Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: Në Europë nuk shkohet me shtetin e kapuar nga krimi

Nga Berlini ku ndodhet për një vizitë, kreu demokrat Lulzim Basha gjatë një interviste për DË tha se në Evropë nuk shkohet me gënjeshtra dhe qeveri të kapur nga krimi. “Në Evropë nuk shkohet me hilera, nuk shkohet me gënjeshtra, nuk shkohet me një shtet të kapur nga krimi. Shkohet me vlera, me të vërteta, me një shtet të çliruar nga keqqeverisja dhe me një Parlament të zgjedhur nga populli shqiptar. Kur bie vota e lirë ka rënë demokracia”, u shpreh Basha. Më tej ai shtoi se nuk do të ketë kthim në Parlament, duke shtuar se synimi është vendosja e sistemit demokratik funksional në shërbim të qytetarëve dhe për këtë, u shpreh se ka mbështetjen e partnerëve gjermanë. “Largimi nga Parlamenti ndodhi pas shterimit të çdo mundësie për të zgjidhur në mënyrë institucionale këtë krizë të thellë legjitimiteti. Ju kujtoj që partnerët gjermanë në Bundestag dhe qeverinë gjermane i njohin këto probleme. Gjërat jo vetëm nuk kanë ndryshuar por janë përkeqësuar. Dalja e opozitës nga Parlamenti është një dalje pa kthim, kriza politike është reale por është një mundësi e madhe jo thjesht për të larguar një qeverisje të lidhur me krimin por për t’u dhënë shqiptarëve një sistem demokratik funksional që u shërben atyre dhe jo partive. Kam besim të madh që ky transformim që tashmë ka nisur, do të ketë mbështetje nga të gjithë shqiptarët e ndershëm. Në institucionet gjermane kemi gjetur mbështetje për këtë gjendje transformuese”, tha Basha.