin e Shqipërisë. Në fillim të veprimtarisë së tij luftarake u rreshtua në formacionet partizane të batalionit të Dajtit dhe më pas në strukturat e Brigadës së III-të Sulmuese, ku luftoi së bashku me bashkëfshatarët dhe shokët e armëve. Ai mori pjesë në luftimet kundër pushtuesve nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke përballuar vështirësitë, rreziqet dhe sakrificat e jetës partizane. Pas përfundimit të luftës dhe riorganizimit të ushtrisë nga Ushtria Nacionalçlirimtare në ushtrinë kombëtare, Qamili u caktua në Forcat e Mbrojtjes së Popullit në qytetin e Fierit. Edhe në periudhën e pasluftës, ai vijoi të shërbente në detyrë, duke u përballur me situata të rrezikshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Në nëntor 1947, Qamil Rakip Ceka ra në krye të detyrës gjatë një përpjekjeje me një grup të armatosur të drejtuar nga Rexhep Kosova, duke humbur jetën në shërbim. Për veprimtarinë dhe sakrificën e tij, ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 122, datë 13.06.1979, dhe kujtohet me nderim nga komuniteti i Shënmërisë.
Sadik Koçi dëshmori i shërbimit dhe ndërlidhjes
Sadik Rrapush Koçi ishte lindur dhe rritur në Shënmëri dhe i përkiste brezit të të rinjve që u bashkuan me formacionet partizane për të luftuar për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Ai mori pjesë në veprimtarinë luftarake të formacioneve partizane, fillimisht në radhët e batalionit të Dajtit dhe më pas në strukturat e Br III-të Sulmuese. Gjatë luftës, Sadiku u bë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të partizanëve për çlirimin e vendit, duke përballuar marshimet, luftimet dhe vështirësitë e kohës. Pas çlirimit, ai u caktua në Forcat e batalionit të Ndjekjes, ku shërbeu si ndërlidhës, detyrë që kërkonte përgjegjësi, guxim dhe përkushtim në kushtet e një periudhe të trazuar. Në qershor të vitit 1946, gjatë kryerjes së detyrës në Prosekë të Mirditës, Sadik Rrapush Koçi u vra nga njerëzit e dërguar që përtej kufirit për përmbysjen e rregjimit në Shqipëri. Rënia e tij në shërbim e bëri pjesë të kujtesës së dëshmorëve të Shënmërisë, të cilët sakrifikuan jetën në luftë dhe në vitet e vështira që pasuan çlirimin. Ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 48, datë 17.07.2005, dhe emri i tij mbetet pjesë e historisë e krenarisë së fshatit.
Ramiz Bajram Sula partizani që u shua nga sëmundjet e luftës
Ramiz Bajram Sula ishte bir i fshatit Shënmëri dhe një nga ata që iu përgjigjën thirrjes për t’u bashkuar me formacionet partizane në luftën kundër pushtuesve nazifashistë. Ai u rreshtua fillimisht në formacionet e Batalionit të Dajtit dhe më pas në Brigadën e III-të Sulmuese, duke u bërë pjesë e rrugëtimit luftarak të kësaj brigade në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj. Ramizi mori pjesë në marshime dhe luftime të shumta, duke përballuar kushtet e vështira të luftës, mungesën e ushqimit, lodhjen, të ftohtin dhe rreziqet e vazhdueshme. Gjatë veprimtarisë luftarake në Sanxhak të Bosnjës, ai u sëmur rëndë nga pneumonia dhe tifoja e morrit të kuq, sëmundje që prekën shumë partizanë në kushtet e jashtëzakonshme të luftës. Pas kthimit në Shqipëri, Ramiz Bajram Sula u shtrua në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mori trajtim mjekësor, por gjendja e tij shëndetësore nuk arriti të përmirësohej. Ai humbi jetën si pasojë e sëmundjeve të marra gjatë shërbimit ushtarak, duke lënë pas kujtimin e një luftëtari që sakrifikoi rininë dhe shëndetin për lirinë e atdheut. Ramiz Bajram Sula është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 227, datë 19.11.1979, dhe emri i tij nderohet së bashku me dëshmorët e tjerë të Shënmërisë.
Rexhep Koçi partizani i ri i Brigadës së III-të Sulmuese
Rexhep Zenel Koçi lindi në fshatin Shënmëri dhe u bashkua me formacionet partizane në një moshë fare të re, vetëm 16-vjeçare, duke dëshmuar një vendosmëri të jashtëzakonshme për t’u bërë pjesë e luftës për çlirimin e Shqipërisë. Ai u rreshtua fillimisht në formacionet e Batalionit të Dajtit dhe më pas në Brigadën e III-të Sulmuese, ku mori pjesë në veprimtarinë luftarake të saj. Rexhepi përshkoi një rrugë të gjatë lufte, duke marrë pjesë në luftime dhe marshime për rreth 700 ditë, në Shqipëri, Kosovë dhe deri në Sanxhak të Bosnjës. Gjatë kësaj periudhe u shqua për trimëri, zgjuarsi, solidaritet dhe unitet njerëzor me shokët e armëve, duke përballuar me kurajë vështirësitë e luftës dhe kushtet e rënda të jetës partizane. Pas kthimit nga Sanxhaku i Bosnjës, ai u sëmur rëndë nga pneumonia dhe tifoja e morrit të kuq, sëmundje që morën jetën e shumë luftëtarëve në vitet e luftës dhe pas saj. Megjithëse u shtrua në Spitalin Ushtarak të Tiranës, Rexhep Zenel Koçi ndërroi jetë në tetor të vitit 1947, në moshë të re, duke lënë pas një jetë të shkurtër, por të mbushur me sakrifica dhe idealizëm. Ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, dhe kujtimi i tij mbetet një simbol i rinisë së Shënmërisë që iu bashkua luftës me guxim dhe përkushtim ndaj Atdheut.
Hysen Sula mitraljeri i Brigadës së III-të Sulmuese
Hysen Banush Sula ishte një nga bijtë e fshatit Shënmëri që u bashkua me formacionet partizane gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke vënë jetën e tij në shërbim të çlirimit të vendit. Ai u rreshtua fillimisht në formacionet partizane të Batalionit të Dajtit dhe më pas shërbeu si mitraljer në Batalionin e Dytë të Brigadës së III-të Sulmuese, detyrë që kërkonte guxim, qëndrueshmëri dhe përgjegjësi të madhe në fushën e luftimit. Gjatë veprimtarisë së brigadës, Hyseni mori pjesë në luftime në Kosovë dhe deri në Sanxhak të Bosnjës, duke përballuar marshimet e gjata, kushtet e vështira të terrenit dhe dimrin e ashpër. Në këtë rrugëtim luftarak u plagos rëndë dhe u sëmur nga tifoja e morrit të kuq, sëmundje që dobësoi shumë gjendjen e tij fizike. Pas kthimit, ai u dërgua në spitalin partizan të ngritur në fshatin Shëngjin i Madh të Tiranës, ku u përpoq të përballonte plagët dhe sëmundjen. Megjithatë, në dhjetor të vitit 1944, Hysen Banush Sula u nda nga jeta, duke mos arritur të shihte përfundimin e luftës dhe Shqipërinë e çliruar. Ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, dhe kujtimi i tij ruhet në historinë e Shënmërisë si një luftëtar që dha gjithçka për lirinë e vendit.
Shtatë emra të ndritur të Shënmërisë, një histori, një amanet në përjetësi
Shtatë dëshmorët e Shënmërisë janë shtatë rrënjë të thella të historisë së këtij fshati, shtatë jetë që u bashkuan në një ideal dhe shtatë emra që mbeten të pandarë nga kujtesa e Atdheut. Ata nuk patën të njëjtin fat, por patën të njëjtën dashuri për vendin. Disa ranë në fushën e betejës, të tjerë u shuan nga plagët dhe sëmundjet e luftës, por të gjithë lanë pas një dëshmi të çmuar të sakrificës dhe përkushtimit. Vesel Tila, me jetën e tij të shkurtër dhe sakrificën e jashtëzakonshme, është simboli i kësaj plejade. Emri i tij në shkollën e Shënmërisë është një amanet që nuk duhet të harrohet, një kujtesë se liria nuk është e dhuruar, por e fituar me sakrifica, se historia nuk mbahet gjallë vetëm në libra, por edhe në ndërgjegjen e njerëzve.
Shënmëria ka arsye të krenohet me shtatë bijtë e saj. Ata i përkasin historisë së fshatit, të Shëngjergjit, të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Nderimi i tyre nuk është vetëm përulje para së kaluarës, por edhe përgjegjësi për të ardhmen, prandaj emrat mund e duhet të ruhen në lapidarë, në memorial, në pllaka përkujtimore. Të ruajmë emrat e tyre, të dokumentojmë jetën e veprën, t’ua përcjellim brezave dhe të mos lejojmë që sakrifica e tyre të zbehet nga harresa. Përjetësia e trimave partizanë të Shënmërisë mbetet në këngë dhe në kujtesën e brezave. Trimave nuk u këndohet për t’i qarë, sepse ata nuk i përkasin vajtimit, por krenarisë, nderimit dhe përjetësisë. Ata që dhanë jetën për atdheun, nuk u larguan nga historia, por u bënë pjesë e saj. Gjaku i tyre u kthye në testament, sakrifica në kujtesë dhe emrat e tyre në simbole që koha nuk mund t’i fshijë. Vesel Tila dhe gjashtë dëshmorët e Shënmërisë nuk mbetën vetëm në faqet e historisë, në pllakat përkujtimore apo në emrat e institucioneve të edukimit. Ata mbetën në këngët që u kushtohen trimave, në rrëfimet e të moshuarve, në krenarinë e familjeve, në kujtesën e fshatit dhe në ndërgjegjen e brezave. Kënga për dëshmorin nuk është thjesht një melodi. Është mënyra se si një popull ruan të shkuarën, përcjell heroizmin dhe e bën sakrificën të jetojë përtej kohës. Djemtë partizanë të Shënmërisë e shkruan pavdekësinë me gjakun e tyre. Ata nuk kërkuan lavdi, por iu përgjigjën thirrjes së atdheut, duke e vendosur lirinë mbi jetën e tyre. Sot, kur emrat e tyre shqiptohen me nderim, kur për ta këndohen këngë dhe kur historia e tyre u tregohet fëmijëve, sakrifica vazhdon të flasë. Ajo na kujton se liria nuk është një dhuratë e rastësishme, por një vlerë e fituar me guxim, përkushtim dhe gjak. Është kjo arsyeja që trimat nuk qahen, trimat nderohen, kujtohen dhe u këndohet. Sepse ata që ranë për atdheun nuk vdesin në kujtesën e popullit. Ata bëhen këngë, bëhen histori, frymëzim dhe mbeten përjetësisht në altarin e lirisë kombëtare, ku koha nuk ka pushtet mbi emrin dhe veprën e tyre. Vesel Tila dhe gjashtë dëshmorëve të Shënmërisë meritojnë lavdinë, meritojnë nderim e mirënjohje të përjetshme meritojnë të ngelen në kujtesën e gjithë brezave.
-&-