Albspirit

Media/News/Publishing

Ciklël poetik nga Avdush Canaj

 

Fati

Është fat të jesh flutur
me çantë në krah
e mësuese të kesh pranverën.

Edhe ta takosh poetin është fat,
fiton një libër
me vargje të karamelta!

Fat është t’ia dhurosh
buzëqeshjen tënde prej lulesh.

Deri në shtëpi fluturon
me krahët e lumturisë.

Kur hap faqet në ballkon,
në sofrën e vargjeve
ulen kumritë,
mjaltin nëpër hoje rimash
e shijojnë
bashkë me ty.

Fat i madh është ky.

S’jam dorështrënguar

S’jam dorështrënguar si ti
Që shetit gjithkah,
Unë falë ëmbëlsi vargjesh
Çdo ditë
Për fluturat
Me çanta yjesh në krah.

Është një çast

Është një çast
Kur dikush të buzëqesh në klasë,
Kur ta mbyllë syrin e kaltër,
Kur dikush të cicërin bilbilshëm:
Pjeshkë e ëmbël!
E krahun e vë mbi supin tënd.

Sa i bukur është ai çast!
Sa i bukur!

Këtë di ta thotë
Vetëm zogu i zemrës tënde,
Ai zog i bardhë.

Dritëhana n’ullishte

Motra gatuan byrek
Mirë e pjek
Në tepsi të hanës,
S’është si byreku i nanës.

Halla bënë akullore
Me çokollata prore
E lëngë të thanës,
S’është si akullorja e nanës

Tezja na falë ëmbëlsira,
Janë të mira, ta dish,
Jo si të nanës, jo,
Gishtat t’i lëpish,

Ah, nana, dritëhana n’ullishte
Duart e diellta i kishte.

Me një yllëz

Nëpër qiellin
e ëndrrës
shetis
me një yllëz
për dore.

Please follow and like us: