Albspirit

Media/News/Publishing

Edlira Gjoni: E çuditur! Dhe e huaj në vendin tim!

Batërdia nepotike e Ulsi Manjës

 

Kam një problem të vogël me këto listat e deputetëve dhe familjarëve të punësuar të tyre në administratën publike.

Prej ditësh më ka vendosur në dilemë të madhe e në reflektim që nuk duket as i drejtë, as optimist, as logjik. Dihet që kështu ka qenë edhe kur në pushtet ishte PD a LSI, edhe kur të vijnë sërish, por kjo nuk e zbeh shokimin tim, sjellë në vëmendje nga listat që së fundmi i kam parë.

Kur lexoj: Doganë, Drejtori arsimore, Aviacion, Ministri, instutucion, qëndror e vendor, e plot familjarët në pozicione drejtuese, mora me shumë trishtim laps e letër e bëra disa llogari të athëta:

162 familjarë paskam. Të gradës së parë (ndjesë kushërinjtë e dytë e më tej, ju dua të gjithëve, por të merrem ngushtësisht, se përndryshe, sa më shumë numëroj, aq më tepër zgjerohet trishtimi i të vërtetës).

Pra nga katër gjyshërit e mi, (që si shumë familje të tjera të viteve të pas-luftës), kanë bërë nga 8 fëmijë, kanë rezultuar 16 martesa shumë të bekuara, prej nga kanë ardhur në jetë 47 fëmijë, një prej të cilëve jam unë.

Nga ne të 47, 35 jemi të martuar e fëmijë të tjerë kanë lidur plot, më i madhi i të cilëve është Inxhinier telekomunikacioni e së bashku me bashkëshorten dentiste, janë në SHBA.

Gjithsej 162 familjare, që janë pjesë vetëm e motrave dhe vëllezërve të prindërve të mi.

Nga këta, 34 jemi me studime të avancuara e mes nesh edhe 3 tituj shkencorë të marrë jashtë Shqipërisë.

A e gjeni dot se sa prej nesh punojnë në administratë?

ASNJË!

ASNJË për be!

Nga 162 familjarë të mitë, nuk qenka asnjëri i denjë t’i shërbejë vendit përmes administratës publike?

Në fakt, të gjithë janë të aftë e të denjë! Me karakter e integritet, përveçse pajisur me aftësi. Nga i pari, deri te i fundit! Po mbase pikërisht prej karakterit e dinjitetit kanë ngelur përjetë jashtë, nga çdo administratë e parti.

Nga 34 të afërmit “me shkollë të lartë”, 30 i kanë përfunduar studimet pas vitit 1990. Pse? Sepse daja i tim’eti kishte prona, mend, toka e makinë që në vitet 1940, e kështu që u deklasuam si familje “nip kulaku”. Prandaj asnjë prej xhaxhallarëve të mi nuk shkonte dot në universitet; prandaj iku shkolla mjekësore e të madhit në vitet ’50; iku inxhinieria e tjetrit, letërsia e tjetrës, muzika apo teknikumi i tjetrit, e me radhë. Iku madje edhe puna “në shtet” e sime mëje, që 19 vjeç, guxoi të fejohej me “nipin e kulakut”. Shkarkim nga puna e mirë! Drejt e në ara!

Me ardhjen e demokracisë, familjarët e mi iu futën punëve në sektorin privat, studimeve kushdo që mundi e emigrimit masiv, në 1997-ën shumë më tepër sesa në 1991-in.

Gjurmët e punësimit të familjarëve të mi në periudhën që në pushtet është Rilindja janë goditëse: ZERO! Asnjë prej 162 njerëzve në të cilët rrjedh gjak si i imi, apo as bashkëshortët që kanë marrë, nuk qenka i denjë për drejtor, drejtoreshë a titullare.

Waw!

Nuk më kishte vajtur kurrë më parë ndër mend kjo analizë deri sa pashë lista familjarësh të punësuar “të parisë” dhe ndjesia e parë që më erdhi ishte tkurrja e menjëhershme e plot pasiguri!

Këta nga 20 veta titullarë, e nga familja ime asnjë? “Po nuk e njoh familjen time për kaq të mefshtë” – i thoja vetes. Përkundrazi! Rrethohem nga njerëz që e duan aq shumë punën dhe e njohin aq pak lodhjen, sa janë të gjithë, të gjithë në punë, edhe ata që janë afër të 80-ave. Veçse, janë në punën e djersës së ballit, edhe pse mes tyre ka mjekë, infermiere, mësues, inxhinierë, financierë, ekonomistë, agronomë modernë, specialistë logopodie, dentistë, zhytës, veterinerë, ç’të doni ju!

Të shkolluar jashtë me shumicë! Të denjë për çdo vend pune ku kanë qenë!

Ama, ASNJË me pozitë në administratë!
Veç mbi shpatulla në sektorët jo-publikë!

162 familjarë.

Të paktën 4860 vite pune të të gjithëve bashkë që nga 1950-a.

Aq e dashur është treguar vendilindja, sa 121 prej njerëzve të gjakut tim, sot janë jashtë. Asnjëri, kurrë, asnjë problem me asnjërën drejtësi! Vecse ngelën jashtë, e kur vijnë, nuk dinë kur ta ndalin dorën nga portofoli që vetëm nxjerr: pagesa, investime, gjoba e lënie kokë-pas për Shqipërinë.

Na cuditët!

E keni kthyer Shqipërinë në ciflig e bejlerët janë vetëm familjarët e parive që vijnë e ikin!

Nuk kam fjalë! Me këtë rast, më bëtë të shoh me laps të hollë statistikat familjare e të them:

“Jam e pasur, e pasur shumë, edhe pse sot, si 70 vite më parë, keni të njëjtën përqasje për të më shpërfillur të shenjtën, familjen, shtëpinë”.

Po ti, shqiptari tjetër pa parti, sa familjarë ke të punësuar në Administratë?

E çuditur! Dhe e huaj në vendin tim!

Please follow and like us: