Albspirit

Media/News/Publishing

Arta Arifi: “Ethet e vdekjes”


Tregim

Ishte një rrugicë e gurtë dhe e ngushtë, një rrugicë që zinte veë një qerre me kuaj.
Krejt në fund të saj dukej lumi. Perëndimi i diellit mbi të e bënte të dukej si një pikturë.
Njerëzit e fundit që kalonin nëpër të ngjanin si korba të vegjël e të mëdhenj, që dukeshin e zhdukeshin ngadalë nëpër shtëpitë e tyre.
Çdo të enjte të javës, njerëzit mblidheshin në të dy anët e saj. Blinin e shisnin ato që i mbillnin e mblidhnin gjatë gjithë javës.
Sot, gjatë një përleshjeje në mes dy të rinjve, njëri ra përtokë, pasi asnjeri nga ta nuk po binte dakord t’ia lëshonte udhën tjetrit.
Fshatarët, bash si korba që sapo dëgjojnë krismën e pushkës marrin hovin e fluturimit, në fillim u strukën nëpër skutat e tyre dhe pritën derisa ra qetësia, pastaj u mblodhën në një besëlidhje gjaku me kuvendu për fajin, dëshmitarët dhe verdiktin.
“U rrëzu n’gurin e parë të rrugicës së gurtë”, tha dikush.
“Vetëm pasi u rrëzua n’tokë, plumbi i pushkës së vet ja kapi cepin e krahut”, bërtiti tjetërkush.
“Ai është krahu me të cilin e mban pushkën”, tha një za pak më i sigurt se dy të parët, i cili në ato çaste u afrua te i vdekuri dhe po e shikonte me kureshtje.
“I vrari nuk u vra nga plumbi i tjetrit, u vra nga pushka e vet”, vazhdoi me po atë bindje si pak më parë dhe vetëm pasi si u sigurua që të tjeret ta pohojnë me kokë atë që e tha, zgjati dorën e ia mbylli sytë të vrarit.
Kafsha që mbet pa të zotin e tij, sikur ta ndjenjte që në një të enjte si kjo dikush mund ta marr në pyetje, u zhduk me një shpejtësi marramendëse.
Vetëm një re e vogël pluhuri mbet pas këtij largimi të pa paralajmëruar.
Andrra, që e pa gjithë ngjarjen, u struk në qerre dhe futi kokën nën batanije, me të cilën mbulohej ditëve të ftohta sa herë dilnin në treg me babain.
E kishte dëgjuar shpesh në shtëpi që lidhjet e të gjallit me të vdekurin vinin përmes etheve, por kurrë nuk e kishte kuptuar kështu si sot.
Një e dridhur e madhe e kapi nga gishti i kambës deri te maja e flokut dhe ajo nuk po e kuptonte nëse ishte gjaku i të riut që e zuri pa dashje, apo ishin ethet e vdekjes që e kapën për fyti dhe e ngrin në këtë ditë vere, në mes të një të pavërtete që sapo ndodhi para syve të saj.
I riu tjetër vazhdoi udhën sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke lanë pas hijen e tjetrit, i cili në ato çaste nuk po e kuptonte që mbeti në mesin e dy botëve.
I vrari, në njërën anë, shihte babain me trupin e tij n’krah e në anën tjetër gjakun e vet që nisi të ec nga guri i parë që i thanë se zuri kambën e deri te lumi matanë udhe.
E drejta e të vrarit mbi padrejtësitë e të gjallëve ishte e vogël. I vdekuri nuk po flet. Ai po ec pas babait pa mundësinë e fjalës, derisa vdekja në anën tjetër nuk po ndërhyn në mendimet e të gjallëve.
Udhës për në shtëpi, Andrra disa herë deshi ta pyes babain për të vërtetën, por heshti nga frika se edhe ai do t’i përgjigjej si fshatarët e tjerë.
Në mendimet e heshtura të saj u mboll fytyra e burrit që kërkonte drejtësi për djalin dhe e të riut që herë endej te trupi i tij i vdekur e herë te gjaku që bahej nji me lumin.
Gjithëka i dukej një pikturë e një artisti të pa gjumë që nuk arrin ta përfundojë atë çfarë sheh vërtetë, pastaj e turbullon krejt pamjen përballë edhe njëherë, dhe e nis një vizatim të ri.
Por pse? Pse ajo e shihte, ndërsa babai jo?
E kuptoi që hyri në shtëpi vetëm pasi dëgjoj zërin e tij kur i kërkoj të zbres nga qerrja.
Nga ajo ditë, Andrra shihte andrra çdo të enjte.
Në mes të trokëllimës së kalit n’vrap, rrugës që ngritej n’ajr dhe pluhurit që ia turbullonte shikimin, i shfaqej burri duke mbajtë djalin n’krah, pastaj, për një çast, sytë e tij bëheshin një me sytë e djalit, dikur ktheheshin në syrin e kalit. Gjithsej tre palë sy i afroheshin dhe e shikonin pa ndal derisa ajo zgjohej.
Të vdekurit e kahmotshëm duhet të harrohen, përballë kësaj furtune, mendoi me vete Andrra, derisa kaloi nëpër rrugicë.
Ethet e vdekjes e tradhtuan edhe këtë herë kur pa, në po atë qoshe, burrin të cilin e shihte edhe në ëndrra.
“I vrari nuk njeh mot të lig a të mirë. I vrari nuk njeh vite”.
Iu kujtuan fjalët e gjyshes vetëm atëhere kur iu duk si dikush po i shkonte pas.
Shpejtoi hapat dhe u nis drejt turmës që sa vinte e bëhej më e madhe.
Nëse sot, pas kaq shumë vitesh, në mes të kësaj furtune, i riu i vrarë do të duhej të ishte i harruar, është dikush tjetër, po në mes të kësaj furtune, që pas kaq shumë viteve pret një shikim si ky dhe gjithçka kthehet si atëhere kur ai u vra për së dyti.
Asnjëri nga ta nuk do ta dinte sa të enjte kanë kaluar.
Asnjeri nga ta nuk do ta dinte nëse një e vërtetë e kahmotshme sot po rikthehet te e njëjta rrugicë, sikur sytë e tyre të mos ishin takuar edhe sot.
…
Frymëmarrjet e turmës lëshojnë avull, që sapo u del nga goja, ndalet dhe rri pezull si në gravitetin zero.
Mullinxhesha lëngon nga dhimja.
Mullinxhiu, pasi kafshon lirat, kthen kokën nga e shoqja si për ta parë nëse është ende gjallë.
Martinin e ndan vetëm fryma që i del nga goja e i shkon në flokët e Andrrës.
Andrra e ndjen një dridhje të lehtë n’krahëror, e gjendur në mesin e dy ngjarjeve që po ndodhin në këto çaste: Ajo e nje njohje te re dhe tjetra e nje rinjohje nga e cila veç shpetim nuk ka.
Aty në mes të turmës hyn edhe Hali plak.
Këtë herë i heshtur, por i sigurt që afër tij gjindet një dëshimitare e gjallë e një vrasje të kahmotshme.