Albspirit

Media/News/Publishing

Saga e vilave të Bllokut në Pogradec: Si ruhej Enver Hoxha me silurues luftarak në liqenin e Pogradecit (3)

Bardhyl Berberi

 

 

 

 

Ishim duke pirë kafen e mëngjesit në një lokal në breg të liqenit, vetëm një vit para se të ndahej nga jeta ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Nazar Berberi. Si asociacion për të treguar ngjarjen e mëposhtme ishte një skaf i madh privat që ecte me shpejtësi në ujrat e liqenit.

Nazari në një moshë të thyer, sapo kishte kaluar të 80-at, iu kujtua një ngjarje e asaj kohe që i kishte sjellë shumë telashe në detyrën e tij në dikasterin e Mbrojtjes.

Në vitin 1978 isha me detyrën e zvMinistrit të Mbrojtjes, tregon Nazari, dhe mbuloja si artilerinë, flotën detare dhe aviacionin.

Më thërret Mehmet Shehu në zyrë. Ishte i shqetësuar, ecte më hap nëpër mjediset e zyrës së tij të madhe. Më pas ulej dhe zhgarraviste një letër me stilograf duke vizstuar figura gjometrike e më pas ngrihej përsëri.

Kjo ishte një shenjë kur ai ishte shumë i shqetësuar.

Në atë kohë Mehmeti ishte edhe Kryeministër edhe Ministri i Mbrojtjes dhe më thotë:

– Nazar, sapo dola nga zyra e shokut Enver. Ai para se të niset me pushime në Pogradec kërkon masa të larta sigurie dhe mbi të gjitha kërkon një mjet të fuqishëm luftarak të vendoset në liqenin e Ohrit nga ndonjë sulm i papritur që mund t’i bëhet nga ndonjë bandë e armatosur. Nuk e di konkretisht por ai ka ndonjë informacion sekret që e ka kapur paniku… Gjithashtu do të shkojë në rrethinat e Pogradecit edhe një helikopter luftarak, edhe ky do të ketë të njëjtin funksion.

I thashë Mehmetit se e sigurojmë mjetin luftark, heqim një silurues patrullues nga deti Adriatik, por si do të transportohet siluruesi deri në Pogradec në atë rrugë aq të rrezikshme me tunelet e Librazhdit apo me kthesa të shumta në Qafën e Thanës?

Mehmeti ma preu shkurt:

– Ik mendoje mirë dhe zbato urdhërin.

Shkova menjëherë në Durrës dhe zgjodhëm një silurues 4, i cili patrullonte në ujrat e Adriatikut. Vështirësitë ishin në transport, pra si do të transportohej siluruesi nga Durrësi në Pogradec.

U thirr një shofer shumë i zoti që ishte edhe Hero i Punës Socialiste,  quhej Met Dervina, i cili e mori përsipër këtë detyrë të rëndësishme dhe tepër të vështirë.

U ngarkua siluruesi në makinën e tij dhe eci mirë deri në tunelet e Librazhdit. Atje nuk mund të kalohej sepse nuk e nxinte tuneli. Pas llogaritjeve që bëmë ishte e pamundur, atëherë na lindi idea ta hipnim siluruesin në një tren pune me një vinç të fuqishëm.

Pas shumë peripecive me siluruesin, një herë në tren dhe një herë në makinë, mbërritëm në fshatin Lin. Gjetëm një vend ku kishte thellësi të madhe në liqen pranë bregut dhe e lëshuam tek mullinjtë e Linit të Pogradecit ku shkarkua me vinçin e fuqishëm dhe u lëshua në ujë.

Sapo u ndez siluruesi një zhurmë e tmerrshme shurdhuese që tronditi jo vetëm fshatin Lin, por trembi në formën e një paniku pushuesit e shtetit fqinjë të Maqedonisë.

Brenda pak minutash kampingu me pushues të huaj në Radozhë u boshatis, iknin pushuesit e tmerruar në formën e një paniku. Paniku dhe frika pushtoi edhe pushuesit në Pogradec. I gjithë qyteti dridhej nga zhurma tepër e madhe shurdhuese…Dhe ky panik shkoi në formën e epidemisë edhe në fshatin Tushemisht gjatë patrullimit të siluruesit…

E njëjta gjë u krijua edhe në kampingun e Shën Naumit, të huajtë që ishim atje braktisën pushimet, më pas në Lubanisht dhe në Peshtan. Edhe trageti i Shën Naumit që bënte rrugën katër herë në drejtim të Ohrit i ndërpreu udhëtimet.

Situata ngjante alarmante, paniku dhe frika përfshiu të gjithë pushuesit.

Katër siluruesi patrullonte nga njëri cep i liqenit tek tjetri nga mullinjtë e Linit deri tek kufiri me Shën Naumin.

Ministria e Mbrojtjes së Jugosllavisë së athershme na bëri një notë proteste por kush dëgjonte. Më pas edhe Ministria e Jashtme e Jugosllavisë na solli notën diplomatike ku në thelb thoshte: “Hiqeni siluruesin se na shkatërruat turizmin”.

Përballë vilës së Enverit ishte vila Biljana e Titos ku edhe ky pushonte gati tre muaj çdo vit në Ohër.

Ndërkohë sollëm edhe helikopterin luftarak dhe e vendosëm në vendin e quajtur “Varret e grekut” atje ku ishte edhe një repart special.

Mehmeti u kënaq që iu plotësua dëshira Zeusit, ne në prill të atij viti patëm me Enverin një incident që ai u mërzit shumë dhe realizimi i kësaj detyre sikur e fashiti zëmërimin e tij…

Ishte ngjarje e paprecedentë kur nga pakujdesia e një ushtari në bazën e raketave në Patos ikën në mënyrë të pakontrplluar një raketë e cila godet një shkëmb të madh në një mal të Tepelenës pa shkaktuar viktima, fatmirësisht.

Saga e vilave të Bllokut në Pogradec/Të pathëna për Enver Hoxhën nga gruaja që i shërbeu 25 vjet (1)

Saga e vilave të Bllokut në Pogradec: Rrëfime nga dëshmitare pranë Enver Hoxhës (2)

 

 

 

Vijon pjesa e katërt: Si ushqeheshin udheheqësit komunist në bllokun e vilave në Pogradec?

 

 

Please follow and like us: