Nuk ndalet dhuna ndaj mjekëve. Rasti i fundit është regjistruar sot në spitalin e Lezhës ku është dhunuar brenda ambjenteve të spitalit mjeku Zef Doda. Mësohet se mjeku është goditur me sende të forta në kokë nga familjarët e një pacienti, duke e lënë të plagosur. Autori eshte identifikuar si Eduart Lleshi. Fillimisht mjeku ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Lezhës dhe më pas është transportuar drejt spitalit të Traumës për mjekim të specializuar. “Sot, rreth orës 12:30, tek poliklinika e  Spitalit Rajonal në Lezhë, shtetasi E.Ll. vjeç 24 , për shkak të detyres ka goditur fizikisht një mjek  i cili është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore”. Shkaqet mbeten të paqarta teksa mjeku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të situates si dhe vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorit Eduart Lleshi, i cili është shpallur në kërkim.

Ministria dënon dhunën

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënoi me forcë aktin barbar të dhunës ndaj mjekes specializante V.Z në klinikën e parë të kirurgjisë në QSUT dhe mjekut Z.D, i cili u dhunua fizikisht mesditën e sotme në ambientet e spitalit rajonal Lezhë. “Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në kodin penal për të vendosur ekskluzivisht goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës si vepër penale, paralelisht me vendosjen e një regjimi të ri në spitale, për disiplinimin e vizitave të familjarëve dhe riorganizimin e sigurisë në spitale”./oranews/